Autoritetet qeveritare maqedonase shprehin gatishmëri për pranimin e një pjese të afganëve, të cilët kishin punuar për ushtrinë amerikane dhe të koalicionit dhe për organizata të ndryshme ndërmbëtare dhe që e kanë jetën në rrezik tani me marrjen në kontroll të pjesës më të madhe të Afganistanit nga talebanët.
Kryeministri maqedonas Zoran Zaev i tha një televizioni të Shkupit se afganët do të vendosen në hotele dhe motele, ndërsa shpenzimet do t’i mbulojë qeveria amerikane.
“Qeveria njoftoi Shtetet e Bashkuara se jemi në disponim të ndihmojmë për shpëtimin e jetëve të popullatës civile nga Afganistani”, theksoi Zaev.
Ai nuk foli për ndonjë numër që do të strehohej këtu, teksa u shpreh se “Maqedonia e Veriut është vend solidar dhe se populli e shoqëria gjithmonë kanë dhënë mbështetje e ndihma, ashtu siç kemi pranuar ndihma gjatë katastrofave të mëdha”.
Kryeministri Zaev tha se së bashku me SHBA do të planifikohen hapat e mëtejmë për veprimin e pritshëm.
Ndërkohë, në Afganistan ndodhen rreth njëqind shtetat të Maqedonisë së Veriut, me të cilët autoritetet në Shkup po qëndrojnë në komunikim dhe sipas Ministrisë së jashtme, “ata janë jashtë zonave të rrezikut”.
Ministri Bujar Osmani të dielën i ka kërkuar ndihmë homologut të tij turk Mevlut Çaushoglu lidhur me tërheqjen e këtyre shtetasve nga Afganistani.
“Kolegu Çaushoglu ma konfirmoi se në Kabul disponojnë me kapacitete të mjaftueshme logjistike për transferimin e qytetarëve të tyre (turq) dhe se do ta kenë parasysh nëse paraqitet nevoja që të ndihmojnë edhe gjatë tërheqjes së qytetarëve tanë”, thekson ministri Osmani sipas një komunikate të lëshuar nga kabineti i tij.
Ministria e jashtme në Shkup bën të ditur se shtetasit e Maqedonisë së Veriut kanë shkuar në Afganistan përmes kompanive private dhe janë angazhuar me punë atje.