Lidhje

Franca shton masat e sigurisë


Ministri francez i mbrojtjes tha sot se vendi po mobilizon dhjetë mijë forca të sigurisë për të mbrojtur popullatën, në kërkim të bashkëpunëtorëve të mundshëm në sulmet e javës së kaluar që lanë të vrarë 17 vetë si dhe tre persona të armatosur. Autoritetet franceze thanë se kërkimi i bashkëpunëtorëve është çështje e ngutshme, sepse "kërcënimi është ende i pranishëm".

Njerëzit vazhduan edhe sot të bëjnë homazhe në Sheshin e Republikës në Paris, duke sjellë lule dhe duke ndezur qirinj.

Ministri francez i Mbrojtjes, Jean-Yves Le Drian, tha se mobilizimi i forcave të sigurisë do të përfundojë të martën mbrëma dhe do të përqendrohet në pikat më të ndjeshme.

Jean-Yves Le Drian, Ministër i mbrojtjes:

"Presidenti i Republikës u ka kërkuar forcave të armatosura të marrin pjesë në mbrojtjen e zonave të ndjeshme të territorit tonë për shkak të kërcënimeve ekzistuese në vend. Për këtë arsye, ne kemi vendosur bashkë me Shefin e Shtabit të mobilizojmë 10.000 forca të sigurisë."

Sulmet filluan të mërkurën e kaluar në gazetën satirike Charlie Hebdo dhe përfunduan të premten me vrasjen e tre autorëve në operacionet gati të njëkohshme nga forcat e sigurisë.

Sipas Ministrit të Jashtëm të Turqisë, e veja e njërit prej atyre që sulmuan kaloi në Siri të enjten, një ditë pas masakrës në Charlie Hebdo dhe të njëjtën ditë që bashkëshorti i saj vrau një polic në periferi të Parisit.

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry tha se do të jetë në Francë të enjten dhe të premten për të diskutuar mbi masat kundër terrorizmit.

Sot në Paris, njerëzit vazhduan homazhet në Sheshin e Republikës, në shenjë respekti për ata që humbën jetën në sulmet e përgjakshme.

Kryeqyteti francez gradualisht iu kthye normalitetit, një ditë pas marshimit të mëse një milion njerëzve nëpër bulevarde, prapa dhjetra udhëheqësve botërorë.

Tubimi për unitet është cilësuar si demonstrata më e madhe në historinë e Francës.

Sheshi i Republikës është kthyer në një vend simbolik të Parisit për nderimin e viktimave të sulmeve në zyrat e gazetës satirike, Charlie Hebdo, të atyre në një supermarket hebraik dhe të policëve të vrarë:

"Jam shumë krenare, thotë kjo pariziane. Jam shumë krenare dhe të gjithë e treguan se mënyra më e mirë për të luftuar kundër këtyre njerëzve është të mos kemi absolutisht aspak frikë. Ajo që të emocionon sot, është kur shikon rezultatin – njerëzit që dolën të demonstrojnë dëshirën e tyre për të patur një vend si Franca që përfaqëson aq shumë lirinë. Ata deshën të tregojnë se liria gjithmonë do të mbrohet. "

Mes masave të forta të sigurisë dhe me një numër të madh njerëzish, të krahasueshëm me numrin e atyre që dolën për të përshëndetur çlirimin nga nazistët, Parisi u bë gjatë një dite "kryeqyteti i botës".

Miliona njerëz të tjerë marshuan në qytete të ndryshme të vendit dhe të botës për të dënuar dhunën që la 17 të vrarë dhe që ndryshoi Francën.

I

XS
SM
MD
LG