MOSKË - Diplomati i dytë më i lartë amerikan përmbylli sot në Moskë bisedime me zyrtarët më të lartë rusë, në përfundim të një vizite dyditore që synonte përafrimin e qëndrimeve për krizën politike në zhvillim në Bjellorusi, si dhe për sëmundjen e papritur të një opozitari kryesor rus nga ajo që duket se ishte një substancë helmuese.
Vizita e Zëvendës Sekretarit të Shtetit Stephen Biegun në kryeqytetin e Rusisë përfaqëson një përpjekje të shtuar të Shteteve të Bashkuara për të gjetur një zgjidhje paqësore në Bjellorusi, ku mijëra demonstrues vazhdojnë të protestojnë rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të 9 gushtit, të cilat diktatori bjellorus Alexander Lukashenko pretendon se i ka fituar me diferencë të madhe.
Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur pikëpyetjet e ngritura nga protestuesit për ndershmërinë e procesit të numërimit të votave dhe kanë kritikuar shfaqjen e rasteve të shumta të rrahjeve dhe torturave ndaj demonstruesve të ndaluar.
Megjithatë, përpara zhvillimit të bisedimeve me Ministrin e Jashtëm rus Sergey Lavrov, zoti Biegun sinjalizoi se Uashingtoni nuk mirëpret përpjekjet e zotit Lukashenko për ta portretizuar ngërçin zgjedhor si një përplasje mes Lindjes dhe Perëndimit, gjë që mund të sillte përfshirjen e Rusisë.
"I bëjmë thirrje qeverisë së Bjellorusisë të pranojë ofertën e kryetarit të OSBE-së për të ndërmjetësuar dialogun dhe për të angazhuar të gjitha palët", tha zoti Biegun gjatë një ndalese më herët këtë javë në Vilnius të Lituanisë. "Shtetet e Bashkuara nuk munden dhe nuk do të vendosin kursin e ngjarjeve në Bjellorusi. Kjo është e drejta e popullit bjellorus".
Përpara takimeve me zotin Biegun, Ministri i Jashtëm rus Lavrov këmbënguli se Rusia synon të nxisë një "dialog të gjerë kombëtar" në Bjellorusi, por duket se mban anën e qeverisë në Minsk rreth kërkesave të protestuesve për zgjedhje të ndershme.
Zoti Lavrov ka thënë se thjesht nuk ekziston mënyra për të mësuar nëse zoti Lukashenko fitoi apo jo, për shkak të mungesës së vëzhguesve ndërkombëtarë. Ministri i jashtëm ka kritikuar gjithashtu opozitën se kërkon "gjakderdhje" dhe se ka "mbështetjen e perëndimit".
Zoti Lukashenko i ka bërë haptazi thirrje Kremlinit të ndihmojë në shpëtimin e regjimit të tij 26-vjeçar mes një vale protestash - duke këmbëngulur se vendet aleate të NATO-s përgjatë kufirit të Bjellorusisë po bashkëpunonin me opozitën për të rrëzuar qeverinë e tij.
Në përgjigje, Kremlini ka ofruar një premtim të vakët për t'i ardhur në ndihmë, bazuar në një traktat të mbrojtjes së ndërsjellë "nëse është e nevojshme".
Ndërsa bisedimet ishin duke u zhvilluar, Ministri i Jashtëm rus Lavrov lëshoi një deklaratë duke paralajmëruar Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian kundër vendosjes së sanksioneve ose presionit politik ndaj vendit fqinj dikur pjesë e Bashkimit Sovjetik.
"Rusia paralajmëron Shtetet e Bashkuara dhe BE-në ndaj çdo forme të ndërhyrjes në punët e brendshme të Bjellorusisë, përfshirë thirrjet e dëgjuara aktualisht në disa kryeqytete për manifestime antiqeveritare", tha ai.
Nga ana tjetër, zoti Biegun "dënoi ushtrimin e dhunës kundër popullit bjellorus dhe shprehu mbështetje për sovranitetin e Bjellorusisë dhe të drejtën e popullit për vetëvendosje", tha një zëdhënëse e ambasadës në një mesazh në Twitter.
Para se të mbërrinte në Moskë, zoti Biegun u takua me udhëheqësen e opozitës bjelloruse dhe kundërshtaren kryesore të zotit Lukashenko në zgjedhje, zonjën Sviatlana Tsikhanouskaya, e cila u largua për në Lituani mes kërcënimeve që pretendon se janë bërë ndaj familjes së saj nga forcat e sigurisë së zotit Lukashenko.
Zonja Tsikhanouskaya ka këmbëngulur se ajo ishte fituesja e vërtetë e një procesi zgjedhor që ka pak lidhje me zgjedhjen midis Rusisë apo Perëndimit.
"Është një revolucion demokratik", tha zonja Tsikhanouskaya në komentet e fundit. "Është përpjekja e kombit që të vendosë vetë".
Një helmim misterioz
Zoti Biegun shprehu gjithashtu shqetësimin e Shteteve të Bashkuara për shëndetin e Alexey Navalny-it, politikanit kryesor të opozitës ruse, i cili u sëmur papritur javën e kaluar në bordin e një avioni që udhëtonte nga Siberia drejt Moskës.
Zoti Navalny është evakuar tashmë nga qyteti rus Omsk drejt Berlinit, ku mjekët gjermanë thonë se ekzaminimet fillestare sugjerojnë se ai ishte helmuar me një lloj frenuesi të kolinesterazës.
"Nëse të dhënat vërtetohen, Shtetet e Bashkuara mbështesin thirrjen e BE-së për një hetim gjithëpërfshirës dhe janë të gatshëm të ndihmojnë në atë përpjekje", tha Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo në një deklaratë të publikuar të martën.
"Familja e zotit Navalny dhe populli rus meritojnë të shohin kryerjen e një hetimi të plotë dhe transparent, dhe që personat e përfshirë të mbajnë përgjegjësi", thuhet më tej në deklaratën e Sekretarit Pompeo.
Kremlini tha të martën se nuk kishte nevojë të hetonte rrethanat e sëmundjes së zotit Navalny - duke thënë se konkluzionet e laboratorit gjerman që sugjeronin për një helmim ishin të parakohshme.
Specialistët rusë në Omsk që u ngarkuan me kujdesin fillestar mjekësor për zotin Navalny, këmbëngulin se ata nuk gjetën evidencë helmimi gjatë testeve.
Ministria e Jashtme e Rusisë lëshoi gjithashtu një deklaratë që shprehte zemërim të drejtpërdrejtë ndaj zotit Biegun që ngriti çështjen e zotit Navalny gjatë kohës që ishte në Moskë.
"I shohim thellësisht fyese akuzat nëpër kryeqytetet perëndimore se kishte një përpjekje për të 'fshehur të vërtetën' nga mjekët në Omsk, të cilët i siguruan zotit Navalny një kujdes të menjëhershëm dhe shumë profesional", lexohet në deklaratë.
"Për më tepër, shpejtësia e dyshimtë me të cilën Uashingtoni dhe Brukseli kanë pranuar versionin e një helmimi të Navalny-it, u soll në vëmendjen e bashkëbiseduesit tonë amerikan", vazhdon deklarata. "Është e pashmangshme pyetja - kush përfiton nga kjo? Udhëheqja ruse sigurisht që jo”.
Kryetari i dhomës së ulët të parlamentit rus, Duma, zoti Vyacheslav Volodin, ka bërë thirrje për një hetim që do të përqëndrohej tek aspekti nëse fuqitë e huaja armike kanë kryer sulmin ndaj zotit Navalny për të njollosur imazhin e Rusisë.
Rusia moderne ka një historik helmimesh dhe sulmesh ndaj personave që perceptohen si kritikë të qeverisë.
Megjithë dallimet e mëdha në qëndrime për sëmundjen e zotit Navalny, vizita e zotit Biegun gjithashtu përfshiu bisedime mbi kontrollin e armëve dhe bashkëpunimin me Moskën për të përmbajtur ambiciet bërthamore të Koresë së Veriut.
Të mërkurën, zoti Biegun u takua gjithashtu me përfaqësues nga shoqëria civile për të shprehur mbështetjen e vazhdueshme amerikane për të drejtat e njeriut dhe zërat e pavarur në Rusi, sipas zëdhënëses së ambasadës amerikane.
Facebook Forum