Angelina Eichhorst, drejtore për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në Shërbimin e Jashtëm të Bashkimit Evropian, ka kritikuar deportimin e shtetasve turq nga Kosova duke theksuar se ky veprim 'ngre shumë pikëpyetje në Bruksel mbi procesin, transparencën dhe drejtësinë'.
"Në përputhje me vendosmërinë e Kosovës për të punuar së bashku për një të ardhme të lirë dhe demokratike, siç përcaktohet edhe në Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit të gjitha veprimet e institucioneve janë të lidhura me respektimin e plotë të sundimit të ligjit dhe rregullat e normat ndërkombëtare edhe kur është fjala për ekstradimin”.
Gjashtë shtetas turq, të lidhur me institucionet e klerikut turk Fethullah Gulen, të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e fajëson për një përpjekje grusht shteti në Turqi, në korrik të vitit 2015, u deportuan të enjten në një operacion ende të pasqaruar, të kryer nga shërbimet e zbulimit të të dyja vendeve.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj shkarkoi ministrin e Brendshëm dhe shefin e agjencisë së zbulimit pas këtij operacioni që u krye siç tha ai pa dijeninë e tij.
Tërë operacioni vazhdon të jetë i "mjegulluar", ndërsa ka nxitur reagimet e organizatave dhe veprimtarëve për të drejtat e njeriut që tërheqin vërejtjen tek pasojat që mund të ketë ai në proceset integruese të Kosovës.
Qëndrimi i kryeministrit Haradinaj bëri që ai të sulmohet për tri ditë radhazi nga presidenti turk Recep Tayyip Erdogan.
Të enjten zëvendëskryeministri turk Bekir Bozdag, tha në një paraqitje televizive në Ankara se "shërbimi kombëtar i zbulimit deri më tash ka kapur 80 anëtarë të FETO-s në 18 vende dhe i ka sjellë ata në Turqi", duke nënvizuar se operacione të të ngjashme me ato në Kosovë, do të vazhdojnë".
Facebook Forum