Lidhje

Dell: “Ideja e ndarjes së Kosovës - pasqyrim i mungesës së imagjinatës në Beograd”


Dell: “Ideja e ndarjes së Kosovës - pasqyrim i mungesës së imagjinatës në Beograd”
Dell: “Ideja e ndarjes së Kosovës - pasqyrim i mungesës së imagjinatës në Beograd”

Ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell tha në një intervistë për Zërin e Amerikës, se idetë e Beogradit për ndarjen e Kosovës janë të tejkaluara. Ai tërheq vërejtjen se interesat e Beogradit janë të ndryshme nga serbët në veriun e Kosovës, të cilëve duhet krijuar hapësirë për të punuar me Prishtinën dhe komunitetin ndërkombëtar. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Besim Abazi, ambasadori Dell flet edhe për skenën politike të Kosovës dhe kritikat që i janë bërë për ndërhyrje në zhvillimet e atjeshme.

Zëri i Amerikës: E keni cilësuar skenën politike në Kosovë si të papërgjegjshme. Ju e njihni Kosovën dhe keni shërbyer në Kosovë në dy periudha. A ishte kështu gjithmonë apo po flasim për një degradim të kësaj skene politike?

Christopher Dell: Mendoj se duhet të sqaroj përshtypjen e gabuar që është krijuar nga gazetaria e papërgjegjshme e disa medieve lidhur me atë se çfarë kam thënë. Unë kam bërë një paraqitje që synonte të analizojë përgjegjësinë e komunitetit ndërkombëtarë dhe rolin e tij për tërë atë që ka shkuar mirë apo keq në 12 vitet e fundit në Kosovë. Konstatimi ishte thjeshtë se duke mos lejuar kosovarët që të marrin përgjegjësinë për qeverisjen e tyre, e kemi nxitur një atmosferë të papërgjegjësisë. Unë i kamë parë disa komente ndryshe tek Koha Ditore e cila i kishte shtrembëruar për t’i shndërruar në kritika ndaj qeverisë aktuale. Ajo çfarë kam dashur të them në paraqitjen time, ishte se që nga zgjidhja e krizës politike në prillin e këtij viti, për herë të parë Kosova ka mundësinë që të përqendrohet më shumë në çështjet e qeverisjes sesa në çështjet e krizave. Ajo çfarë po shohim në fakt është qeverinë e cila po përqendrohet në çështjet e konsiderueshme qeverisëse me të cilat përballet Kosova sot. Besoj se kjo e sqaron për shikuesit tuaj atë që kishim në mendje. Ajo nuk ishte në funksion të lojës së zakonshme të krijimit të kryetitujve të zëshëm që nxisin pikëpamje tendencioze politike në shërbim të interesave private politike të maskuara me gazetari objektive.

Zëri i Amerikës: Në këtë kuadër Zoti Ambasador, çfarë është shkalla e demokracisë në Kosovë? A jeni i kënaqur me të?

Christopher Dell: Kosova ka mjaft demokraci dhe jam i kënaqur me shkallën e saj. Ajo për të cilën Kosova ka më shumë nevojë është qeverisja. A jemi të kënaqur me të?. Jo, kjo është një punë në zhvillim. Nëse i pyesni qytetarët e zakonshëm amerikan nëse janë të kënaqur me cilësinë e qeverisjes në Shtetet e Bashkuara, do te ketë shume që do të thonë jo. Nuk është një çështje që përfundon, është gjithmonë një proces. Mendoj se ka pasur shumë përparim këtë vit. Fakti se nuk kemi krize ditore, në fakt media këtu lufton që të sajoje krizë, por nuk kanë sukses, sepse s'ka atmosferë krize - është pasqyrim i faktit deri në atë shkallë në të cilën qeveria insiston: për t'u përqendruar në agjendë. Kjo i ka lënë disa persona të frustruar, të cilët kryesisht janë rritur në stil të vjetër, në shkollë të vjetër, të cilët kanë mësuar si të përfitojnë nga kjo mungesë e qeverisjes, nga kjo ndjenjë e krizës së vazhdueshme.

Zëri i Amerikës: Ambasador, një prej sfidave që është përfshirë edhe në dokumentet ndërkombëtare, siç është edhe raporti i Progresit i KE-së, është edhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë. A ka lëvizje pozitive në këtë kuadër?

Christopher Dell: Një nga çështjet e vlefshme është që njerëzit flasin për korrupsionin dhe krimin e organizuar, që mendoj mbeten sfida këtu, ndryshe nga qeveritë e kaluara kur nuk kemi parë njerëzit të flasin për zyrtarët e lartë. Kjo është pasqyrim i cilësisë së përmirësuar të qeverisjes dhe të mundësive. Nuk po them se gjendja është e përkryer, Askush nuk do të besonte një gjë të tillë, ne sigurisht nuk e besojmë, por mendoj se ka shenja përparimi. E di se presidentja është personalisht e përkushtuar për të punuar shumë në çështjet e korrupsionit dhe për t’u siguruar se vlerat e përgjegjësisë, ndershmërisë, përkushtimit dhe përqendrimit në përgjegjësitë e figurave politike, të shndërrohen në kulturë të qeverisjes këtu.

Zëri i Amerikës: Zoti Ambasador, sfida kryesore jo vetëm për institucionet e Kosovës por edhe për ato ndërkombëtare është gjendja në veriun e Kosovës, “status quoja” e cila po vazhdon tashme disa muaj me bllokim rrugësh etj. Si të tejkalohet kjo situatë?

Christopher Dell: Çështja më e rëndësishme është zgjidhja e çështjes së barrikadave dhe pastaj të kriminelëve të organizuar që janë në linjë me të ashtuquajturën udhëheqje politike në veri që në fakt pengojnë qytetarët e zakonshëm për të jetuar jetë normale dhe pengojnë ata që duan të angazhohen në procesin e diskutimit me Kosovën për të ardhmen e tyre. Viktimat e para të kësaj situatë janë qytetarët që jetojnë në veri. Dhe qytetarët që kanë menduar me vete se mund të punojnë me Kosovën dhe do të dëshironin të kishin mundësinë për të provuar këtë, janë subjekte të dhunës dhe frikësimit të atyre që thonë se veprojnë në emrin e tyre. Mendoj se puna jonë është të punojmë për të krijuar hapësirën për ata qytetarë që duan të bisedojnë me autoritetet në Prishtinë, me komunitetin ndërkombëtarë e madje edhe me Beogradin se si të gjendet një “modus vivendi”. Për të krijuar hapësirën që ata të angazhohen me ne. Për një kohë të gjatë kemi lejuar Beogradin që ai, vetëm ai të flasë në emër të serbëve, apo që të ashtuquajturit udhëheqës paralel, strukturat e paligjshme në veri të flasin në emër të qytetarëve atje. Nuk e mohoj se ata kanë disa interesa të përbashkëta, por interesi i Beogradit, i shtetit serb është ndryshe nga qytetarët e Kosovës që kanë qëlluar të jenë serb etnik. Interesat e grupeve kriminale të lidhur me të ashtuquajturit politikanë, nuk janë të njëjta me qytetarët e zakonshëm. Dhe njerëzit me të cilët nuk kemi biseduar kurrë se çfarë vërtetë duan, janë qytetarët e zakonshëm që jetojnë në veri, prandaj mendoj se ata duhet të jenë caku ynë dhe rruga përpara.

Zëri i Amerikës: Por, si të arrihet tek qytetarët serbë në veri që janë prapa barrikadave dhe nën ndikimin e Beogradit?

Christopher Dell: Së pari duhet të shohim KFOR-in dhe EULEX-in duke e bërë punën e tyre. Të largojnë barrikadat, të kontrollojnë vendkalimet e paligjshme kufitare, t’i hapin rrugë sundimit të ligjit dhe të çrrënjosin, nëse mund të shprehem kësisoj, elementet kriminale që janë të gatshëm të përdorin dhunën, granatat e dorës, të qëllojnë njerëzit, të frikësojnë fëmijët e të tjerëve, të shpartallohen ata dhe atëherë do të shohim atë hapësirë të krijohet dhe kjo duhet të bëhet në muajt që vijnë.

Zëri i Amerikës: A do të duhej KFOR-i dhe EULEX-i të përdornin forcën për largimin e barrikadave?

Christopher Dell: Unë nuk jam ushtarak, Nuk do të provojë të flasë për taktikat dhe metodat që ata duhet të përdorin. Qartazi kjo kërkon një trysni, mund të kërkojë një përdorim të forcës, nëse mund të them kështu, por qartazi, qëllimi është që të ketë përdorim të shkallës më të ultë forcës, që është edhe arsyeja pse KFOR-i deri tash i është qasur në mënyrë shumë delikate situatës me barrikadat. Sigurisht nuk duam të shohim askënd që të lëndohet. Kjo nuk nënkupton se sa herë që përballeni me dike që është i gatshëm të përdorë dhunën, zgjidhja juaj është të tërhiqeni. Në një pikë duhet përballur me këtë.

Zëri i Amerikës: Beogradi tashmë hapur e ka kërkuar ndarjen e veriut. Si të gjendet zgjidhja ndërmjet këtyre kërkesave dhe situatës aktuale?

Christopher Dell: Këto janë ide të tejkaluara që pasqyrojnë qasjen e politikës së jashtme të shekullit të 19-të, që nuk shohin përtej idesë se marrëdhëniet ndërmjet shteteve duhet të ndërtohen përgjatë kufijve, përkatësive etnike, në vend të koncepteve bashkëkohore evropiane të shekullit 21, për heqjen e kufijve, mënjanimin e pengesave për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave. Ideja e ndarjes është pasqyrim i mungesës së imagjinatës në Beograd. Njerëzit që do të pësonin nga një politikë e tillë janë komunitetet pakicë në Kosovë. Është prekës fakti se udhëheqja e përgjegjshme e serbëve në pjesën jugore të Kosovës, qoftë kryetarët e komunave, e madje edhe drejtuesit e kishës ortodokse e thonë me një zë, se janë kundër ndarjes, meqë kjo do të ishte keq për komunitetin e tyre. Shpresoj se në javët që vijnë, para 9 dhjetorit, Beogradi ka mundësi të mendojë për këtë dhe do të fillojë të mendojë për një qasje me konstruktive dhe më moderne për zgjidhjen e këtyre sfidave.

Zëri i Amerikës: Ambasador, e përmendët çështjen e synimeve të Serbisë për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE dhe një prej kushteve është vazhdimi i bisedimeve me Kosovën që tashmë janë ndërprerë. A jemi në fakt në prag të dështimit të këtyre bisedimeve?

Christopher Dell: Mendoj se meqë ka një rritje të mirëkuptimit për realitetin e ri dhe mirëkuptimit për rëndësinë e kësaj për aspiratat evropiane, ka shpresë për qasje të re që do ta risjellë Beogradin në tryezën e bisedimeve dhe mund të rifillojmë të punojmë në çështjet që çojnë procesin përpara.

Zëri i Amerikës: A flasin SHBA dhe Bashkimi Evropian me një zë për të ardhmen e Kosovës dhe posaçërisht për veriun e saj?

Christopher Dell: Një gjë që më ka bërë përshtypje si një zhvillim pozitiv i rëndësishëm që nga ngjarjet e 25 korrikut, është konvergjenca ndërmjet Washingtonit dhe Brukselit. Një nga rezultatet pozitive të ngjarjeve të muajve të fundit ishte shtimi i saj. Kjo është lehtësuar shumë nga qëndrimet e kancelares gjermane (Angela) Merkel në muajin gusht në Beograd dhe ne po punojmë shumë mirë së bashku.

Zëri i Amerikës: Kosova dhe Serbia synojnë Bashkimin Evropian. Cilat janë gjasat e tyre për këtë integrim? Folëm për Beogradin që është afër statusit të vendit kandidat, por si e shihni Kosovën, cilat janë mundësitë e saj të qenë më afër integrimeve?

Christopher Dell: Mendoj se gjasat janë relativisht të mira. E dimë se Serbia është më lartë në listë. Por, evropianët janë përkushtuar që sa herë që Serbia bën një hap, Kosova të bëjë një hap. Nëse serbët fillojnë të lëvizin përpara, jam i bindur se evropianët do t’i respektojnë përkushtimet e tyre dhe ne do të shohim përparim në marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Brukselit. Më e rëndësishmja është që të kërkohen zgjidhje evropiane për sfidat përpara. Dhe për aq sa Kosova do të kërkojë intensivisht zgjidhje evropiane për shumë gjëra, kjo do të pasqyrohet pozitivisht ne qasjen edhe të vendeve anëtare të BE-së, që nuk kanë e kanë njohur Kosovën.

Zëri i Amerikës; Shume njerëz në Kosovë janë të brengosur që nëse Serbia afrohet më shumë me BE-një para Kosovës ajo do të jetë në gjendje të bllokojë Kosovën. A jeni ju i shqetësuar për këtë?

Christopher Dell: Nuk me takon mua të flasë për çështje të brendshme të BE-së, meqë nuk jemi anëtarë, por, atë që kamë dëgjuar në mënyrë të vazhdueshme nga diplomatët dhe përfaqësuesit e BE-së, është se nuk ka më Qipro. Bashkimi Evropian e pranon se anëtarësimi i Qipros pa zgjidhjen e problemit të Qipros veriore me Turqinë ishte gabim thelbësorë që ka i ka shkaktuar shume vështirësi BE-së. Mendoj se zgjidhjet duhet te gjenden para se Serbia të bëhet anëtarë e BE-së

Zëri i Amerikës: Ambasador, të kthehemi tek çështje më personale. A po largoheni nga Kosova?

Christopher Dell: Jo. Jo së shpejti. Mandati im është trevjeçar dhe ato përfundojnë në verën e ardhshme.

Zëri i Amerikës: Ka pasur mjaft kritikë sa i përket punës suaj, qoftë nga qarqe të caktuara apo edhe ndonjë partie politike që u kanë kritikuar juve për ndërhyrje e ndikim të madh në zhvillimet në Kosovë. Si u përgjigjeni këtyre?

Christopher Dell: Nëse kemi ndonjë ndikim në Kosovë, kjo ndodhë për shkak të një periudhe të gjatë që na kthen prapa në kohën para vitit 1999. Shtetet e Bashkuara kanë punuar ngushtë me udhëheqjen e Kosovës. Pararendësit, kolegët, e jam i sigurt edhe pasardhësi im, do të vazhdojnë të punojnë ngushtë me Kosovën në mënyrën e njëjtë. Dhe këto marrëdhënie të fuqishme janë të mbështetura në besimin e ndërsjellë, besimin në mbajtjen e fjalës. Dhe kjo krijon ndikim. Nëse njerëzit mendojnë se është keq të mbash fjalën, nëse mendojnë se besimi ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës është gjë e keqe, atëherë e pranoj kritikën si të vlefshme. Në anën tjetër, nëse njerëzit e kuptojnë se ky besim ka krijuar një partneritet që na ka mundësuar të mbështesim Kosovën dhe përpjekjet e saj për tu bërë shtet i pavarur, për të forcuar qeverisjen e saj dhe të ndërtojë ekonominë e saj, atëherë e hedh poshtë kritikën.

XS
SM
MD
LG