Lidhje

Freedom House: Demokracia në Shqipëri në vend-numëro


Freedom House - Albania
Freedom House - Albania

Demokracia në Shqipëri nuk pati ndonjë përparim gjatë vitit 2017, pasi “çdo hap përpara, u zhvlerësua nga një hap pas”, sipas organizatës Freedom House.

Shqipëria është në kategorinë e vendeve me demokraci në tranzicion ose regjim hibrid, ndonëse ka shënuar një ngritje të lehtë në pikët e përgjithshme, falë zgjedhjeve të fundit që u zhvilluan të qeta.

Në kapitullin për Shqipërinë të raportit të përvitshëm të organizatës Freedom House “Vendet në Tranizicion” - një përmbledhje të së cilit e përgatiti Zëri i Amerikës - thuhet se përparimi në rënien e kultivimit të kanabisit, u zbeh nga dyshimet se ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ishte i lidhur me një rrjet shqiptaro-italian të trafikut të drogës.

Arritjet në luftën kundër korrupsionit u zbehën nga zgjedhja si president i Ilir Metës, “i cili shihet nga shumë qytetarë si simbol i korrupsionit” , si edhe nga “zgjedhja me një shumicë të thjeshtë në parlamentin e Shqipërisë të Prokurores së Përkohëshme më 18 dhjetor, gjë që minoi seriozisht besueshmërinë dhe pavarësinë e institucionit”, thuhet në raport.

Përparim në zgjedhje por polarizimi politik vazhdon

Zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit shënuan përparim, pasi ofruan garanci të gjera për opozitën. Falë këtij përmirësimi, rezultati i përgjithshëm i indeksit të demokracisë u përmirësua në 4.11 nga 4.14 që ishte një vit më parë. Sipas Freedom House numri 1 përfaqëson nivelin më të lartë të demokracisë dhe numri 7 më të ulëtin.

“Fushata zgjedhore, si dhe numërimi i votave në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 kishte shumë më pak probleme sesa në zgjedhjet e kaluara. Për këtë arsye, asnjë nga partitë kryesore nuk i kundërshtoi rezultatet e zgjedhjeve”, thotë raporti.

Por zgjedhjeve u parapriu një bllokim politik mes opozitës dhe qeverisë gjatë katër muajve të parë të vitit 2017 “që e vuri të gjithë procesin zgjedhor në rrezik”.

Në raport thuhet se qeverisja demokratike në Shqipëri, u karakterizua nga ngecja në vend për shkak të polarizimit të thellë mes partisë kryesore opozitare, Partia Demokratike dhe Partisë Socialiste në pushtet, si edhe nga prirjet autoritare në vitin 2017.

Bojkotimi i parlamentit nga Partia Demokratike gjatë katër muajve të parë të 2017-ës, e frenoi reformën e kodit zgjedhor që ishte rekomanduar nga OSBE/ODIHR-i.

Po ashtu rrezikoi ta hidhte të gjithë procesin zgjedhor në kaos pasi PD-ja refuzoi të emëronte përfaqësuesit e vet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe i regjistroi kandidatët e vet, shumë pas afateve të përcaktuara në kodin zgjedhor.

“Marrëveshja e majit mes PS-së dhe PD-së, që i dha fund bojkotit, megjithëse u hapi rrugë zgjedhjeve të qeta, e sforcoi sistemin zgjedhor, pasi logjika politike iu imponua kodit zgjedhor”, thuhet në raport.

Ndërkohë raporti thotë se Partia Demokratike e opozitës dukej se ishte në një proces shpërbërjeje pas humbjes më të thellë në 25 vjet, ndërsa presidenti i ri Ilir Meta nuk e kishte besueshmërinë për të mos lejuar abuzime të mundshme me pushtetin nga ekzekutivi.

Lufta kundër korrupsionit dhe kundër kanabisit

Freedom House thotë se në vitin 2017 pati një farë përparimi kundër korrupsionit dhe rryshfeteve, veçanërisht në radhët e policisë, si edhe në luftën kundër drogës, që u vu re në reduktimin e kultivimit të kanabisit. Por përparimi në rënien e kultivimit të kanabisit, thuhet në raport, u zbeh nga njoftimet e agjencive italiane të rendit se ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ishte i lidhur me një rrjet shqiptaro-amerikan të trafikut të drogës.

“Megjithë këto njoftime, shumica socialiste në parlamentin e Shqipërisë votoi kundër kërkesës së prokurorëve për t’i hequr Tahirit imunitetin parlamentar, që ai të mund të arrestohej”.

Në raport thuhet se kultivimi i kanabisit ra në mënyrë drastike në Shqipëri, pjesërisht falë ndërhyrjes së policisë shqiptare.

“Ndërsa zyrtarët e qeverisë ia atribuan këtë strategjisë së tyre kundër kanabisit, analistët e pavarur argumentuan se mbiprodhimi gjatë tre viteve të mëparshme, krijoi rezerva të pashitura të kanabisit që e shkurajoi kultivimin e mëtejshëm në vitin 2017”, thuhet në raport.

“Lufta kundër korrupsionit mori gjithashtu një goditje me zgjedhjen e Ilir Metës si President i Republikës më 28 prill, presidenca e të cilit u bë e mundur nga votat e Partisë Socialiste. Në vitin 2011, Rama vetë e kishte cilësuar Ilir Metën si simbol të gjithçkaje që ishte e kalbur në politikën shqiptare, një vlerësim që e ka edhe një pjesë e madhe e elektoratit shqiptar”.

Përparimi i bërë në vitin 2017 për të ulur korrupsionin në nivele të ulta, thuhet në raportin e Freedom House, u zbeh nga humbja e terrenit në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta dhe kapjes së shtetit.

Raporti flet për strategjitë e miratuara kundër korrupsionit nga qeveria, përfshirë reformën në drejtësi që ka sy synim vetingun mes gjykatësve dhe prokurorëve në gjithë nivelet.

“Strategjia e qeverisë kundër korrupsionit u përqendrua pothuajse ekskluzivisht tek korrupsioni administrativ dhe neglizhoi korrupsionin politik dhe publik-privat, si kapja e shtetit”, thotë raporti që thekson se “institucione kyçe të anti-korrupsionit si Prokurorja e Përgjithshme e përkohëshme, Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Inspektori i Përgjithshëm i Deklarimit dhe Kontrollit të Pronave dhe Konfliktit të Interesave nuk patën pavarësi pasi janë zgjedhur me shumicë të thjeshtë parlamentare të së njëjtës parti që u duhet ta kontrollojnë”.

Ndërsa duke folur për kapjen e shtetit, raporti thotë se ende nuk ka masa rregulluese për lobimin, nuk ka kufizime për zyrtarët që kalojnë në sektorin privat pas jetës publike – përveç drejtorëve të policisë – dhe një kuadër të pamjaftueshëm ligjor për konfliktet e interesave.

Reforma në Drejtësi

Bojkotimi i parlamentit nga opozita dëmtoi gjithashtu edhe reformën e drejtësisë, pasi Partia Demokratike nuk i paraqiti tre kandidaturat e veta në Komisionin Parlamentar përgjegjës për përzgjedhjen e anëtarëve të organizmave që do të kishin përgjegjësinë të kontrollonin figurat e gjykatësve dhe prokurorëve.

Kjo pengoi krijimin e dy institucioneve kyçe të drejtësisë: Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe vonoi procesin e vetingut që filloi më në fund më 26 tetor. Raporti thotë se mungesa e Këshillit të Lartë të Prokurorisë shkaktoi bllokimin serioz në zgjedhjet e pasuesit të Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla kur atij i mbaroi mandati, gjë që solli si rezultat zgjedhjen e Prokurores së Përgjithshme të përkohëshme, Arta Marku nga Partia Socialiste në fuqi, me një shumicë të thjeshtë votash, që u kundërshtua me forcë nga partitë opozitare në parlament.

Shqetësime për prirje autoritare në qeverisje

Më 13 shtator, parlamenti miratoi qeverinë e dytë të udhëhequr nga Edi Rama, që përbëhej pothuajse plotësisht nga besnikë të tij. Kjo, shkaktoi frikë mes analistëve politikë se Rama mund të qeveriste me grusht të hekurt, duke pasur parasysh shumicën e tij prej 74 vendesh dhe kontrollin e tij të fortë mbi ekzekutivin.

Raporti thotë se një numër ngjarjesh në vitin 2017 duket se i konfirmuan shqetësime të tilla, përfshirë amendamentet e propozuara për ligjin e taksave që i jepnin autoritet të pashembullt (qeverisë) për të përcaktuar nivelet e taksave për biznese të ndryshme si edhe përdorimi i shumicës së thjeshtë për të zgjedhur Prokuroren e Përgjithshme të përkohëshme.

“Në fakt, vendimi i Ramës për të zgjedhur në mënyrë të njëanshme Prokuroren e re të Përgjithshme të përkohëshme me një shumicë të thjeshtë në parlamentin shqiptar në dhjetor, duke shpërfillur kundërshtimet e ashpra të dy partive kryesore opozitare, shfaqi një hap të parë shqetësues në këtë trajektore”, thotë raporti.

Shoqëria Civile dhe Media

Në raportin e Freedom House shprehet gjithashtu shqetësim për mangësitë financiare dhe humbjen e besimit të publikut tek organizatat e shoqërisë civile. Sipas organizatës, komuniteti Roma mbetet më i diskriminuari, pasuar nga ai LGBT që “vuan nga nivele të larta të homofobisë”.

Media vazhdon të vuajë nga autocensura dhe lidhjet e ngushta mes politikës, biznesit dhe medias.

Raporti përmend faktin që parlamenti miratoi amendamente në ligjin për Mediat Audiovizuale, duke detyruar organet e medias që të ofronin kohë falas në valët televizive gjatë fushatës zgjedhore.

“Në relievin e medias shqiptare pavarësia editoriale vazhdoi të jetë e kufizuar, pasi pronarët e medias gjithnjë e më shumë vazhduan të përcaktojnë përmbajtjen”.

Sipas raportit, legjislacioni shqiptar mbeti i heshtur për të drejtat, liritë dhe përgjegjësitë e redaktorëve. Si shembuj përmendet fakti që kontratat e drejtorit të televizionit ABC News, Armand Shkullaku dhe drejtorit të botimeve të MAPO-s, Alfred Lela nuk u ripërtërinë për shkak të poliitkës editoriale të pronarëve.

"Në vitin 2017, pronarët e mediave vazhduan të përdorin mediat e tyre për t'i bërë shantazhe qeverisë ose për ta detyruar atë që t'u bënte favore ekonomike", thuhet në raport.

"Kështu më 30 mars, parlamenti miratoi një ligj që jepte 5 milionë Euro për organet e medias në mënyrë që të lehtësonin kalimin nga transmetimet analoge në ato dixhitale. Dy përfituesit kryesorë të këtij fondi ishin familjet Hoxha dhe Frangaj, që kanë në pronësi dy stacionet kryesore televizive në Shqipëri, Top Channel dhe Klan", thotë raporti.

Ndërkohë në vitin 2017 shumë gazetarë vazhduan të punonin pa kontrata, të mos merrnin rrogat në kohë dhe nën rrezikun e pushimit arbitrar nga puna.

Parashikimi për vitin 2018

Sipas Freedom House, 2018-a paraqet mundësi për përmirësimin e qeverisjes në Shqipëri, por edhe rrezikun e autoritarizmit. Me një shumicë të gjerë, Partia Socialiste në pushtet dhe kryeministri i saj kanë një shans të vërtetë për të kryer reforma të rëndësishme, që kanë mundësinë të ulin korrupsionin në sistemin gjyqësor dhe rryshfetete në administratën publike, dhe njëkohësisht të përmirësojnë qeverisjen e mirë. Nga ana tjetër, kontrolli i plotë që ka kryeministri Rama mbi Partinë Socialiste dhe shumica e konsiderueshme që ai ka në parlament, e kombinuar me një kontroll të fortë mbi ekzekutivin, mund t’u hapë rrugën prirjejve autoritare që mund t’i vendosin institucionet shtetërore nën kontrollin e kryeministrit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG