Ish Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Presidentit amerikan Donald Trump Michael Flynn, ka rënë dakord të bashkëpunojë me Komisionin e Zbulimit të Senatit, duke i dorëzuar dokumente që lidhen me hetimin e tij mbi përpjekjet e Rusisë për të patur ndikim tek zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar.
Zoti Flynn më parë pati refuzuar kërkesën për t'u paraqitur para komisionit dhe avokatët e tij patën dhënë si argument se kërkesa ishte shumë e gjerë. Komisioni i Senatit i dorëzoi një kërkesë më specifike zotit Flynn për t'u paraqitur. Ai pritet të dorëzojë disa dokuemnte personale dhe ato që lidhen me dy biznese të tij deri javën e ardhshme.
Komisioni i Zbulimit i Kongresit është duke kryer një hetim të veçantë për këtë çështje dhe të martën avokati personal i zotit Trump, Michael Cohen, nuk e pranoi një kërkesë për të dhënë informacione, duke thënë se ajo ishte shprehur "me fraza të varfëra, ishte tepër e gjerë dhe se ishte e pamundur për t'iu përgjigjur". Departamenti amerikan i Drejtësisë ka caktuar ish drejtorin e FBI-së Robert Mueller, si këshilltar special për të zhvilluar një tjetër hetim, mbi mundësinë e bashkëpunimit të zyrtarëve të fushatës së zotit Trump me Rusinë.
Presidenti Trump i ka mohuar të gjitha këto akuza dhe ai nuk e pranoi vlerësimin e komunitetit amerikan të zbulimit se Presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar që Rusia të ndikojë në fushatën e zgjedhjeve të nëntorit, me dëshirën për të ndihmuar që ato t'i fitojë zoti Trump.
Facebook Forum