Lidhje

Italia pranon emigrantët e bllokuar në detin Mesdhe


Italia ka pranuar të marrë më shumë se 100 emigrantë të bllokuar për ditë të tëra në një anije në detin Mesdhe pasi Malta refuzoi t’i strehonte ata. Malta dhe vende të tjera të Mesdheut, si Italia dhe Greqia po i kërkojnë Bashkimit Evropian që të ndajë barrën, ndërsa emigrantët vërshojnë drejt pikave të hyrjes së BE-së dhe krijojnë vështirësi për popullatat e vendeve të tyre.

Emigrantët mbërritën në Itali të mërkurën. Ata u shpëtuan të dielën nga barka e tyre e dëmtuar rëndë prej një anijeje në bregdetin e Libisë, dhe kishin mbetur të bllokuar në anije për disa ditë me radhë.

Mes emigrantëve besohet të jenë 4 gra shtatzëna dhe një foshnje 5 muajshe.
Por kryeministri i Maltës kishte thënë se emigrantët nuk ishin në rrezik dhe refuzoi të lejonte hyrjen e tyre në vendin e vogël ishull.
Kryeministri Joseph Muscat falenderoi Italinë për pranimin e emigrantëve.

Flavio Di Giacomo i Organizatës Ndërkombëtare për Migrantët foli me Zërin e Amerikës nga Italia.

“Ne jemi të gëzuar që Italia pranoi sepse natyrisht që përparësia duhet të jetë ndihma për emigrantët që janë në rrezik dhe në nevojë për ndihmë”.

Malta është pikëhyrja kryesore për emigrantët që përpiqen të shkojnë në Evropë nga Afrika. Sipas Kombeve të Bashkuara, vitin e kaluar më shumë se 1,500 njerëz mbërritën nga deti, një influks ky i madh për një vend me popullsi prej vetëm 500 mijë banorësh.

Relativisht me popullsinë e saj, Malta pranon numrin më të madh të azil kërkuesve në botë.

Christian Schweiger, ekspert për Evropën në Universitetin Durham në veri të Anglisë, thotë se Malta nuk është e vetme në përpjekjet për të përballuar vërshimin e emigrantëve.

“Vende si Spanja, Italia dhe Malta, vende në frontin jugor të Bashkimit Evropian, janë bombarduar vitet e fundit nga mijëra migrantë veçanërisht Afrika. Dhe këto vende kanë kërkuar ndihmë nga Bashkimi Evropian”.

Ai thotë se veçanërisht Malta ndjehet se është e bombarduar nga emigrantët dhe se vende të tjera të BE-së duhet të ndajnë peshën e azil kërkuesve nga Afrika.

Këtë vit Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi një rezolutë për t’u dhënë më shumë mbështetje të ashtuquajturave vendeve "në vijat e frontit", përfshirë edhe shqyrtimin e mundësive të reja për të transferuar në vende të tjera të Evropës këta azil kërkues.

Por eksperti Schweiger thotë se kjo është një rrugë e vështirë.

“Problemi kryesor është se ne nuk kemi një politikë të përbashkët evropiane për strehimin politik dhe kjo është dukshëm rezultat i politikave të të gjitha këtyre vendeve, veçanërisht vendeve të mëdha në Evropën Qendrore si Gjermania dhe Franca, që duan të mbajnë në fuqi politikat e tyre të strehimit politik”.

Edhe më shqetësues, thotë ai, është fakti se vendet e Evropës Qendrore nuk kanë dëshirë të pranojnë emigrantë të tjerë dhe preferojnë t’ua lënë vendeve kufitare të BE-së që të merren me këtë problem.

Por ai thotë se për vetë emigrantët situata do të përkeqësohet nëse vendet evropiane nuk fillojnë të bashkëpunojnë. Ai thotë se vende si Italia dhe Malta nund të ndalojnë pranimin e emigrantëve.

"Ata do t’i kthejnë këta njerëz madje do të mbyllin edhe kufijtë. Këto vende do të kritikohen nga vendet e tjera të Bashkimit Evropian, por unë mendoj se ato kanë të drejtë kur thonë se vendet e tjera nuk mund t’i kritikojnë kur nuk janë të gatshme të japin ndihmën e tyre në këtë situatë të vështirë".

Komisioni Evropian e kritikoi Maltën që nuk pranoi emigrantët nga Afrika Veriore, të cilët mbërritën në bregdetin e saj të dielën.

KE-ja tha se Malta e kishte për detyrë që t’i pranonte pasagjerët për arsye humanitare.
XS
SM
MD
LG