Lidhje

Lajçak në Kosovë – Hoti: Jo Asociacion me kompetenca ekzekutive


Lajçak në Kosovë, përpjekje për rifillimin e bisedimeve
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:28 0:00

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, filloi të martën vizitën dyditëshe në Prishtinë, prej nga do të shkojë më aps në Beograd, në një përpjekje për rifillimin e bisedimeve, të cilat duket se ngecën për shkak të mospajtimeve rreth çështjes së Asociacionit të komunave më shumicë serbe në Kosovë.

Serbia kërkon që në bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian të diskutohet për këtë asociacion, ndërsa Kosova thekson se kjo çështje është mbyllur me marrëveshjet ekzistuese të vitit 2013 dhe 2015. Tashmë kjo çështje ka bllokuar bisedimet për më shumë se një muaj.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha në një konferencë për gazetarë se vizita e zotit Lajçak ka të bëjë me vlerësimin e bisedimeve dhe hapave tjerë për këtë proces.

“Ky nuk është proces i lehtë. Ka tema të vështira, siç është Asociacioni edhe tema tjera, por të gjithave do t’iu qasemi bazuar në parimet e qarta që i kemi bërë të ditura para Kuvendit, para qytetarëve edhe të dakorduara në mes të partnerëve të koalicionit”, tha ai

Kryeministri Hoti përsëriti qëndrimin se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është çështje e mbyllur dhe sipas tij Kosova ka marr garanci dhe mbështetje nga partnerët e saj që Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive. Ai tha se nuk do t’u nënshtrohet trysnive që lidhen me çështjen e këtij asociacioni.

“Kur kemi hyrë në procesin e dialogut e para që kemi hequr nga tavolina ishte ideja shkëmbimit të territoreve dhe sot askush nuk flet për këtë temë dhe e dyta që nuk diskutohet, karakteri unitar i shtetit të Kosovës, që nënkupton nuk ka Asociacion me kompetenca ekzekutive”, tha ai, duke nënvizuar se Kosova nuk po bllokon bisedimet.

“Pas dy vitesh të bllokadës së procesit të dialogut, të pamundësisë për të çuar përpara normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona, është mbërritur dakordim edhe me partnerët ndërkombëtarë që ky proces i dialogut është vetëm për një gjë, për marrëveshje përfundimtare për normalizim të marrëdhënieve dhe njohje reciproke...”, tha ai.

Autoritetet në Serbi ndërkaq paralajmëruan sot mundësinë e tërheqjes së përfaqësuesve të komunitetit serb nga institucionet e Kosovës, në rast se nuk zbatohet marrëveshja për Asociacionin e komunave serbe sipas marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2013.

Këto paralajmërime u bënë pas një takimi ndërmjet drejtorit të ri të zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç me udhëheqësit e Listës serbe, subjekti me i madh politik i serbëve të Kosovës.

Analistët në Prishtinë thonë se vazhdimi i bisedimeve mbetet i paqartë dhe se kërkesa për të diskutuar çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe mbetet sfidë e madhe.

Arbresha Loxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë për Zërin e Amerikës se qasja e deritashme e Kosovës përballë bisedimeve ka qenë e gabuar, meqë ajo mori detyrime pa ndonjë përfitim në këmbim.

“Ndërsa në anën tjetër Serbia ka hapur kapituj të rinj në rrugën e saj integruese, ka restauruar komplet marrëdhënien e saj me SHBA-të, ndërsa ne asnjëherë, asnjërën nga marrëveshjet, asnjërën nga këto copëza të marrëveshjes të cilat i kemi nënshkruar dhe kemi marrë obligime për to, përfshirë edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe, nuk e kemi bërë me një obligim minimal ose kushtëzim minimal që Serbia ta njoh pavarësinë e Kosovës. Pra nuk kemi marrë asgjë në këmbim dhe qasja e deritashme është e gabuar dhe nuk duhet vazhduar, sipas opinionit tonë, në të njëjtën mënyrë”, tha zonja Loxha.

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se Prishtina zyrtare në këto bisedime po shihet si palë që po bllokon procesin dhe për këtë, sipas saj, Kosova duhet të ndërrojë qasjen në këto bisedime.

“Dhe tani kur duket që ka rifilluar dialogu, pasi Kosova i hoqi gjitha ato masa dhe duhet thënë pa marr asgjë në këmbim, duket që është një kushtëzim i radhës që kërkohet të diskutohet për komunitetet jo shumicë apo Asociacionin e komunave me shumicë serbe pasi që janë të dyja këto tema që përdoren, por nuk ka një qartësim se për çfarë përdoren. Pala kosovare duhet të bëj atë që të zbatojë marrëveshjen në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, duke e ruajtur si funksionimin e brendshëm të Kosovës që ka një nivel qendror dhe lokal por edhe vet funksionimin unitar kushtetues të Kosovës”, tha ajo.

Zonja Krasniqi thotë se ka një paqartësi rreth asaj se çka po kërkohet të bisedohet rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Bruksel.

“A është duke u kërkuar të bëhet zbatimi i marrëveshjes së viti 2013 dhe 2015 në respektim të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese, apo është duke u kërkuar që kjo marrëveshje të rinegociohet dhe të ribëhet e tëra duke parë parimet të cilat janë dakorduar. Derisa nuk kemi qartësim, është pak e vështirë të dihet se si t’i dilet në krye këtij procesi dhe si të tejkalohet kjo pengesë, e cila është tashmë në tryezë të dialogut”, tha ajo.

Arbresha Loxha thotë se Kosova duhet të vazhdojë këto bisedime me kushtëzimin e njohjes së pavarësisë së saj nga ana e Serbisë para se të arrihet çdo marrëveshje tjetër.

“Nëse ne prapë vazhdojmë të heqim copëza të sovranitetit, ashtu siç kanë bërë qeveritë e kaluara dhe kanë lejuar delegacionet e kaluara të Kosovës, atëherë ne vetëm kemi me i hap rrugë Serbisë. Në të kundërtën, nëse këmbëngulim që gjithçka të kushtëzohet me njohje dhe të pajtohemi për çdo gjë para se të nënshkruajmë çfarëdo marrëveshje tjetër dhe çdo gjë për ne duhet të jetë së pari njohja, atëherë do ta pengonim rrjedhimisht edhe Serbinë që të bëj progres në rrugën e saj evropiane”, tha ajo.

Kosova dhe Serbia janë përfshirë në bisedime të lehtësuara nga Bashkimi Evropian që nga viti 2011 për arritjen e një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve. Në fillim të muajit shtator të dyja vendet u dakorduan për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike në Shtëpinë e Bardhë, por sfidë mbetet zgjidhja politike e cila diskutohet në Bruksel.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG