Lidhje

Dokumentari i ri i Elvira Dones, një udhëtim i dhimbshëm në botën e dënimit me vdekje


Dokumentari i ri i Elvira Dones, një udhëtim i dhimbshëm në botën e dënimit me vdekje
Dokumentari i ri i Elvira Dones, një udhëtim i dhimbshëm në botën e dënimit me vdekje

Shkrimtarja dhe autorja e dokumentarëve Elvira Dones sapo ka realizuar një dokumentar të ri këtu në Shtetet e Bashkuara të titulluar “Mos ma vrit tim atë”. Zonja Dones shkoi në Teksas, një nga mbi 30 shtetet e Shteteve të Bashkuara ku është në fuqi dënimi me vdekje dhe foli me fëmijët dhe familjarët e të dënuarve me vdekje. Rezultati është një film ku dënimi me vdekje, përfshirë për të burgosur që nuk kanë vrarë kurrë, merr pamjen e dhimbshme të emocioneve të prekshme të këtyre fëmijëve.

Zëri i Amerikës: Zonja Dones, ju takuat fëmijët e të dënuarve me vdekje. Mesa pashë nga filmi ishin pamje shumë të dhimbshme dhe intervista shumë të dhimbshme...

Elvira Dones: Pikëvështrimi im nuk ishte të bëja diçka të mirëfilltë gazetareske, investigative, thjesht mbi dënimin me vdekje sepse të japësh statistikat është fare kollaj. Ka qenë një nga pasionet e mia prej vitesh. Kam një mikun tim të dënuar me vdekje në Teksas, kështuqë edhe ideja kryesore lindi që aty. Kisha vënë re nga hulumtimet e mia këtu në Shtetet e Bashkuara që për fëmijët nuk ishte bërë diçka e tillë. Në dënimin kapital në SHBA janë disa viktima: së pari, natyrisht ai që është vrarë nga krimi që është kryer, ka një pjesë viktimash që janë ata që janë dënuar me vdekje pa e kryer krimin, sepse janë të pafajshëm pasi janë dënuar nga i ashtuquajturi ligji i grupeve, ose i bandave dhe pastaj një pjesë tjetër e madhe e viktimave janë familjet e të dënuarve me vdekje dhe në këto familje, pikëvështrimi ishin fëmijët: çfarë bëhet me këta fëmijë, ofrojnë shtetet një ndihmë për këta fëmijë, i pyet njeri këta fëmijë? Ata janë po aq të dënuar në një farë mënyre sa edhe baballarët që kanë të dënuar me vdekje. U nisa nga kjo pikë vështrimi për të folur pastaj natyrisht jo vetëm në mënyrë diagonale por edhe të hollësishme për çështjen e dënimit me vdekje në Shtetet e Bashkuara.

Zëri i Amerikës: Në temën që trajtoni ju ka disa shtresa: e para është që kemi të bëjmë me një realitet tjetër në shtetet e Shteteve të Bashkuara ku ekziston dënimi me vdekje, ndërsa në Evropë jo dhe më pas siç thatë edhe ju viktimat e tjera, deri tek fëmijët. Megjithatë ju nuk e prekni të paktën jo direkt anën, ngarkesën politike të dënimit me vdekje...

Elvira Dones: Unë nuk e prek dhe e prek anën politike sepse nëpërmjet asaj akuze në një farë mënyre, akuza del nëpërmjet fytyrave të atyre fëmijëve, të atyre nënave që kanë djemtë e tyre, që kanë bashkëshortët e tyre të dënuar në Teksas nga ligji i grupeve – dhe tani do shpjegoj paksa se ç’është ligji i grupeve – akuza aty del.

Natyrisht unë jam në radhë të parë një rrëfimtare, qoftë nëpërmjet një romani ose imazheve, kështuqë u nisa nga ky pikëvështrimi per të bërë një lloj analize diagonale të çështjes së dënimit me vdekje e cila natyrisht është një çështje shumë e koklavitur, shumë kontroverse në Shtetet e Bashkuara.

Përveç fëmijëve një e dhënë tjetër që edhe këtu në Shtetet e Bashkuara opinioni publik nuk e njeh, është ligji i bandave. Edhe legjislatorët e Teksasit nuk e dinë se ç’është ky ligj dhe abolicionistët ndërkohë vlerësojnë që vetëm në Teksas të jenë rreth 80 të dënuar me vdekje pa kryer asnjëherë një krim. Ligji i grupeve dënon atë njeri i cili rastësisht ka qëlluar me dikë që vret dikë, apo bën një vjedhje dhe të dy këta njerëz si ai që ka kryer krimin edhe tjetri që ka qenë thjesht në makinë dhe nuk ka qenë madje as në vendin ku është kryer krimi, të dy dënohen me vdekje.

Për ne si evropianë, për mua si rrëfimtare, si gazetare, si documentary filmmaker (autore dokumentarësh), natyrisht kjo është diçka jashtë kësaj bote në një farë mënyre. Në Evropë jo vetëm që dënimi me vdekje nuk ekziston por që të ekzistojë logjika e dënimit të dikujt pa kryer krimin, kjo është diçka që shkon edhe përtej mosbesimit tonë.

Kështuqë desha të prekja këto të dyja këto çështje. Pastaj në fund të dokumentarit ka edhe statistika aty-këtu por nuk desha ta ngarkoja me shifra. Ky është një film midis dokumentarit feature, rrëfimtar, psikologjik dhe natyrisht çështja humane e dënimit me vdekje.

Zëri i Amerikës: Sa e vështirë ishte për ju të realizohej sigurisht jo nga ana teknike por duke pasur parasysh ndjeshmërinë e madhe që shkakton një temë e tillë?

Elvira Dones: Në një farë mënyre proçesin e përgatitjes së dokumentarit, e bëra dhe e zhbëra tre herë. Një pjesë e dëshmitarëve që unë kam intervistuar në dokumentar, ishte hera e parë që flisnin para kamerave, kështuqë gjëja më e vështirë është të krijosh besimin e atyre njerëzve, pastaj duhet të kalosh filtrin jo vetëm të atyre vetë, sepse shpesh herë në medja të dënuarve me vdekje, familjarëve të tyre që janë mbrapa murit, mbrapa xhamit të dënuar me vdekje, mediat i përkushtojnë vëmendje dy ditë para ekzekutimit dhe shumë-shumë gjysmë ore mbrapa ekzekutimit, kështuqë përse do të më jepnin mua besim, sepse unë nuk jam një media si gjithë të tjerët që vë mikrofonin poshtë hundës dhe mbledh atë lloj trishtimi atë lloj drame.

Pastaj duhet të kalosh filtrin tjetër, janë avokatët, ka shumë filtra për të kaluar derisa të kesh më në fund besimin dhe miratimin e të gjitha pjesëve, derisa të ulesh pastaj me personazhet dhe të fillosh të flasësh.

Natyrisht mënyra ime e punës ka qenë gjithmonë shumë e rehatshme, për mua është i rëndësishëm njeriu që kam përpara kështuqë përgatitja për çfarëdolloj personazhi që unë kam gjetur fillon shumë muaj përpara derisa ai personazh, derisa ajo familje, derisa ai fëmijë 16 vjeçar, apo 29 vjeçar të më hapet dhe të më japë besimin dhe të më ofrojë dramën e jetës së vet, unë në radhë të parë dua të jem krejtësisht e qetë me veten time, që atë histori po e njoh deri në fund dhe atij personazhi jam duke i dhënë shpirtin më shumë se interesin gazetaresk.

Zëri i Amerikës: Tani në fund diçka për publikun shqiptar. Ju gjithmonë jeni e pranishme me shkrime, me romanet tuaja, me punën tuaj atje, por sigurisht që do të ishte me interes të dinim se cilat janë planet tuaja aktuale për t’i ofruar këtij publiku.

Elvira Dones: Pas një kohe të shkurtër, rreth dy muaj del në gjuhën italiane dhe më pas në shqip i përkthyer romani im i ri që quhet “Një luftë e vogël e përsosur” dhe i dedikohet luftës së Kosovës. Është bazuar me skrupolozitet të madh në 78 ditët e bombardimeve mbi Kosovë dhe Serbi. Ndërkohë kam filluar punën me një roman të ri i cili zhvillohet një pjesë në Shtetet e Bashkuara por personazhi kryesor është personazh shqiptar dhe rreth atij personazhit shqiptar që është në endje midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara ka një pjesë të madhe shqiptarie, janë disa personazhe të tjerë shqiptarë...

Zëri i Amerikës: Nota autobiografike?

Elvira Dones: Jo, absolutisht jo në këtë roman. Natyrisht nota të vogla, spërkatje të vogla, miell të lehtë të autorit në çdo libër ka por jo ngjarjet nuk janë autobiografike. Ose thjesht është autiobiografike njohja e terrenit në Shtetet e Bashkuara, ose vendosja e personazhit për shembull në Romë ose në Torino sepse janë vende që unë kam njohur mirë, por përpos kësaj janë shumë personazhe shqiptare, por sidomos ai kryesor është shqiptar dhe dy të tjerë amerikanë. Ndërkohë jam duke punuar me një vëllim me tregime në gjuhën shqipe, kam shkruar shtatë prej tyre dhe në momentin që do të ndjej se vëllimi me tregime do të jetë i plotësuar dhe çdo gjë që ndodh në Shqipëri ndërkohë jep vetëm material sa më pjellor që të jetë e mundur, për të mirë dhe për të keq për të shkruar për shkrimtarin. Kështuqë materiali nuk mungon. Në momentin që do të jem unë e qetë me cilësinë e atij vëllimi tregimesh do të dalë në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG