Shirley Dioguardi, eksperte juridike e çështjeve të Ballkanit, thotë se udhëheqja e Kosovës nuk duhet të shkojë në bisedime me Beogradin nëse Serbia nuk njeh më parë pavarësinë e Kosovës. Zonja DioGuardi mendon se akuzat e fundit të europarlamentarit Dik Marti janë pjesë e një fushate të orkestruar nga Serbia që ka si qëllim të fundit marrjen e veriut të Kosovës. Zonja Dioguardi punon pranë Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane në Nju Jork.
Zëri i Amerikës: Zonja Dioguardi, a mendoni se raporti i Dik Martit drejtohet kundër pavarësisë së Kosovës apo është thjesht një kërkim i së vërtetës?
Shirley Dioguardi: Nuk mund të them aspak se është një kërkim i së vërtetës. Është pikërisht e kundërta. Akuzat e tij drejtohen kundër Kosovës, janë një përpjekje për të diskredituar shqiptarët, për të kriminalizuar UÇK-në si dhe një përpjekje tjetër që nga mabrimi i luftës më 1999, për të krijuar një parodi false mes autorëve të krimeve dhe viktimave. Sepse mendoni, u zhvendosën 4 milion njerëz, 200 mijë njerëz u vranë, myslimanë të Bosnjes dhe shqiptarë të Kosovës.
Zëri i Amerikës: Pra për ta përmbysur tablonë?
Shirley Dioguardi: Po. Si dhe për të thënë se të gjithë duhen fajësuar njëlloj. Në fakt, sapo mbaroi lufta, makina e propagandës serbe filloi të krijionte nocionin se problemi ishin kosovarët dhe boshnjakët, pra të gjithë kishin gisht në atë që ndodhi në Ballkan.
Zëri i Amerikës: Por si mund ta dimë nëse Dik Marty ishte pjesë e asaj makine?
Shirley Dioguardi: Këtë mund ta shikosh qartë në raportin e tij, i cili është i mbushur me përgjithësime. Ai krijon një tabllo sikur kosovarët, jo vetëm kryeministri Hashim Thaçi apo UÇK-ja, por sikur shqiptarët janë pjesë e një shoqërie klanesh, sikur të gjithë ata janë të përfshirë në trafiqe droge dhe krim të organizuar. Së dyti mënyra se si e paraqiti ai raportin përpara botës. Ai e zbuloi atë në Rusi dhe në Serbi por kurrë nuk ia paraqiti kërkimet që po bënte që nga viti 2008, ndonjë institucioni ndërkombëtar. Çështja tjetër që duhet të mendojmë është kjo: A mund ta besojmë ne pohimin e tij se Kombet e Bashkuara, NATO-ja, Bashkimi Evropian, qeveria amerikane, udhëheqja shqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë, pra a mund të besohet se të gjithë këta ia dolën ta fshehin për vite me radhë këtë informacion nga Dik Marti dhe nga prokurorja e Hagës karla del Ponte?
Zëri i Amerikës: Çështja që shtrohet tani është se si duhet të hetohen këto akuza?
Shirley Dioguardi: Dik Marti ka filluar të tërhiqet pak. Arsyeja është se ai po zbulon veten. Barra e provës tani bie mbi të. Ne nuk duhet të shqetësohemi për këtë. Ata le ta fillojnë hetimin. Mendoj se do të ishte gabim që shqiptarët të mendojnë se këtu duhet të përqendrohet vemendja jonë. Vemendja jonë duhet të përqendrohet te ajo që ndodhi pas korrikut 2010, kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë u shpreh se pavarësia ishte e ligjshme, pra që Kosova ishte vend sovran.
Zëri i Amerikës: Pra ju mendoni se koha që u zgjodh ishte problemi?
Shirley Dioguardi: Jo vetëm koha që u zgjodh por mendoj se kjo ishte pjesë e një përpjekjeje më të madhe. Pra, sapo Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësi dha opinionin e saj, u hodh ideja e bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit. Na u tha se nuk duhet të shqetësohemi pasi bisedimet nuk kanë lidhje me statusin e Kosovës. Nuk jam aspak dakord, sepse çështja ka të bëjë pikërisht me statusin e Kosovës. Ka një këmbëngulje që këto bisedime të reja të bëhen sepse përpjekjet e Beogradit që nga mbarimi i luftës kanë patur një qëllim të vetë, nuk kanë qenë për të marrë të gjithë Kosovën por për të marrë veriun. Ato që kemi parë duke filluar nga muaji korrik dhe tani me raportin Dik Marti, kanë patur si qëllim të dobësonin udhëheqjen politike të Kosovës, pra udhëheqjen politike që do të shkojë në këto bisedime. Prandaj unë mendoj se është koha të ngulet këmbë se udhëheqja e Kosovës nuk do të shkojë në këto bisedime nëse Serbia nuk njeh më parë pavarësinë e Kosovës.
Zëri i Amerikës: Pra ju nuk shikoni ndonjë bazë për të shkuar në këto bisedime?
Shirley Dioguardi: Por çfarë do të zgjidhej në këtë bisedime?
Zëri i Amerikës: Çështje praktike për shembull...
Shirley Dioguardi: Por cilat mund të ishin këto çështje praktike? Çështja e parë që do të shtrohej në tryezë do të ishte situata në veri. Mendoj se komuniteti ndërkombëtar, në vend që t’i kërkonte Prishtinës dhe Beogradit të shkonin në këtë rrugë, duhet të pyesë vetveten: përse nga çasti kur Kosova u bë e pavarur veriu doli jashtë kontrollit. Ata që kishin klidhje me strukturat paralele filluan të djegin pikat doganore dhe gjykatat apo ndërtesat e policisë. Ne atje kemi parë vetëm veprimtari të paligjshm. Për vite me radhë perëndimi e la pas dore këtë. Ndërsa tani po u kërkojnë shqiptarëve të bëjnë më shumë lëshime. Përsa i përket akuzave të Dik Martit, pyetja që do t’u shtroja unë udhëheqësve shqiptarë të Kosovës është: ku ishit ju gjatë këtyre tre vjetëve kur akuzat u ngritën për herë të parë. Përse nga ana e shqiptarëve të Kosovës dhe të shqiptarëve kudo në botë nuk pati një përpjekje të përbashkët për të thënë se edhe ne do të shprehim pikëapmajen tonë?
Zëri i Amerikës: Pra ju mendoni se ata e nënvlerësuan këtë?
Shirley Dioguardi:Jo vetëm që e nënvlerësuan por nuk bënë asgjë në nivelin e marrëdhënieve publike dhe të diplomacisë për të paraqitur pikëpamjen shqiptare të konfliktit ballkanik, për të sjellë të vërtetën në këtë diskutim. Pra, Beogradi u lejua ta vazhdonte luftën me mjete të tjera.
Zëri i Amerikës: Si mund t’i shkohet të vërtetës deri në fund?
Shirley Dioguardi: Nuk mendoj se e vërteta është diçka që duhet kërkuar. Ne kemi parë të njëjtin model që përsëritet vazhdimisht, madje qysh nga shpallja e pavarësisë në shkurt 2007. Por edhe udhëheqësit e shqiptarëve të Kosovës duhet të shikojnë veten e tyre në pasqyrë.
Zëri i Amerikës: Çfarë pyetje duhet t’i bëjnë ata vetvetes?
Shirley Dioguardi: Në këtë moment ka rëndësi që edhe shqiptarët të shikojnë veprimet e tyre. Do të përmendja dy aspekte. Njëri është korrupsioni, i cili është diçka reale. Pohimet se udhëheqja e lartë është e ndërlikuar në trafikun e heroinës, natyrisht kjo është absurde sepse nuk ka prova. Por ne e dimë se ka korrupsion brenda qeverisë, se udhëheqësit po e pasurojnë veten dhe nuk po shikojnë nga e mira e përbashkët. Sepse është e papranueshme që në Kosovë të ketë 45 përqind papunësi. E dyta është puna që duhet bërë përsa i përket marrëdhënieve me publikun. Sepse shqiptarët nuk kanë patur një fushatë të organizuar në këtë aspekt dhe i kanë lejuar serbët të thonë ç’të duan.
Zëri i Amerikës: Pra, a mendoni se tani që do të formohet qeveria e re Kosova ka rastin të rishikojë diplomacinë e saj dhe në çfarë nivelesh?
Shirley Dioguardi: Patjetër dhe në të gjitha nivelet. Për mendimin tim është koha që udhëheqja shqiptare ta kuptojë për shembull se nuk mund të shftrytëzohet çështja e emërimit të ambasadorëve për interesa politike. Në Kosovë ka shumë e shumë njerëz të talentuar dhe inteligjentë, mjaft të edukuar që janë në gjendje të paraqesin mirë Kosovën. Por le të mos harrojmë se asnjëherë nuk është vonë për të ndryshuar.