Lidhje

EULEX-i shqyrton rrugët e sqarimit të çështjes së imunitetit të deputetëve


EULEX-i shqyrton rrugët e sqarimit të çështjes së imunitetit të deputetëve
EULEX-i shqyrton rrugët e sqarimit të çështjes së imunitetit të deputetëve

Misioni i Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë në Kosovë po shqyrton rrugët e sqarimit të çështjes së imunitetit të deputetëve që janë nën hetime.

Ky qëndrim u theksua sot nga zyrtarët e këtij misioni të cilët konfirmuan se kryetari i Parlamentit të Kosovës Jakup Krasniqi, ka refuzuar nëpërmjet një letre, kërkesën e EULEX-it që parlamenti të nxjerrë një rezolutë e cila do të kërkojë nga qeveria që të shtrojë në Gjykatën Kushtetuese çështjen e imunitetit për deputetët e Parlamentit të Kosovës.

Në një deklaratë me shkrim të këtij misioni, thuhet se EULEX-i vazhdon të besojë se çështja e imunitetit të deputetëve ka nevojë të sqarohet nga Gjykata Kushtetuese. Kjo është në dobi të të gjithëve dhe EULEX-i është duke diskutuar se si të vazhdohet përpara me këtë çështje, thanë zyrtarë të këtij misioni.

Kryetari i parlamentit, javën e kaluar tha se kërkesa e EULEX-it nuk është e bazuar në ligj, në Kushtetutë dhe as në rregulloren e punës së Parlamentit dhe se sipas tij, qeveria ka të drejtë të kërkojë opinion nga Gjykata Kushtetuese pa kërkuar mendimin e Parlamentit.

Por, kryeministri Thaçi e ka përjashtuar mundësinë që qeveria e tij të ndërmarrë një veprim të tillë, duke ju referuar edhe qëndrimeve të zyrtarëve të lartë amerikan të cilët i bënë thirrje kryetarit të Parlamentit që të çojë përpara këtë çështje.

XS
SM
MD
LG