Lidhje

Parlamenti Evropian dënon gjenocidin në Srebrenicë


Parlamenti Evropian dënoi edhe dështimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të miratuar rezolutën mbi gjenocidin në Srebrenicë për shkak të vetos ruse.

Parlamenti Evropian miratoi me shumicë votash rezolutën për Srebrenicën, me të cilën dënohet gjenocidi i kryer 20 vjet më parë. Në rezolutë thuhet mes tjerash se përgjegjëse për vrasjen masive të mbi tetë mijë burrave myslimanë, janë forcat serbe të Bosnjës, të komanduara nga Ratko Mladiç, i cili aktualisht është duke u gjykuar në Gjykatën Ndërkombëtare për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë.

Në tekstin e rezolutës masakra e Srebrenicës cilësohet si gjenocid, ashtu sikundër është cilësuar në vendimet e dy gjykatave në Hagë, asaj për krime lufte dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Ky është krimi më i madh i luftës që ka ndodhur në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore” shkruan në rezolutë, në të cilën theksohet se rreth 1 mijë e 200 banorë të Srebrenicës ende llogariten të zhdukur, disa mijëra gra e fëmijë janë dëbuar dhe shumë gra janë përdhunuar nga forcat serbe.

“Ngjarjet tragjike në Srebrenicë kanë lënë pas vetes plagë të thella dhe pengesa afatgjate në procesin e ri pajtimit të popujve të Bosnjës e Hercegovinës”, shkruan në tekstin e rezolutës, në të cilin nënvizohet edhe përgjegjësia e Kombeve të Bashkuara që nuk kanë përmbushur mandatin e tyre për të mbrojtur banorët e “zonave të sigurta”.

Në debatin para miratimit të rezolutës u lexua edhe deklarata e Komisionit Evropian me të cilën dënohet gjenocidi i kryer në Srebenicë para 20 vjetësh i cili ka lënë plagë të thella si në Bosnjë ashtu edhe në tërë Evropën. Në deklaratën e Komisionit dënohet edhe mos votimi i rezolutës për Srebenicën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Në tekstin e rezolutës së Parlamentit Evropian, shprehet keqardhje që Këshilli i Sigurimit i OKB-së, i cili ka përgjegjësinë për mbajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, dështoi të miratojë rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë. Kjo është posaçërisht për keqardhje kur dihet se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, trupi kryesor juridik i Kombeve të Bashkuara, ka përcaktuar se krimet e kryera në Srebrenicë, paraqesin gjenocid, thuhet në rezolutë.

Të mërkurën Rusia i vuri veton një projekt-rezolute të Kombeve të Bashkuara që e dënon si akt gjenocidi masakrën e Srebrenicës.

Më 11 korrik të vitit 1995, trupat e serbëve të Bosnjës, pushtuan Srebrenicën, një qytet që ishte shpallur “zonë e sigurt” nga Kombet e Bashkuara, duke ekzekutuar rreth tetë mijë mysliman boshnjak.

Pjesa më e madhe e deputetëve të Parlamentit Evropian thanë gjatë debatit se përkujtimi i gjenocidit në Srebrenicë është me rëndësi në mënyrë që asnjëherë të mos përsëritet një krim i tillë.

XS
SM
MD
LG