Ardit Ferizi, shtetas i Kosovës, pranoi të mërkurën fajësinë në një gjykatë amerikane për akuzat se i ka dhënë mbështetje materiale organizatës terroriste Shteti Islamik dhe ka hyrë pa autorizim në një kompjuter të mbrojtur, nga i cili ka marrë informacion.
"Ferizi pranoi se ka vjedhur të dhëna personale të mbi 1.000 ushtarakëve dhe punonjësve federalë amerikanë, duke ia kaluar ato ISIS-it për të nxitur sulme terroriste kundër këtyre individëve," tha ndihmës Prokurori i Përgjithshëm John Carlin, pas seancës që u zhvillua sot në Alexandria të shtetit Virginia pranë Uashingtonit.
20-vjeçari Ferizi u arrestua nga policia në Malajzi në tetor të vitit të kaluar në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga autoritetet amerikane. Ai u soll në SHBA dhe në janar të këtij viti u përball me akuzat.
Prokurorët federal thanë se ai kishte përdorur emrin e koduar "Th3Dir3ctorY" dhe kishte drejtuar një grup hakerësh të njohur si “The Kosova Hacker's Security”.
Në muajin gusht, një pjesëtar i Shtetit Islamik me emrin Junaid Hussain, postoi në rrjetin social twitter një mesazh që pëmbante në vete një lidhje me një dokument më të gjatë. Në mesazh thuhej: “ne jemi në postat tuaja elektronike dhe sistemet kompjuterike, duke parë dhe duke regjistruar çdo lëvizje tuajën. I kemi emrat dhe adresat tuaja... Ne po nxjerrim të dhënat tuaja të besueshme dhe po ua japim informacionet ushtarëve të Kalifatit, të cilët së shpejti me lejen e Allahut do të godasin kokat tuaja në tokat tuaja”.
Rasti kundër Ferizi është i pari i këtij lloji.
Në seancën e dënimit që është caktuar për në 16 shtator të këtij viti, Ferizi përballet me një dënim maksimal prej 20 vjet burg për mbështetje materiale për ISIS-in dhe pesë vjet për hyrje pa autorizim në një kompjuter të mbrojtur për të marrë informacionin.