Mijëra demonstrues janë përleshur me policinë në Bruksel, ku janë mbledhur krerët e Bashkimit Evropian për të diskutuar tema të nxehta si përballimi i situatës së borxheve që kanë pllakosur disa nga qeveritë e kontinetit.
Forcat policore belge përdorën gazin lotsjellës dhe pompat e ujit ndaj një grupi protestuesish me rreth 20 mijë persona. Protestuesit, të cilët u mblodhën pas thirrjeve të sindikatave për demonstrata, kanë kundërshtuar planet e udhëheqësve evropianë për të rritur moshën e pensionit dhe për të pakësuar shpenzimet për programet sociale në vendet e Bashkimit Europian. Policia tha se dhjetra demonstrues u përpoqën që të kalojnë barrierat e vendosur nga forcat e rendit dhe hodhën gurë në drejtim të tyre, duke plagosur 12 oficerë policie.
Udhëheqësit e bllokut të 27 vendeve po përballen me shqetësimet në rritje rreth çështjes së borxhit. Analistët financiarë thonë se rrëzimi i qeverisë portugeze dje ka shtuar gjasat se Portugalia do të jetë vendi i tretë evropian, mbas Greqisë e Irlandës, që do të ketë nevojë për një ndihmë financiare ndërkombëtare.
Kryeministri socialit i Portugalisë, Jose Socrates, përmbushi premtimin e tij për dorëheqje, mbasi parlamenti hodhi poshtë propozimin e tij për një paketë masash shtrënguese që mund të eliminonin nevojën për ndihmë financiare ndërkombëtare.
Disa analistë financiarë evropianë thonë se edhe Spanja gjithashtu ka nevojë për një paketë ndihmash.