Lidhje

Rusët e Donetskit e shohin Putinin si të vetmen shpresë


Duke folur dje para Dhomës së Lartë të Parlamentit rus, Presidenti Vladimir Putin tha se nuk ka si synim të ndajë Ukrainën por se banorët me etni ruse në rajonet lindore të Ukrainës thonë se duan të bashkohen me federatën ruse, ashtu siç bëri Krimea. Është një mbrëmje e akullt në sheshin Lenin të Donetskit, por i ftohti nuk e ka penguar një turmë të vogël të mbajë protesta prej javësh kundër qeverisë së re të Kievit. Ata thonë se duan të ndjekin shembullin e Krimesë, duke u shkëputur nga Ukraina, për t’u bashkuar me Federatën ruse.

“Qeveria e Kievit po i varfëron të gjithë dhe banorët e Ukrainës Lindore nuk mund të jetojnë më duke pasur këta politikanë në kryeqytet”, thotë 72 vjecari Denis.


“Unë do të doja që Donetski të mbetej pjesë e Ukrainës, por banorët e etnisë ruse janë të detyruar t’i kërkojnë ndihmë zotit Putin sepse politikanët në Kiev nuk pyesin për lindjen e Ukrainës dhe mendojnë vetëm për veten”, thotë Vera 62 vjecare.


Donetsku është në zemër të fushës së qymyrit të Donbassit dhe është një nga qytetet e mëdha industriale të Ukrainës. Aktivistët që kanë dalë në sheshin Lenin, po kërkojnë lirimin e një aktivisti që e quajti veten për një kohë të shkurtër “guvernator i popullit” i rajonit, këtë muaj.

Ata gjithashtu vlerësojnë veprimet e separatistëve rusë në Krime, që sulmuan një bazë marine ukrainase në qytetin Sevastopol të Krimesë. Kjo ndodhi një ditë pasi udhëheqësit e Krimesë nënshkruan një traktat me Rusinë për përfshirjen e gadishullit në Federatën Ruse, pas një referendumi shumë të diskutueshëm.

Udhëheqësit e rinj të Ukrainës po shqetësohen gjithnjë e më shumë për protestat në Ukrainën Lindore ku banon një numër i madh personash me etni ruse. Protestat janë intensifikuar dhe gjatë fundjavës, dhuna shpërtheu kur mbi 5 mijë protestues por-rusë dolën në qendër të Donetskit duke thyer dyer dhe dritare dhe duke hyrë me forcë në godina qeveritare.

Tre vetë kanë vdekur në protestat e kohëve të fundit në Ukrainën lindore.

Politikanët e Kievit pretendojnë se Moska ka dërguar elementë provokatorë rusë për të shkaktuar një situatë të nderë, një akuzë që është mbështetur edhe nga Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry. Kremlini e mohon një gjë të tillë dhe ka paralajmëruar se është i gatshëm të dërgojë forcat e grumbulluara në kufi për të mbrojtur qytetarët me përkatësi etnike ruse, arsyeja fillestare që Moska dha për marrjen nën kontroll të Krimesë.

Aktivistët pro-Rusë i mohojnë këto pretenedime duke treguar pasaportat ukrainase si provë që janë nga Donetski. Udhëheqësit e rinj të vendit, që zëvendësuan Presidentin Viktor Yanukovych, të përmbysur në shkurt, pas protestave kundër tij, po përpiqen të zbusin tensionet, duke ofruar reforma.

Ata kanë premtuar më shumë decentralizim, duke ruajtur njëkohësisht tërësinë e Ukrainës, një sistem që u jep rajoneve, qyteteve dhe distrikteve pushtet të gjerë dhe fondet e nevojshme për zhvillimin e tyre.

Por nja nga veprimet e para të parlamenti të Ukrainës pasi Yanukovych shkoi në Rusi, ende shkakton pasiguri në këtë rajon. Ligjvënësit shfuqizuan një ligj që i lejonte rajonet të përdornin rusishten si gjuhë të dytë zyrtare. Presidenti në detyrë i vuri veton shfuqizimit por banorët me përkatësi etnike ruse e përdorin atë si argument që tregon se çfarë mendon Kievi për ta.

“Është shumë vonë për reforma. Donetski duhet të jetë pjesë e Federatës Ruse dhe ky do të ishte skenari më i mirë”, thotë Artyom, një biznesmen 36 vjecar.

Megjithë sinjalet e Presidentit Putin se ai nuk ka më planë për ndërhyrje në territorin ukrainas, ukrainasit druhen se ai mund të jetë duke u përgatitur për më shumë rrëmbim territori në zona me shumicë ruse.
XS
SM
MD
LG