Lidhje

Fillon shfaqja e dokumentarit “Revenge of the Electric Car”


Fillon shfaqja e dokumentarit “Revenge of the Electric Car”
Fillon shfaqja e dokumentarit “Revenge of the Electric Car”

Në dokumentarin e tij të vitit 2006, “Kush e eliminoi Makinën Elektrike?” regjisori i filmit Kris Pein i ka hedhur një vështrim lindjes dhe shuarjes së parakohshme të makinës elektrike që funksionon me bateri në mesin e viteve 1990. Tani Pein ka bërë një dokumentar tjetër të quajtur Revenge of the Electric Car ose Hakmarrja e Makinës Elektrike. Në këtë dokumentar, adhuruesit do të kenë rastin të shohin kthimin e suksesshëm të makinës elektrike në industrinë e prodhimit të makinave në mbarë botën.

Revenge of Electric Car i hedh një vështrim zhvendosjes historike të fokusit brenda industrisë së makinave, të regjistruar mes vitit 2007 dhe 2010.

Regjisori i filmit Kris Pein trajton biografinë e katër udhëheqësve të cilët i kanë dhënë drejtim të ri kompanive të tyre gjatë recesionit ekonomik dhe ndihmës financiare të qeverisë për industrinë e makinave.

“Ne vendosëm të kërkojmë leje për të parë se si këta njerëz po i drejtojnë kompanitë e makinave”.

Nënpresidenti i General Motors Bob Lutz ka inkurajuar firmën e tij të ndërtojë një makinë elektrike, një program të cilin kompania e kishte braktisur në vitet 1990. Tani GM është kthyer në treg me makinën elektrike Chevy Volt.

“Ne diskutonim se sa ka përparuar Toyota me imazhin e saj teknologjik, mjedisor dhe aspekte tjera. Dhe unë thashë ‘pse të mos ta ndërtojmë një prototip të makinës elektrike?”

Chevy Volt doli në treg në dhjetor të 2010-tës. Një muaj më vonë në Detroit, ajo shpallet “Makina e vitit” në Panarin Ndërkombëtar të Makinave në Amerikën Veriore.

Rastësisht në këtë ngjarje zoti Lutz u takua me një miliarder dhe sipërmarrësin Elon Musk.

Sipërmarrësi Musk ka provuar fatin me ndërtimin e një makine elektrike sportive të quajtur Tesla Roadster. Në inagurimin e kësaj makine në vitin 2008, ai kishte thënë se sheh një të ardhme.

“Kompania Tesla do të pordhojë mijëra makina të këtij lloji. Dhe ne nuk do të ndalemi deri sa të mbushen të gjitha rrugët me makina elektrike. Ky është vetëm fillimi”.

Pavarësisht nga shpresat e mëdha, rruga e kompanisë Tesla është e vështirë dhe kompania ishte pranë falimentimit.

Edhe drejtuesi i kompanisë Renault-Nissan Karlos Gohn zgjedh të njejtën rrugë. Ai e lidhi suksesin e kompanisë me suksesin e Nissan Leaf, një makinë elektrike e cila mund të funksionojë pa u karikuar në një distancë prej 160 kilometrash.

“Ne mendojmë se kompania do të përfitojë shumë nga kjo makinë. Ne duhet të kemi durim. Duhet ta menaxhojmë mirë këtë. Ajo do ta ndryshojë imazhin e kompanisë dhe ndoshta do të ndryshojë edhe imazhin e industrisë”.

Përveç këtyre emërave të njohur të industrisë, regjisori Pein prezanton edhe fqinjin e tij, Greg “Gadget” Abbot.

“Për aq kohë sa e kam njohur atë, ai është marrë me konvertimin e makinave elektrike. Ka shumë njerëz që e bëjnë këtë gjë, jo vetëm Gadget, por edhe shumë njerëz tjerë si ai”.

Analistët e industrisë thonë se shitjet e makinave elektrike nga viti 2017 do të arrijnë në 360 mijë në Shtetet e Bashkuara dhe rreth 1,3 milionë në mbarë botën. Dave Simison dhe Betsi Heney morën pjesë në prezantimin e filmit Revenge of the Electric Car në periferi të Uashingtonit.

“Gjatë shfaqjes së filmit ajo nxori i-Padin për të shikuar çmimin e makinës Nisan Leaf. Makina kushton rreth 25 mijë dollarë. Çmimi është i arsyeshëm sepse nga kjo makinë kursen nga mosblerja e karburantit”.

“Në diskutimin që u bë pas shfaqje ata thanë se njerëzit do të blinin makinën pasi ta provonin atë. Nëse burri im e provon këtë makinë, ju garantoj se ai do ta blejë atë”.

Filmi i regjisorit Kris Pein Revenge of the Electric Car sugjeron se blerësit e parë të këtyre makinave do të ndihmojnë në hapjen e një kapitulli të ri në historinë e industrisë së makinave—një epokë pa karburant që mund të jetë lajm i mirë për biznesin, konsumatorët dhe mjedisin.

XS
SM
MD
LG