Lidhje

Mbyllet takimi i BE -Partneriteti i Lindjes


Udhëheqës të Bashkimit Evropian dhe gjashtë vendeve të ish-bllokut sovjetik mbyllën sot takimin e nivelit të lartë në Riga të Letonisë, me një deklaratë të përbashkët për vazhdimësinë e Partneritetit të Lindjes, pavarësisht nga qëndrimet e ndryshme për disa çështje kyçe. Përveç të tjerash, gjatë dy ditëve u diskutua edhe për krizën greke.

Duke nxjerrë në pah se takimi i fundit i Partneritetit para 18 muajsh në Vilnius shkaktoi fillimin e përplasjes Lindje-Perëndim me Rusinë, teksti i deklaratës përfshinte një referencë komplekse për aneksimin e Krimesë nga Rusia, që merrte parasysh si pozicionin e Ukrainës, ashtu edhe të Armenisë dhe Bjellorusisë që mbështetën Rusinë në një votim të OKB-së për atë çështje.

“Sot ne rikonfirmuam interesin e përbashkët për të vazhduar zhvillimin e marrëdhënieve të forta, të ngushta dhe në respekt të qëndrimeve të ndryshme, me secilin nga partnerët për t’i ndihmuar që të bëhen më të qëndrueshëm përballë sfidave në rritje ndaj sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe që të marrin vendime të pavarura”.

Konferenca e shtypit për shpalljen e deklaratës u vonua një orë pasi zoti Tusk bënte një bisedë telefonike me presidentin e Azerbaixhanit Ilham Aliyev. Zyrtarët e BE-së thanë se synimi ishte për zbutjen e shqetësimeve të tij për një rresht të deklaratës që lidhej me konfliktin e vendit të tij me Armeninë lidhur me Nagorno-Karabakh.

Nga gjashtë partnerët e lindjes, Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia po bëjnë përpjekje më të mëdha për t’u afruar me BE-në; Azerbaixhani ku BE ka ngritur zërin për shkelje të të drejtave të njeriut ka një linjë me neutrale; ndërsa Armenia dhe Bjellorusia kanë qenë të prirura nga qëndrimi i Moskës.

Një nga temat që nuk ishin pjesë zyrtare e takimit, ishte edhe borxhi i Greqisë. Dje Kryeministri grek Alexis Tsipras u takua me udhëheqësit e Gjermanisë dhe Francës me shpresën për të përshpejtuar krizën e borxhit të Athinës, por ajo që mori ishte një kujtesë se duhet të bëjë më shumë përpjekje për të siguruar fonde për të mos falimentuar.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel tha sit se bisedimet kishin qenë “miqësore dhe konstruktive” por se kishte ende shumë punë për të bërë.

“ Franca dhe Gjermania kanë ofruar të diskutojnë mbi çdo paqartësi me Greqinë dhe me kryeministrin grek dhe të japin ndihmën e nevojshme por duhet gjetur një marrëveshje me tre institucionet dhe duhet punuar intensivisht në këtë drejtim”.

Qeveria greke thotë se një marrëveshje me BE-në dhe FMN-në për fonde në këmbim të reformave mund të finalizohet në 10 ditët e ardhshme dhe kryeministri Tsipras tha se ishte optimist.

XS
SM
MD
LG