Lidhje

Departamenti amerikan i Shtetit: Shqipëria ka shënuar përparim në luftën kundër drogës


Departamenti amerikan i Shtetit: Shqipëria ka shënuar përparim në luftën kundër drogës
Departamenti amerikan i Shtetit: Shqipëria ka shënuar përparim në luftën kundër drogës

Departamenti i Shtetit botoi sot raportin vjetor për luftën kundër trafikut ndërkombëtar të drogës. Raporti i hedh një vështrim vendeve kryesore të prodhimit të drogës, atyre që shërbejnë si vende tranziti si dhe vendeve që e përpunojnë drogën.

Shqipëria ka bërë përparim në luftën kundër drogës gjatë vitit 2010. Ky është përfundimi i përgjithshëm i Departamentit të Shtetit në raportin e tij vjetor mbi problemin e narkotikëve në botë. Qeveria e Shqipërisë, thekson raporti, u përpoq gjatë vitit të kaluar të konfrontonte elementët kriminalë në luftën kundër këtij problemi. Megjithë përparimin, problemi i narkotikëve vazhdon të jetë një sfidë e mprehtë dhe prezente në Shqipëri, një vend që kryesisht shërben për tranzitin e drogës nga Azia për në tregun evropiano-perëndimor. Në analizën e tij, Departamenti i Shtetit veçon si probleme kryesore kontrollin e dobët në portet detare në Adriatik, të metat në kontrollin e kufirit tokësor, masat e autoriteteve kundër drogës kryesisht si rezultat i mungesës së fondeve dhe menaxhimit të dobët, por edhe si rezultat i korrupsionit që ekziston në radhët e punonjësve të rendit.

Raporti i Departamentit të Shtetit thekson se kontrabanda e drogës mbetet një ndër aktivitetet më fitim-prurëse në Shqipëri. Vendndodhja strategjike e Shqipërisë dhe problemet në kontrollin dhe parandalimin e problemit e bëjnë këtë një vend tërheqës në tranzitin e drogës drejt Evropës. Shqipëria, thuhet në raport shërben si një vend tranzit i heroinës afgane dhe si vend burim i marijuanës kryesisht drejt Italisë dhe Greqisë. Raporti vlerëson përpjekjet e vitit të kaluar për t’iu përgjigjur problemit me politika më agresive. Si rezultat i këtyre politikave, një pjesë e mire e kontrabandës që bëhej përmes Adriatikut ka kaluar tani në rrugë tokësore përmes Kosovës dhe Malit të Zi e mëtej përtej Serbisë. Një problem i ri që konstaton raporti është se trafikantët shqiptarë duket se po marrin një rol gjithnjë e më të madh në financimin dhe shpërndarjen e heroinës jashtë Shqipërisë, veçanërisht në Ballkanin verior dhe Evropën Perëndimore.

Përveç tranzitit, Shqipëria ka vazhduar të shërbejë edhe vitin e kaluar si prodhuese e bimës kanabis, kryesisht në zonat e largëta malore për tregjet evropiane. Kultivimi i kësaj bime ra ndjeshëm me intensifikimin e përpjekjeve të forcave të rendit si kundër trafikantëve, ashtu edhe kundër prodhuesve. Me përjashtim të kanabis sativas, prodhimi i llojeve të tjera të narkotikëve është i kufizuar. Gjatë vitit 2010 nuk është konstatuar kultivim i lulëkuqeve të heroines dhe nuk janë zbuluar laboratorë të prodhimit të lëndëve sintetike narkotike.

Raporti i Departamentit të Shtetit ndalet edhe tek problemi i varësisë nga droga. Në një fare shkalle, si rezultat i historisë së saj si vend i varfër, dhe i izoluar, përdorimi i drogës brenda vendit është i ulët, por qeveria dhe shoqëria thuhet në raport, janë treguar të ngadalshëm për të vepruar ndaj këtij problemi të ri që po lind. Megjithëse ky është një fenomen relativisht i ri për Shqipërinë, problemi qëndron në mungesën e vëmendjes. Shqipëria, si një vend me sfida të shumta sociale, që nga papunësia, ritmet e larta të krimit e mungesa e infrastrukturës institucionale, nuk arrin t’u kushtojë vëmendjen dhe burimet e duhura informacionit kundër drogës dhe përpjekjeve për rehabilitimin e përdoruesve të drogës.

Megjithë vështirësitë, raporti pohon një numër arritjesh në luftën kundër drogës. Departamenti i Shtetit vlerëson faktin që qeveria e Shqipërisë ka rritur nivelin e përparësisë të luftës kundër krimit të organizuar dhe drogës duke u dhënë forcave të rendit një rol më të madh në operacionet anti-drogë. Ambicjet e Shqipërisë gjatë viteve të fundit për t’u përfshirë në regjimin e lëvizjes pa viza në zonën Shengen ishte një ndër faktorët që nxiti autoritetet të zbatojnë reforma të reja që kanë sjellë përparim. Por raporti nënvizon se karakteri fraksional i politikës në Shqipëri dhe niveli i ulët i aktivitetit të shoqërisë civile janë ndër pengesat për një përparim më të madh.

Në raportin e Departamentit të Shtetit thuhet se forcimi I institucioneve qeveritare dhe masave të forcave të rendit ka dhënë efekte positive, por përparimi ka qenë i ngadaltë. Shtetet e Bashkuara, së bashku me Bashkimin Evropian dhe partnerët ndërkombëtarë, thekson raporti, do të vazhdojnë të punojnë me qeverinë e Shqipërisë për të luftuar trafikun e drogës, për të shfrytëzuar në mënyrë efektive ndihmën e dhënë për organet e rendit dhe për të mbështetur reforma ligjore.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG