Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, tha se ofron një shpërblim prej mbi 80 mijë eurosh për këdo që ofron informata që mund të çojnë në ndriçimin e vrasjes së pjesëtarit të këtij misioni Audrius Shenaviçius, shtatë vjet më parë.
Më 19 shtator të vitit 2013, në një fshat të rajonit të Zveçanit, në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, ishte shtënë me armë zjarri mbi dy makina të EULEX-it, me të cilat po udhëtonin gjashtë pjesëtarë të tij për në vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në Jarinë.
Nga plagët e marra në atë sulm, ende të pasqaruar, humbi jetën oficeri 35 vjeçar i doganave nga Lituania, Audrius Shenaviçius, i cili shërbente në EULEX që nga viti 2012.
Vrasja qe dënuar gjerësisht në Kosovë dhe nga institucionet ndërkombëtare.
Të shtunën EULEX-i tha se ofron një shpërblim prej 82 mijë eurosh për informata që mund të çojnë në arrestimin dhe dënimin e autorit apo autorëve të vrasjes.
Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, derisa vuri lule në vendin ku ishte vrarë pjesëtari i misionit të tij bëri thirrje për ndihmë në ndriçimin e vrasjes për hir të drejtësisë që siç tha, është e nevojshme “për familjen e viktimës, për të gjithë këtu në Kosovë, për rajonin, si dhe për Bashkimin Evropian”.
Vrasja e doganierit Senaviçius paraqet rastin e parë që një pjesëtar i EULEX-it humb jetën, që nga vendosja e tij në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë së saj në shkurt të vitit 2008.
Facebook Forum