Kreu i Zyrës së Etikës për Qeverinë, një institucion jopartiak, i cili ka pasur vazhdimisht përplasje me administratën e presidentit Trump, jep dorëheqjen gjashtë muaj përpara se t’i mbarojë mandati.
Walter Shaub thotë për gazetën The Washington Post se askush në Shtëpinë e Bardhë nuk i ka bërë presion.
Po ai shtoi: “Nuk kam çfarë të bëj më shumë... duke punuar me administratën e tanishme është bërë e qartë se ne duhet të forcojmë programin e etikës”.
Zoti Shaub i ka sugjeruar presidentit Trump që është më mirë t’i shesë pronat e tij të patundshme, që janë të pafundme, si dhe perandorinë e biznesit që ka ngritur, në vend që t’ua japë ato djemve të tij për menaxhim.
Përfaqësuesit ligjorë të presidentit Trump thanë se ai do të humbiste shumë para po ta bënte diçka të tillë.
“Nuk kam simpati për këtë”, tha Shaub për CBS News, duke vënë në dukje faktin se presidenti ka autoritetin të dërgojë në luftë të rinj amerikanë që kanë shumë më tepër për të humbur.
“Duket sikur bizneset e Trumpit po përfitojnë nga posti i tij si president”, tha Shaub, “ndonëse vetë Trumpi mund të mos jetë duke përfituar personalisht”.
Zoti Shaub kritikoi gjithashtu Shtëpinë e Bardhë që nuk e ndëshkoi Kellyanne Conway pasi ajo shtyu njerëzit të blejnë veshjet e së bijës, Ivankës.
Pas dorëheqjes, Shaub do të punojë për grupin e reformës pro-politike, Qendra Ligjore e Fushatës.
Shtëpia e Bardhë thotë se e pranon dorëheqjen e zotit Shaub, duke vlerësuar shërbimin e tij të deritanishëm.
Zyra Amerikane e Etikës së Qeverisë u krijua në vitin 1978, pas skandalit të Uotergejtit. Ajo punon për krijimin e ligjeve që kanë si synim të shmangin konfliktet e interesit dhe abuzimet e zyrtarëve të qeverisë.
Facebook Forum