Një kameraman amerikan i infektuar me Ebola është kthyer për mjekim në Shtetet e Bashkuara.
Ashoka Mukpo është amerikani i pestë që diagnostikohet me Ebola. Ai po punonte në Liberi si reporter për rrjetin NBC kur rezultoi pozitiv për Ebola javën e kaluar dhe u kthye në Shtetet e Bashkuara me një avion special. Ai po mjekohet në Qendrën Shëndetësore të Nebraskës.
Në një konferencë për shtyp sot, një zëdhënës i spitalit tha se pacienti Mukpo doli vetë nga avioni dhe më pas e morën me barrelë për ta dërguar në spital.
Mjeku amerikan Rick Sacra, i cili gjithashtu u infektua me Ebola në Liberi, u mjekua në Nebraska dhe tani është nxjerrë nga spitali.
Në Dallas të Teksasit, Thomas Eric Duncan, i cili u kthye në Shtetet e Bashkuara nga Liberia dhe më pas shfaqi simptomat e Ebolas, është në gjendje kritike, që pas shtrimit në spital më 28 shtator.