Një raport i Departamentit të Shtetit citon investitorët e huaj, sipas të cilëve Shqipëria mbetet një vend i vështirë për të bërë biznes.
Në pjesën për Shqipërinë, raporti i DASH për klimën e investimeve 2018 thotë se investitorët e huaj përmendin korrupsionin, veçanërisht në gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimin publik dhe zbatimin e dobët të kontratave si probleme me të cilat vazhdon të përballet Shqipëria.
“Zbatimi i reformës gjyqësore është duke u zhvilluar, duke përfshirë verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për pasuri të pashpjeguar, por investitorët e huaj e perceptojnë klimën e investimeve si problematike dhe thonë se Shqipëria mbetet një vend i vështirë për të bërë biznes,” thuhet në raport.
Investitorët, - thotë raporti, - ankohen se zyrtarët përdorin rregulloret e vështira për t'u interpretuar ose legjislacionin jo konsistent si mjete për t’i larguar investitorët e huaj dhe për të favorizuar kompanitë e lidhura me politikën. Rregulloret dhe ligjet që rregullojnë veprimtarinë e biznesit, - thuhet aty, - ndryshojnë shpesh dhe pa konsultime të mirëfillta me komunitetin e biznesit.
Investitorët e mëdhenj të huaj njoftojnë për presione për të punësuar nënkontraktorë të lidhur me politikanët dhe shprehin shqetësimin se gjatë veprimtarisë së tyre në Shqipëri, Akti kundër Praktikave Korruptive me Jashtë nuk gjen zbatim, thuhet në raport.
Raportimet për korrupsion në praktikat qeveritare të prokurimit janë të zakonshme, thuhet në raport.
Duke trajtuar çështjen e PPP-ve (kontratat e partneritetit publik privat) në Shqipëri, Departamenti i Shtetit thotë se përdorimi në rritje i këtyre kontratave ka ngushtuar mundësitë për konkurrencë, përfshirë edhe konkurrencën e investitorëve të huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë.
Sipas raportit të DASH, analizat e dobëta kosto-përfitim dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPP vazhdojnë të jenë shqetësim. Qeveria kishte nënshkruar më shumë se 200 kontrata PPP deri në fund të vitit 2017, thuhet në raport.
Raporti thotë se të drejtat e pronës mbeten një sfidë tjetër, pasi në Shqipëri është e vështirë të marrësh një titull të qartë pronësie.
Njerëz të paskrupullt, thuhet në raport, manipulojnë sistemin e korruptuar të gjykatave për të marrë titullin e pronësisë për toka që nuk janë të tyret; ndërkohë, agjencia e ngarkuar me prishjen e ndërtesave të ngritura në mënyrë të paligjshme shpesh vepron pa konsultime të plota dhe nuk ndjek procedurat.
Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit i Transparency International për vitin 2017 e rendiste Shqipërinë në vendin e 91 nga 180 vende, një rënie prej tetë vendesh nga një vit më parë. Si e tillë, Shqipëria tani perceptohet si vendi i dytë më i korruptuar në Ballkanin Perëndimor. Shqipëria, thotë raporti, vazhdoi të paraqitet dobët në fushën e zbatimit të kontratave, regjistrimit të pronës dhe përftimit të energjisë elektrike.
Sistemi ligjor shqiptar presupozon që të mos ketë diskriminim ndaj investitorëve të huaj. Traktati i Investimeve Dypalëshe me SHBA, i cili hyri në fuqi më 1998, garanton që investitorët e SHBA të kenë trajtimin e vendit më të favorizuar, thuhet në raport.
Sipas raportit, energjia, turizmi, furnizimi me ujë dhe kanalizimet, rrugët dhe hekurudhat, minierat dhe teknologjia e informacionit përfaqësojnë perspektivën më të mirë për investimet e huaja të drejtpërdrejta në Shqipëri gjatë disa viteve të ardhshme.
Facebook Forum