Një raport i publikuar nga Qendra e Kosovës për Studime të Sigurisë nxjerr në pah, se marrëdhëniet e mira mes udhëheqësve fetarë dhe autoriteteve lokale mundësojnë parandalimin e ekstremizimit të dhunshëm në Kosovë.
Këto komente janë pjesë e një raporti të publikuar nga kjo qendër me titull “Shpjegimi i dallimit: cenueshmëria dhe qëndrueshmëria ndaj ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë”,- ku janë marr për shembull dy komuna të vogla të Kosovës, ajo e Deçanit dhe e Hanit të Elezit.
Sipas raportit, komuna e Deçanit, që shtrihet në perëndim të Kosovës, nuk ka të regjistruar asnjë person që i janë bashkuar organizatave terroriste që veprojnë në Siri dhe Irak, për dallim nga komuna e Hanit të Elezit, që ka të regjistruar 11 luftëtarë të huaj, që është edhe numri më i madh në Kosovë për kokë banori.
Rudina Jakupi nga Qendra e Kosovës për studime të sigurisë tregon dallimet ndërmjet këtyre dy komunave.
“Në komunën e Deçanit numri i luftëtarëve të huaj që është asnjë, incidentet një, Organizata jo qeveritare joformale të pranishme, asnjë. Besimi në struktura formale fetare është 52%, kanë pak besim. Përfaqësimi politik në nivel qendror, janë tetë deputetë, përfshirë edhe kryeministrin e vendit, prani të institucioneve ndërkombëtare më shumë”.
“Ndërsa në komunën e Hanit të Elezit, ka patur 11 luftëtare të huaj, rekrutues katër, Organizata jo qeveritare formale apo joformale dy, incidente dy, besimi fetarë është 60% që kanë pak besim, pra Bashkësia Islame e Kosovës ka humbur besueshmërinë në këtë komunë. Nuk ka përfaqësim në nivel qendror, banorët ndihen të lënë anash nga institucionet shtetërore”, - tha zonja Jakupi.
Raporti tregon edhe dallimet ndërmjet këtyre dy komunave për të lejuar imamët nga vendet tjera që të mbajnë ligjerata para besimtarëve. Zonja Jakupi tha se Hani i Elezit iu është nënshtruar më lehtë imamëve nga vendet tjera, ndërsa Deçani nuk ka lejuar një gjë të tillë.
“Imamët në Deçan kanë qenë të vendosur dhe nuk kanë lejuar asnjë imam tjetër të ligjërojë aty, ndërsa në Han të Elezit ka qenë pak më ndryshe sepse kanë ardhur njerëz prej Maqedonisë dhe vendeve tjera dhe e kanë pasë pak më të lehtë qasjen në Han të Elezit. Kjo ka qenë një prej arsyeja që ekstremizmi është shfaq në nivel pak më të lartë se sa Deçani dhe rajonet tjera në Kosovë”,tha ajo.
Raporti bën thirrje që programet e ardhshme kundër ekstremizmit duhet t’i përshtaten çdo komune veç e veç. “Qëllimi programeve të tilla duhet të jetë krijimi i një kulture të komunikimit, bashkëpunimit mes akterëve kryesorë në komunitet, përfshirë udhëheqësve politikë e fetarë që të janë të bashkuar se si ta parandalojnë këtë në të ardhmen”.
Qendra e Kosovës për Studime të Sigurisë në raportet e tyre thotë se ekziston një numër në rritje i simpatizantëve që kurrë nuk kanë arritur të bashkohen në zonat e konfliktit, por që janë besnik të ideologjisë së ISIS-it, duke paraqitur kësisoj rrezik për sigurinë kombëtare.
Autoritetet thonë se sfidë tashmë për Kosovën mbetet luftimi i ekstremizmit dhe deradikalizimi i shoqërisë për brenda.
Që nga fillimi i konfliktit në Siri, rreth 317 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme. Afro 60 veta kane humbur jetën, ndërsa rreth 120 syresh janë thyer prej andej, kryesisht të zhgënjyer me atë me të cilën janë përballur.
Në pranverën e vitit 2015 parlamenti i Kosovës miratoi një ligj që parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie për të gjithë ata që marrin pjesë, nxisin apo mbështesin përfshirjen në konfliktet jashtë Kosovës.
Që nga fillimi i konfliktit në Siri, rreth 317 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme. Rreth 120 syresh janë thyer prej andej, kryesisht të zhgënjyer me atë me të cilën janë përballur.
Rreth 200 veta janë arrestuar ose hetuar dhe mbi 50 veta janë dënuar deri tash për përfshirje në luftërat në Lindjen e Mesme nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve.
Rreth 60 veta kanë humbur jetën në Lindjen e Mesme, ku sipas shifrave të përafërta zyrtare edhe më tej ndodhen 195 veta nga Kosova, një pjesë e mirë e të cilëve janë gra e fëmijë.
Facebook Forum