Deputeti i Parlamentit të Kosovës, Fatmir Limaj, tha mbrëmë se është i gatshëm të përballet me drejtësinë. Ai i bëri këto komente pas intervistimit nga prokurorët e Misionit të Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë të cilët dje lëshuan urdhër arrest për zotin Limaj dhe nëntë persona të tjerë nën dyshimet për përfshirje në krime lufte. Nëntë persona janë arrestuar dje në një operacion në shkallë të gjerë të EULEX-it, nën dyshimet për vrasje, tortura dhe veprime të tjera penale të bëra kundër civilëve shqiptarë dhe serb të Kosovës, si dhe ndaj të burgosurve të luftës në qendra të paraburgimit në Kosovë në vitin 1999.
Në urdhër arrestin e lëshuar ndaj zotit Limaj thuhet se ai, dyshohet të ketë urdhëruar ekzekutimin e policëve serbë të rrëmbyer nga kryengritësit shqiptarë. Sipas prokurorëve, Limaj i cili ishte një nga komandantët e njohur të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishte torturuar një të burgosur serb gjatë marrjes në pyetje në fshatin Kleçkë të komunës së Malishevës në Kosovën qendrore.
Në orët e mbrëmjes zoti Limaj u paraqit vet para prokurorëve duke e vlerësuar veprimin e tij si një veprim në të mirë të vendit.
“Detyrë është, besoj që kështu ndihmohet vendi. Askush dhe asnjë njeri nuk mund të barazoj fatin e tij me fatin e vendit, i cili është mbi të gjitha edhe ndonjëherë kur del padrejtësi. Në rastin tim, ju e dini se kjo nuk është hera e parë që po ndodh, por fatin e kemi të tillë dhe kur ju thërret drejtësia pavarësisht a është e drejtë apo e padrejtë, ju e keni për obligim t’i përgjigjeni. Vetëm kështu mund të ndërtojmë një shoqëri demokratike. Shpresoj që ajo fjala “askush mbi ligjin”, të mos keqpërdoret dhe të mos përdoret për gjëra të tjera dhe shpresoj që ata që e kanë gojën plotë ligj ta respektojnë atë”, tha zoti Limaj.
Pas rreth dy orësh qëndrimi në mjediset e EULEX-it, zoti Limaj dhe avokati i tij Tomë Gashi thanë shkurt se do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me drejtësinë.
“Unë jam në dispozicion të plotë të organeve të drejtësisë. Ligji duhet respektuar kështu që kurdo që thirr do të jem në dispozicion të ligjit”, tha zoti Limaj.
Nuk është ende e qartë se si do të rrjedhin gjërat rreth zotit Limaj meqë ai është deputet i Parlamentit dhe sipas Kushtetutës së Kosovës, Deputeti i Parlamentit nuk mund të arrestohet dhe as ndalohet përderisa është duke kryer detyrat e tij si deputet, pa pëlqimin e shumicës së të gjithë deputetëve të Parlamentit”.
Më 30 nëntor të vitit 2005 Gjykata Ndërkombëtare për Krime lufte në Hagë shpalli të pafajshëm Fatmir Limajn, i cili në shkurt të vitit 2003 qe akuzuar për përfshirje në krime kundër civilëve shqiptarë dhe serbë gjatë luftës së vitit 1998.
Nuk ka pasur reagime të menjëhershme të autoriteteve vendase, ndërsa kundër këtyre arrestimeve kanë reaguar Organizatat e dala nga lufta. Në një reagim të këtyre organizatave shprehet siç thuhet, “indinjata me rastin e arrestimeve të veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Malisheva dhe Lipjani”. Në reagim theksohet se “veprimet e EULEX-it janë të pabazuara e të papërgjegjshme, me qëllim të njollosjes së luftës çlirimtare dhe për të provokuar një situatë të tensionuar në Kosovë”.