Lidhje

Debatohen ndryshimet në qeverinë e Kosovës


Debatohen ndryshimet në qeverinë e Kosovës
Debatohen ndryshimet në qeverinë e Kosovës

Gjatë ditëve në vijim pritet që të përmbyllet procesi i ndryshimeve brenda qeverisë së Kosovës në funksion të siç është thënë, krijimit të një drejtpeshimi ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës, pas zhvillimeve të fundit politike në vend. Të premten e kaluar kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi vendosi që ish presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli të jetë zëvendëskryeministër i parë i qeverisë së tij. Vendimi ishte hapi i parë, pas tërheqjes së zotit Pacolli nga kandidatura e tij për postin e presidentit, gjë që mundësoi marrëveshjen me të cilën u sigurua zgjedhja e presidentes dhe u paralajmëruan ndryshimet kushtetuese dhe reforma e sistemit zgjedhor. Ditët në vijim pritet që të shpalosën më shumë hollësi rreth ndarjes së pushtetit ndërmjet Partisë Demokratike të kryeministrit Thaçi dhe Aleancës Kosova e re të zotit Pacolli.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuqi tha sot se ndryshimet nuk e kanë dëmtuar dhe as nuk do të dëmtojnë qëndrueshmërinë e kabinetit qeverisës.

“Ajo që mund te them është se qeveria është stabile, po funksionon në kuptimin më të mirë të fjalës. Tani kërkohet që të jemi të përgjegjshëm për pritjet që kanë qytetarët, t'i realizojmë objektivat që i kemi ne por edhe ato që i pret qytetari i Kosovës por edhe bashkësia ndërkombëtare ndërsa lëvizje të vogla do të jenë të vazhdueshme në qeveri. Por, shumë shpejt do të bëhet një kompletim i tërësishëm por pa garanci për askënd që do të mbetet atje deri në fund të mandatit apo përjetësisht. Puna do të jetë ajo që do të mbaj dikë apo jo”, tha ai.

Zëvendëskryeministri Kuqi tha se koalicioni qeverisës do të respektojë me përpikëri proceset e ndryshimit të kushtetutës dhe reformën e sistemit zgjedhor, që ishin pjesë e marrëveshjes me të cilën u tejkalua kriza politike ne vend.

“Jemi të bindur që grupet parlamentare do të kompletojnë punët, ajo çka mund të them është se ne do ti respektojmë një qind për qind marrëveshjet e nënshkruara”, tha zëvendëskryeministri Kuqi.

Sipas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Christopher Dell, e cila u kritikua nga një pjesë e opozitës, zgjedhjet presidenciale mund të mbahen pas më se një viti, ndërsa ato parlamentare pas më se dy vjet e gjysmë. Por ato duhet të paraprihen nga përgatitja e infrastrukturës ligjore nga Parlamenti i cili e ka miratuar edhe në rezolutë të posaçme në mbështetje të kësaj marrëveshjeje.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG