Komisioni Evropian pret që të përfundojë së shpejti punën për një certifikatë të COVID-19 që mund t'u lejojë qytetarëve të udhëtojnë më lehtë këtë verë në bllokun prej 27 vendesh.
Me fillimin e zbutjes së masave të rrepta për frenimin e zgjerimit të infektimeve, në gjithë Evropën, shumë qytetarë të Bashkimit Evropian po shqyrtojnë rezervimet e pushimeve dhe ministrat e çështjeve Evropiane, diskutuan të martën në Bruksel përparimin në diskutimet për këtë çështje me ligjvënësit evropianë.
Një marrëveshje midis Parlamentit dhe vendeve të Bashkimit Evropian kërkohet këtë muaj për të siguruar që sistemi do të funksionojë deri në fund të qershorit, por disa çështje mbeten të hapura.
Kur propozoi skemën e certifikatave në muajin mars, Komisioni Evropian tha se ato do t’u ndahen qytetarëve të Bashkimit Evropian të cilët mund të vërtetojnë se janë vaksinuar dhe gjithashtu atyre që testohen negativisht për virusin ose kanë prova se janë shëruar prej tij.
Ligjvënësit dhe vendet anëtare janë dakord për këtë, por parlamenti ngulë këmbë që certifikatat COVID-19 duhet të jenë të mjaftueshme për të lëvizur lirshëm dhe se vendet e bllokut nuk duhet të kenë mundësinë të vendosin kufizime. Kjo është një pengesë meqë kontrolli i kufirit është kompetencë e vendeve anëtare.
Ministri francez i Çështjeve Evropiane, Clement Beaune, tha në fillim të takimit se puna po ecën rreth certifikatës shëndetësore evropiane.
“Shpresojmë që puna e parlamentit dhe shteteve anëtare do të çojë në një përfundim të suksesshëm në fillim të qershorit në mënyrë që kjo certifikatë e harmonizuar evropiane, që bazohet në vaksinën, por edhe në testet, të mund të jetë plotësisht e përdorshme në fillim të sezonit të verës dhe të lehtësojë udhëtimet në Evropë”, tha ai.
Ministri gjerman për Evropën, Michael Roth, tha se certifikata nuk është e rëndësishme vetëm për vendet e turizmit.
“Është e rëndësishme për të gjithë ne sepse është një simbol shumë i rëndësishëm që ne jemi në gjendje të veprojmë, se qëndrojmë së bashku dhe është një sinjal i qartë për lirinë e lëvizjes, në Bashkimin Evropian, tha ai.
Sipas parashikimeve të Komisionit Evropian, rreth 70 për qind e popullatës së rritur në Bashkimin Evropian do të vaksinohet deri në fund të verës.
Parlamenti gjithashtu ka ngritur shqetësime në lidhje me çmimin e testeve për COVID-19. Në një rezolutë muajin e kaluar, ligjvënësit thanë se vendet anëtare duhet të "sigurojnë testime universale, të qasshme dhe pa pagesë" për të shmangur diskriminimin ndaj atyre që nuk janë vaksinuar ende dhe do të udhëtojnë në bazë të testeve.
Sa i përket listës së vaksinave që mund të përfshihen në program, ligjvënësit ranë dakord me propozimin e Komisionit Evropian që të gjitha vaksinat e miratuara nga Agjencia Evropiane e Barnave, duhet të njihen automatikisht.
Ata gjithashtu u ofruan vendeve të BE mundësinë për të përfshirë edhe vaksinat tjera të listuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për përdorim emergjent.
Në pritje të një marrëveshje midis shteteve anëtare dhe ligjvënësve, Bashkimi Evropian tashmë ka filluar të punojë në aspektet teknike të skemës dhe Komisioni tashmë ka filluar konfigurimin e infrastrukturës digjitale dhe testimi ka filluar këtë javë në disa shtete anëtare.
Facebook Forum