Lidhje

Dënohet ashpër përdhosja e varrezave hebraike në Prishtinë


Dënohet ashpër përdhosja e varrezave hebraike në Prishtinë
Dënohet ashpër përdhosja e varrezave hebraike në Prishtinë

Në Kosovë, autoritetet më të larta të vendit, dënuan sot incidentin në varrezat hebraike në Prishtinë duke bërë thirrje për vënien sa më parë para drejtësisë të përgjegjësve të cilët kishin vizatuar kryqin e thyer nazist mbi to.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga nëpërmjet një komunikate ka vlerësuar se “dëmtimi i varrezave paraqet një akt në kundërshtim të plotë me traditat e vlerat e popullit të Kosovës, të mbështetura në tolerancë dhe respekt të plotë për të gjithë të vdekurit dhe të gjitha monumentet. Ky akt i dëmtimit të varrezave të hebrenjve, ndaj të cilave qytetarët dhe institucionet e Kosovës kanë treguar përkujdesje të veçantë, është në kundërshtim edhe me qëndrimin e popullit shqiptar, i cili, edhe në periudhat më të rënda, i ka dalë në mbrojtje hebrenjve”, thuhet në deklaratën e presidentes Jahjaga.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka cilësuar këtë incident si një “sulm qyqar që është një sulm kundër shtetit të Kosovës dhe mbi të gjitha është kundër vlerave të traditës së qytetarëve të Kosovës për tolerancë, bashkëjetesë dhe respekt, që është kultivuar gjatë gjithë historisë së saj”.

Edhe zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli ka theksuar se akte të tilla nuk i përkasin shoqërisë së Kosovës dhe nuk përfaqësojnë atë.

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në një komunikatë ka theksuar se “dëmtimi i varrezave paraqet një akt jo njerëzor dhe në kundërshtim të plotë me vlerat e tolerancës fetare që i karakterizon qytetarët e Kosovës. Populli shqiptar në kohërat më të errëta të njerëzimit jo vetëm që nuk ka qenë diskriminues, por ka treguar ndjenja të fuqishme vëllazërore ndaj hebrenjve”, thuhet në reagimin e zotit Krasniqi.

Incidenti është dënuar mbrëmë edhe nga Ambasada amerikane në Prishtinë e cila ka theksuar se “kjo vepër e urrejtjes përbën fyerje jo vetëm ndaj familjeve të të varrosurve aty dhe ndaj komunitetit hebraik në Kosovë dhe përtej, por po ashtu është fyerje ndaj shtetit dhe shoqërisë shumetnike të Kosovës. Kjo është një vepër e përbuzjes së normave më themelore të tolerancës, bashkëjetesës dhe respektit dhe nuk mund të tolerohet”, thuhet në komunikatë.

Në qershor të këtij viti, studentët e Universitetit Amerikan në Kosovë ishin përfshirë në një projekt të restaurimit të varrezave hebraike. Ambasada në reagimin e saj e vlerëson incidentin “si sulm ndaj veprës së tyre të miqësisë dhe vullnetarizmit”.

Nuk është dhënë ende ndonjë hollësi nga organet e rendit lidhur me këtë incident.

XS
SM
MD
LG