Lidhje

Dodik: Në bisedimet Serbi-Kosovë të përfshihet edhe statusi i serbëve të Bosnjes


Bosnia and Herzegovina, Milorad Dodik
Bosnia and Herzegovina, Milorad Dodik

Ndërsa diplomatët perëndimorë përpiqen të rigjallërojnë bisedimet e ngecura për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, udhëheqësit serbë të Bosnjës i bënë presion të enjten Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç për të përfshirë statusin e rajonit të tyre në negociatat e ardhshme.

Serbia nuk e njeh deklaratën e pavarësisë së Kosovës të vitit 2008. Por Bashkimi Evropian i ka kërkuar Beogradit ta bëjë njohjen si parakusht për hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e ardhshëm të Serbisë në BE.

Bisedimet midis dy palëve, të ndërmjetësuara nga Gjermania, Franca dhe diplomatët e Bashkimit Evropian, rifilluan këtë muaj pas ndërprerjes gati dy vjet më parë.

"Ne jemi shumë të interesuar për bisedimet që lidhen me statusin e Kosovës," tha Milorad Dodik, anëtari serb i presidencës trepalëshe të Bosnjës, në një konferencë shtypi me zotin Vuçiç në Banja Llukë, kryeqyteti de fakto i rajonit serb në Bosnje.

"Duhet të bëhet pjesë e diskursit publik se është e pamundur të flitet për një status të veçantë të Kosovës pa folur për një status të veçantë të Republikës Serbe të Bosnjes,” tha zoti Dodik, një nacionalist pro-rus që ka bërë vazhdimisht thirrje për shkëputjen e rajonit serb nga Bosnja.

Lufta e viteve 1990 në Bosnje në të cilën humbën jetën më shumë se 100 mijë njerëz, përfundoi me marrëveshjen e paqes të Dejtonit, e ndërmjetësuar nga SHBA, e cila e ndante vendin në Republikën Serbe të mbizotëruar nga serbët dhe një Federatë të mbizotëruar nga boshnjakët dhe kroatët, të cilët lidhen përmes një qeverie qendrore të dobët.

Sipas klauzolave të marrëveshjeve të Dejtonit, asnjë rajon nuk mund të shkëputet në mënyrë të njëanshme nga Bosnja.

Presidenti Vuçiç, i cili mban lidhje të ngushta me serbët e Bosnjës, por që gjithnjë nënvizon respektin e Serbisë për integritet territorial të Bosnjës, tha se detyra e tij është të dëgjojë vëllezërit e tij serbë dhe t’i ndihmojë ata në çfarëdo mënyre që mundet.

"Dejtoni është një marrëveshje e shenjtë për ne. Ne jemi garantues i zbatimit të marrëveshjes së paqes në Dejton," tha zoti Vuçiç, i cili është nën presionin ndërkombëtar për të normalizuar marrëdhëniet me Kosovën, ndërsa përballet me protesta kundër qeverisë në vend.

Ai premtoi 100 milion euro për të ndihmuar Republikën Serbe të ndërtojë një pjesë të rrugës që lidh qytetin lindor të Bijelinës me kufirin serb dhe shtoi se Serbia po shikon mundësinë e ndërtimit të një aeroporti në qytetin juglindor të Bosnjës, Trebinjë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG