Të enjten afganët shënuan një Ditë të zymtë të Pavarësisë. Turma njerëzish u mblodhën sërish rreth aeroportit të Kabulit, në kërkim të vendeve të lira në fluturimet e evakuimit të Shteteve të Bashkuara, ndërsa talebanët marrin pushtetin. Zyrtarët amerikanë thanë se përpjekjet për evakuim po përshpejtoheshin, por nuk pranuan të thonë nëse këto përpjekje do të vazhdojnë edhe pas 31 gushtit, afati për tërheqjen e ShBA-së.
Dita e Pavarësisë së Afganistanit u shënua me patrulla nga talebanët dhe të shtëna me armë rrugëve të kryeqytetit.
Afganët e dëshpëruar për të shpëtuar nga sundimi i talebanëve, vërshuan në kufirin me Pakistanin dhe rrethuan aeroportin në Kabul, duke pritur për një nga vendet e pakta në fluturimet e evakuimit.
Ushtarët amerikanë shihen duke ndihmuar një grua afgane të kalojë murin e aeroportit, ndërsa më herët përdorën gaz lotësjellës për të mbajtur turmën nën kontroll.
Më shumë se 5 mijë e 200 trupa amerikane ndodhen në aeroportin e Kabulit për të siguruar evakuimin, një proces që Pentagoni tha të enjten se po përshpejtohet.
“Synojmë të shfrytëzojmë në maksimum kapacitetin e secilit aeroplan, duke u dhënë përparësi njerëzve para gjithçkaje tjetër. Fokusi ynë është që evakuimi të bëhet i sigurt dhe me urgjencë”, tha Gjeneral Major William Hank Taylor.
Numri i amerikanëve dhe afganëve të evakuuar deri tani është shumë më i vogël sesa synimi prej 7 mijë në ditë i Presidentit Biden. Presidenti tha se asnjë gabim nuk është bërë gjatë tërheqjes nga Afganistani edhe pasi agjencitë amerikane të zbulimit thanë se vazhdimisht kanë identifikuar rrezikun e rënies së shpejtë të qeverisë afgane. Uashingtoni nuk njeh talebanët si qeveri e re e Afganistanit, një çështje kjo e diskutuar të enjten nga Sekretari i Shtetit Antony Blinken me homologët e tij të grupit G-7.
"Marrëdhëniet e bashkësisë ndërkombëtare me talebanët do të varen nga veprimet, jo nga fjalët e tyre”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.
Ndërsa vajzat afgane u kthyen në shkolla në disa pjesë të vendit, ligjvënësit amerikanë paralajmëruan se SHBA nuk do t’i pranojë verbërisht zotimet e talebanëve për t’i trajtuar gratë në mënyrë të drejtë.
“Duhet ta bëjmë këtë subjet të transparencës së madhe, duke hedhur dritë mbi atë që mund të bëjnë talebanët”, tha Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.
Në një sondazh të kryer javën e kaluar, kur talebanët morën kontrollin e vendit, shumica e amerikanëve shprehen skeptikë nëse konflikti 20 vjeçar amerikan në Afganistan ishte i vlefshëm.
Facebook Forum