Lidhje

Fillon rigjykimi i pjesshëm i Ramush Haradinajt


Fillon rigjykimi i pjesshëm i Ramush Haradinajt
Fillon rigjykimi i pjesshëm i Ramush Haradinajt

Në Gjykatën Ndërkombëtare për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë, filloi sot rigjykimi i pjesshëm i ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe dy bashkëpunëtorëve të tij, Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj, nën akuzat për krime lufte.

Më 21 korrik të vitit të kaluar, Gjykata ndërkombëtare për krime të luftës në ish Jugosllavi, urdhëroi rigjykimin e ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe dy ish bashkëluftëtarëve të tij të akuzuar për krime lufte.

Dhoma e Apelit e Gjykatës së Hagës, anuloi pjesërisht vendimin e Gjykatës të prillit të vitit 2008 e cila e kishte shpallur të pafajshëm zotin Haradinaj. Gjykata kishte pranuar ankesën e Prokurorisë e cila ka pohuar se nuk i ishte dhënë kohë e mjaftueshme për t’i shfrytëzuar të gjitha rrugët, në mënyrë që të sigurojë paraqitjen e dy dëshmitarëve kryesor të rastit.

Ramush Hardinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dha dorëheqje nga posti i kryeministrit të vendit më 8 mars të vitit 2005 për t'u dorëzuar vullnetarisht në gjykatën e Hagës, prokuroria e së cilës e akuzonte atë dhe dy bashkëluftëtarët e tij Idriz Balaj e Lahi Brahimaj për krime lufte. Akuzat lidheshin me veprimtarinë e zotit Haradinaj gjatë luftës kur ai ishte një nga komandantet e lartë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Procesi kundër zotit Haradinaj filloi më 5 mars të vitit 2007 dhe përfundoi në prill të vitit 2008 me pafajësinë e tij dhe Idriz Balajt. I pandehuri tjetër Lahi Brahimaj u dënua me gjashtë vjet heqje lirie nën akuzat për siç thuhet trajtim mizor dhe torturë.

Në rigjykimin e pjesshëm që filloi sot do të trajtohen akuzat për vrasje, trajtim mizor dhe torturim të të burgosurve në shtabin e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatin Jabllanicë në Kosovën perëndimore.

Vendimi për rigjykim të pjesshëm është i pari i këtij lloji në veprimtarinë 18 vjeçare të Gjykatës Ndërkombëtare për Krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë.

Rigjykimi nxiti reagime në Kosovë, ku vlerësohet lartë roli i zotit Haradinaj në luftën e viteve 1998 -1999. Përfaqësues politikë shfaqen bindjen në pafajësinë e zotit Haradinaj, ndërsa Organizatat e Veteranëve të Luftës së ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, thanë se vendimi për rigjykim ishte i padrejtë dhe faktin që ai u morr një ditë para shpalljes së opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës, ata e cilësuan si vendim të motivuar politikisht.

Ndërsa vendimi është përshëndetur nga Beogradi i cili e ka vlerësuar atë si fitore të luftës për të drejtat e viktimave.

XS
SM
MD
LG