Në Egjipt po votohet sot në një proces që besohet gjerësisht se do t’i japë Presidentit Abdel Fattah el-Sissi një tjetër mandat katërvjeçar.
Përballë tij kandidon Moussa Mustafa Moussa, i cili përpara se të futej në garë pati deklaruar mbështetjen e tij për presidentin Sissi.
Disa kandidatë të tjerë ose u arrestuan ose iu kërkua të tërhiqeshin nga gara. Partitë e opozitës kanë bërë thirrje për bojkotim të votimit.
Menjëherë pas hapjes së qendrave të votimit Sissi votoi në një shkollë vajzash në periferi të Kajros dhe nuk bëri asnjë koment lidhur me procesin.
Zgjedhjet zgjasin tre ditë dhe rezultatet përfundimtare pritet të shpallen më 2 prill.
Sissi erdhi në pushtet në vitin 2013, duke rrëzuar presidentin Mohamed Morsi. Më pas në 2014 ai i fitoi zgjedhjet duke marrë 97 përqind të votave.