Organizata “Freedom House e ka radhitur Kosovën në mesin e vendeve pjesërisht të lira sa i përket lirisë së shtypit. Në raportin e kësaj organizate, që i u publikua sot në prag të 3 majit, ditës ndërkombëtare të lirisë së shtypit, vlerësohet se situata në Kosovë është më e rëndë se ajo në vendet e rajonit dhe ajo radhitet në vendin e 104-të, bashkë me Argjentinën.
Përfaqësues të organizatave të gazetarëve në Kosovë, thonë se raporti është real dhe pasqyron situatën të cilën edhe ata e kanë konstatuar në punën e përditshme. Muhamet Jahiri, nga Unioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Arben Ahmeti, nga Asociacioni i Gazetarëve Profesionist të Kosovës, i thanë Zëri të Amerikës se raporti paraqet një situatë shqetësuese.
“E kemi parë këtë raport dhe me të vërtetë është shqetësuese se si Kosova po zhytet drejt një humnere të lirisë së shprehjes. Mund të themi se është shumë real dhe nga ajo që kemi parë ne dhe punës që kemi bërë në këtë drejtim, e kemi parë edhe ne përmes monitorimit tonë, se ka më të vërtetë një përkeqësim të lirisë së shprehjes në vendin tonë. Nuk mund të themi me statistika, por e kemi vërejtur se ka qenë më shqetësuese se sa vitet e kaluara”, tha zoti Jahiri
“Është plotësisht real dhe ajo që është më brengosëses është konstatimi dhe vlerësimi se ne jemi të fundit sa i përket rajonit. Duket se kemi pasur një shkarje shumë të madhe dhe një degradim të pozitës së Kosovës, meqë vitin e kaluar kemi qenë në vendin e 92 dhe tash vendi i 104-të, duket se është shumë, shumë serioz”, tha zoti Ahmeti.
Organizatat e gazetarëve konstatojnë se janë disa burime kërcënimesh për lirinë e fjalës në Kosovë. Asociacioni i Gazetarëve Profesionist, ka përgatitur edhe një raport të veçantë për shkallën e kësaj lirie në Kosovë.
“Në një raport që ne do ta publikojmë nesër, konstatohet se gjendja e lirisë së shtypit është e keqe. Është vlerësim nga vet gazetarët, do të thotë kemi bërë një anketë me kolegë gazetarë nga mbarë Kosova dhe vlerësimi është se gjendja është e keqe. Në këtë raport ne jemi munduar të identifikojmë edhe institucionin që më së shumti e cenon lirinë e shprehjes, pasi që lirinë e shtypit, ne mendojmë se nuk mund ta marrim di të mirëqenë faktin se institucionet e cenojnë lirinë e shtypit. Mirëpo sa i përket lirisë së shprehjes, kolegët gazetarë vlerësojnë se qeveria e Kosovës është institucioni që më së shumti po e cenon”, tha zoti Ahmeti
“Përderisa tek njerëzit krijohet ai perceptimi se gazetarët cenohen vetëm nga politika, ne mund të themi se nuk është vetëm kjo. Por, gazetarët kërcënohen edhe në forma tjera, qoftë prej biznese ku kemi pasur mjaft kërcënime të gazetarëve dhe mjaft shqetësime të tyre ku ata kanë shprehë pakënaqësitë e tyre ndaj biznesmenëve dhe ngatë cilët janë penguar në realizimin e punës së tyre”, thotë zoti Jahiri.
Por, cili është roli i vet gazetarëve dhe organizatave të tyre për mbrojtjen e lirisë së fjalës.
“Ne ende kemi gazetarë të mirë, ende kemi media profesionale dhe kjo është ajo pjesa optimiste që mund ta nxjerrim nga kjo gjendje. Ende kemi gazetarë që e mbrojnë profesionalizimin dhe nuk u nënshtrohen presioneve, shantazheve dhe kërcënimeve të ndryshme dhe vështirësive të tjera, të këndeve të tjera që i kanë në punën e tyre të përditshme. Ajo që e determinon është ajo se kush e bën agjendën në një shoqëri dhe fatkeqësisht, ndonëse në Kosovë kemi media profesionale, agjenda vendoset nga institucionet”, tha zoti Ahmeti
“Mendoj se gazetarët nuk bëjnë aq sa duhet për mbrojtjen e të drejtave të tyre. Ka një vakuum që nuk duhet të jetë, qoftë përmes formave të organizimit apo përmes formave të veprimit të tyre. Prandaj shpresoj se në të ardhmen do të bëhet më shumë dhe gazetarët do të jenë më të lidhur dhe të koordinojnë punë për të krijuar hapësirën që u takon atyre”, tha zoti Jahiri.
Shqetësimin me gjendjen e lirisë së shtypit sot e ka shprehur edhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, e cila nëpërmjet një komunikate shpreh brengën e saj për siç thuhet, format e ndryshme të trysnisë ndaj gazetarëve gjatë kryerjes së detyrave të tyre dhe me përpjekjet e supozuara për të ndikuar pa nevojë në politikat redaktuese të medieve në përgjithësi dhe të transmetuesit publik në veçanti. Vëzhguesit ndërkombëtarë, thuhet në komunikatë, kanë vërejtur që gjendja e lirisë së medieve në Kosovë është duke u përkeqësuar, gjë që thekson nevojën për adresim të shpejtë të situatës.
Autoritetet kanë përsëritur në vazhdimësi se në Kosovë ka liri të padiskutueshme të shtypit dhe se pasqyrimi i saj në raportet e organizatave të ndryshme jo gjithmonë paraqet gjendjen reale.
Organizata vendase dhe ato ndërkombëtare tërheqin vërejtjen ndërkaq se liria e shprehjes është njëri nga kushtet për integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike dhe se shkalla e lirisë së fjalës është pasqyrë e shkallës së demokracisë, ndërsa mbrojtja e kësaj lirie nënkupton mbrojtje edhe të Kushtetutës së vendit e cila e garanton atë.