Lidhje

Firma që ofron teste COVID-i në mbarë botën, bashkëpunëtore e ushtrisë kineze


Në këtë foto të agjensisë shtetërore kineze Xinhua paraqitet puna në një laborator të lëvizshëm të ofruar nga kompania BGI Genomics (Pekin, 23 qershor 2020)
Në këtë foto të agjensisë shtetërore kineze Xinhua paraqitet puna në një laborator të lëvizshëm të ofruar nga kompania BGI Genomics (Pekin, 23 qershor 2020)

SYDNEY - BGI Group, kompania më e madhe në botë e kërkimeve gjenetike, ka punuar me ushtrinë e Kinës për studime që variojnë nga testimi masiv për patogjenët e frymëmarrjes deri te shkenca e trurit, është konkluduar nga një hulumtim i agjensisë së lajmeve Reuters, dokumentacionit të shpikjeve shkencore, dhe dokumente të tjera.

Analiza e më shumë se 40 dokumenteve dhe studimeve kërkimore që janë të disponueshme për publikun në gjuhën në kineze dhe në anglisht, tregon lidhjet e BGI-së me Ushtrinë Çlirimtare të Popullit (PLA), përfshirë kërkimet me ekspertët kryesorë ushtarakë të nivelit të lartë kompjuterik të Kinës. Përmasat e këtyre lidhjeve nuk ishin raportuar më parë.

BGI-ja ka shitur miliona paisje testimi COVID-19 jashtë Kinës që nga shpërthimi i pandemisë së re të koronavirusit, përfshirë në Evropë, Australi dhe Shtetet e Bashkuara. Aksionet e BGI Genomics Co, filiali i kompanisë i listuar në bursën e Shenzhenit, janë dyfishuar në çmime gjatë 12 muajve të fundit, duke i dhënë asaj një vlerë tregu prej rreth 9 miliardë dollarësh.

Por zyrtarët e lartë amerikanë të sigurisë kanë paralajmëruar laboratorët amerikanë kundër përdorimit të testeve kineze për shkak të shqetësimit se Kina po kërkonte të mblidhte të dhëna të huaja gjenetike për kërkimet e veta. BGI-ja e ka mohuar këtë.

Dokumentet e shqyrtuara nga agjensia e lajmeve Reuters as nuk e kundërshtojnë dhe as nuk e mbështesin këtë dyshim të Shteteve të Bashkuara. Sidoqoftë, materiali tregon se lidhjet midis ushtrisë kineze dhe BGI-së shkojnë më thellë sesa kuptoheshin më parë, duke ilustruar sesi Kina ka lëvizur për të integruar kompani private të teknologjisë në kërkime të lidhura me ushtrinë, nën drejtimin e Presidentit Xi Jinping.

Qeveria amerikane kohët e fundit është paralajmëruar nga një panel ekspertësh se vendet kundërshtare dhe aktorët jo-shtetërorë mund të gjejnë dhe vënë në objektiv dobësitë gjenetike në popullatën amerikane dhe një konkurrent si Kina mund të përdorë gjenetikën për të shtuar forcën e personelit të saj ushtarak.

BGI-ja ka punuar me projekte të Ushtrisë Çlirimtare të Popullit (PLA) duke kërkuar që t'i bëjë anëtarët e shumicës etnike kineze Han më pak të ndjeshëm ndaj lartësive, zbuloi Reuters, kërkime gjenetike që do të ndihmonin ushtarët në disa zona kufitare.

Elsa Kania, një bashkëpunëtore e vjetër në Qendrën për Sigurinë e Re Amerikane, e cila ka dhënë dëshmi në komisionet e Kongresit amerikan, i tha agjensisë Reuters se ushtria kineze ka nxitur kërkime mbi shkencën e trurit, redaktimin e gjeneve dhe krijimin e gjenomëve artificialë që mund të kenë një aplikim në armët biologjike të së ardhmes. Ajo shtoi se armë të tilla aktualisht nuk janë teknikisht të realizueshme.

Modeli i bashkëpunimit i BGI-së me ushtrinë kineze ishte një "shqetësim i arsyeshëm për t'u ngritur" për zyrtarët amerikanë, tha zonja Kania.

Në përgjigje të pyetjeve të agjensisë Reuters, BGI-ja tha se i përmbahet standardeve ndërkombëtare dhe ligjeve kineze në lidhje me shkencën e hapur, ndarjen e të dhënave dhe kërkimet gjenetike. Ajo tha se bashkëpunimi i saj me studiuesit ushtarakë ishte vetëm për qëllime akademike.

"BGI-ja kundërshton me forcë çdo akuzë për lidhje me PLA-në, veçanërisht në lidhje me kompletet tona të testimit për COVID-19", tha kompania në një deklaratë.

Ministria e Mbrojtjes e Kinës nuk iu përgjigj kërkesave për komente.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG