Lidhje

Ndërgjegjësimi për dhunën me armë zjarri në SHBA


Në Shtetet e Bashkuara që nga e premtja kanë vazhduar aktivitete për të tërhequr vëmendjen mbi dhunën me armë. Dje u shënua Ditën e Ndërgjegjësimit ndaj Dhunës me Armë. Me këtë rast njerëz në të gjithë vendin përqafuan nismën “Vishuni me Portokalli”, në shenjë solidariteti për t’i dhënë fund dhunës me armë, dhe për të nderuar të mbijetuarit e sulmeve.

Një det portokalli këtu në Uashington, në Parkun Anacostia. U mblodhën aktivistë, politikanë dhe anëtarë të komunitetit që kërkojnë të nderojnë të mbijetuarit e dhunës me armë.

“Dhe është për të rritur ndërgjegjësimin për dhunën me armë, për të cilën dimë që aktualisht është në nivele të papranueshme në vendin tonë, në qytetet tona, në komunitetet tona. Veçanërisht në Uashington, kemi parë një rritje kohët e fundit. Fundjavën e kaluar, 14 vetë u qëlluan me armë zjarri, katër prej tyre humbën jetën,” thotë Sarah Dachos, një nga organizatorët e aktivitetit.

Nisma “Vishuni me Portokalli” u krijua pas vdekjes së një vajze 15 vjeçare në vitin 2013, një javë pasi ajo kishte interpretuar gjatë aktiviteteve me rastin e inaugurimit të dytë të presidentit Obama.

Shokët e klasës zgjodhën të nderonin jetën e saj duke u veshur me portokalli, ngjyra që zgjedhin gjuetarët në pyll që të mos bien viktimë e zjarrit të të tjerëve.

“Isha në skenën e një krimi me armë zjarri para ca ditësh. Pashë në rrugë një palë pantallona të përgjakura. Gjaku nuk ishte pastruar ende nga trotuari dhe banorët e lagjies kalonin indiferentë. Kjo më tregon se kjo situatë është bërë aq e pranueshme dhe kjo në vetvete është e papranueshme,” thotë Charles Allen, anëtar i këshillit bashkiak të Uashingtonit.

Për të qenë e suksesshme, një nismë duhet të shtyjë përtej ndërgjegjësimit dhe të fokusohet në rezultate, sipas profesores Stef Woods të Universitetit Amerikan.

“Fakti që nga sulmi në Parkland, 14 shtete kanë shtrënguar ligjet ekzistuese ose kanë miratuar ligje për kontrollin e armëve dhe 19 kompani kanë ndërprerë lidhjet me Shoqatën Kombëtare të Armëve (NRA), tregon se kemi arritur një pikë kthese. Por si mund ta vazhdojmë këtë lëvizje? Duhet të përqëndrohemi në rezultate”.

Grumbullimi në Anacostia përfshinte një tavolinë ku njerëzit mund të regjistroheshin për të votuar, dhe aspirantë të politikës ishin prezentë për të diskutuar iniciativat e tyre. Por për disa pjesëmarrës, ndjenja e komunitetit ishte më e rëndësishmja.

“Unë mendoj se kjo, në disa mënyra, është një ngjarje festive, ndërsa puna që bëjmë nga ana tjetër është shumë e organizuar, e fokusuar, përfshin lobim. Por këtu, na jepet një shans për të krijuar lidhje me njëri-tjetrin” thotë Tamar King, i mbijetuar i një sulmi me armë zjarri.

Kjo ngjarje ishte një prej qindra aktiviteteve, tubimeve dhe marshimeve të mbajtura që nga e premtja e deri sot kudo nëpër Shtetet e Bashkuara.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG