Lidhje

Wilson: Shtetet e Bashkuara nuk kanë plan të gatshëm për Kosovën e Serbinë


Zëvendëspresidenti i Këshillit të Atlantikut, Damon Wilson, tha në një intervistë me Zërin e Amerikës se nuk është e drejtë të thuhet që Shtetet e Bashkuara kanë provuar të orkestrojnë ndryshimin e qeverisë së Kosovës dhe kanë plan të fshehtë të gatshëm për Kosovën dhe Serbinë. Zoti Wilson thekson ndërkaq se ka pasur shumë zyrtarë amerikanë të brengosur se Kosova e ka mbështetur veten për muri me qëndrimin e saj kundrejt tarifave prej 100 për qind ndaj Serbisë.

Zëri i Amerikës: Zoti Wilson dy javë më parë qeveria e kryeministrit Albin Kurti u rrëzua me një mocion mosbesimi në parlament. Ka shumë vëzhgues edhe në Shtetet e Bashkuara që thonë se rrëzimi i saj u bë edhe me ndihmën amerikane. Çfarë mendoni ju?

Damon Wilson: U takon qytetarëve të Kosovës përcaktimi i udhëheqësve të qeverisë. Nuk u takon fuqive të huaja ta bëjnë këtë. Po është e vërtetë se kishte një trysni ndërkombëtare dhe posaçërisht nga Shtetet e Bashkuara ndaj kryeministrit Kurti rreth tarifave ndaj mallrave serbe dhe çështjeve të lidhura me Serbinë. Trysni serioze në këtë rrafsh. Por, fundi i fundit, është në duart e parlamentit dhe qytetarëve të Kosovës të zgjedhin qeverinë e tyre, të zgjedhin koalicionin që funksion dhe i çon çështjet përpara.

Zëri i Amerikës: Zoti Kurti tha se mosbesimi ishte veprim për të hequr atë si pengesë për planet e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçic për shkëmbim territoresh në kuadër të marrëveshjes përfundimtare. Ndërkohë diplomatët amerikanë thanë se nuk ka asnjë marrëveshje të fshehtë. A ka sipas jush?

Damon Wilson: Mendoj se nuk është ashtu. Nuk është e drejtë të thuhet se Shtetet e Bashkuara kanë provuar të orkestrojnë ndryshimin e qeverisë së Kosovës dhe kanë plan të fshehtë të gatshëm për Kosovën dhe Serbinë. Nuk është drejtë. Ajo që është e qartë është se në mes të kohërave të vështira dhe sfidave të vështira siç është pandemia, Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara se si të çojnë përpara marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe duan të shohin përparimin e bisedimeve që tradicionalisht i ka drejtuar Bashkimi Evropian. Nuk ka dyshim se kishte trysni dhe përpjekje për të nxitur përparim në këtë çështje. Por, nuk është që negociatorët amerikanë kanë hartuar një plan të fshehtë dhe janë të gatshëm t’ua paraqesin palëve. Kjo është diçka që të dyja palët, Beogradi dhe Prishtina duhet ta prodhojnë vet.

Zëri i Amerikës: Por ka ish diplomatë amerikanë përfshirë këtu edhe zotin James Pardew që pohojnë se ka një plan tashmë të hartuar...?

Damon Wilson: Shikoni. Nuk ka dyshim që gjatë negociatave të drejtuara nga Bashkimi Evropian gjatë viteve të kaluara, të dyja palët të udhëhequra nga presidenti Vuçiç dhe presidenti Thaçi kanë shënuar përparim të ndjeshëm. Kjo është e vërtetë. Ajo që është keqkuptim është pohimi se ka një plan amerikan që mund t’u imponohet palëve dhe për të prodhuar një përgjigje si rrufe në të kthjellët. Nuk është e saktë. Pala e Kosovës duhet të përcaktojë se si do t’i bashkojë partitë politike që të kenë një qasje të përbashkët se si do të përballen me Serbinë në negociata. Kjo është sfida e vërtetë tani për tani dhe për këtë arsye ka shqetësime. Dhe ka shumë mbështetje, do të thosha se, ka dashamirë në administratën amerikane që duan një përparim gradual në mënyrë që të ketë në fund një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet të dyja palëve. Por, nuk ka një plan të orkestruar amerikan për të imponuar marrëveshjen.

Zëri i Amerikës: Siç e thatë kishte shumë trysni mbi zotin Kurti për të hequr tarifat dhe kjo nxiti debate në Kosovë lidhur me dëmtimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara. A janë dëmtuar vërtetë ato?

Damon Wilson: Shikoni, ne kemi përpjekje diplomatike dhe dramë politike që është pjesë e asaj çfarë ndodhë në demokraci. Realiteti është se Kosova dhe Shtetet e Bashkuara kanë marrëdhënie të posaçme. Kosova ekziston sot si vend i pavarur në masë të madhe për shkak të Shteteve të Bashkuara, për shkak të udhëheqjes sonë, për shkak të ushtrisë sonë, për shkak të diplomacisë. Ne jemi krenar për këtë. Mendoj se qytetarët e Kosovës janë krenar për këtë po ashtu. Realiteti është se marrëdhëniet tona do të vazhdojnë të jenë strategjike, të qëndrueshme dhe parimore. Kjo nuk do të thotë se nuk do të kemi ngritje e rënie. Ka pasur shumë zyrtarë amerikanë që ishin të brengosur se Kosova e ka mbështetur veten për muri me qëndrimin e saj kundrejt tarifave prej 100 për qind ndaj Serbisë. Po ashtu, ka një vlerësim se Kosova, na pëlqeu apo jo, dhe ne na pëlqen, është një demokraci energjike, do të thosha ndër më energjiket në Ballkanin Perëndimor nëse e shihni se çfarë ndodhë me shoqërinë civile apo me zgjedhjet. Njerëzit e Kosovës duhet të gjejnë rrugën e tyre përpara dhe si të përdorin përpjekjet e tyre në negociata. Unë dua që ata të gëzojnë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian derisa e bëjnë këtë. Do të duhet kurajë dhe të merren vendime. Ajo për çfarë jam i përqendruar këtu në Këshillin e Atlantikut është që kur palët të jenë të gatshme të marrin vendime, të jemi të sigurt se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë të bashkuar për të mbështetur Kosovën dhe Serbinë nëse ato hedhin hapa përpara dhe për të dëshmuar se kanë përfitime. Por, në të njëjtën kohë, nuk është marrëveshje për Shtetet e Bashkuara apo për Bashkimin Evropian. Udhëheqësit e Kosovës duhet të tejkalojnë mospajtimet mes vete dhe të ulen në tryezën e bisedimeve.

Zëri i Amerikës: Ditëve të fundit kemi parë ndarje ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe BE-së rreth zhvillimeve në Kosovë. Përse po ndodhë kësisoj?

Damon Wilson: Unë jam udhëheqës i Këshillit Atlantik dhe e kam në gjak faktin se kur Shtetet e Bashkuara dhe Evropa punojnë se bashku mund të bëjmë gjera shumë të rëndësishme. Mendoj se kjo është absolutisht e saktë në Ballkanin Perëndimor. Me gjithë dallimet në politikë dhe disa çështje ndërmjet Brukselit dhe Washingtont, ndërmjet kryeqyteteve evropiane dhe Washingtonit, disa janë përkeqësuar tani për shkak të menaxhimit të pandemisë, realiteti është se kemi të njëjtin pikëvështrim strategjik. Ne duam të shohim Ballkanin Perëndimor si rajon demokratik dhe me shoqëri të lira të ankorojë në perëndim. Kjo është pikëpamja e përbashkët. Nëse Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja punojnë së bashku, do ta çojmë përpara këtë qëllim. Kur Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja janë të ndara, kur nuk kemi besim mes vete, kjo e dëmton përparimin. Jam shumë i shqetësuar për hendekun ndërmjet Berlinit dhe Washingtonit, ndërmjet kryeqyteteve të BE-së dhe Brukselit. Ne duhet të veprojmë së bashku, duhet të qëndrojmë të përkushtuar për qëllimin e madh dhe të bashkojmë përpjekjet tona. Disa në Evropë ankohen për taktikat e Richard Grenellit dhe administratës së presidentit Trump, ndërsa disa në këtë administratë janë mosbesues për mënyrën e veprimit të evropianëve. Duhet të tejkalojmë këtë. Nëse Washingotni mendon se mund të ecë në një drejtim ndërsa evropianët në drejtimin e kundërt, kjo nuk është receta për sukses. Ne e dimë se kur i tejkalojmë dallimet dhe punojmë së bashku i rrisim shanset për të ofruar një rezultat pozitiv për Ballkanin Perëndimor.

Zëri i Amerikës: Cila është adresa e duhur për bisedimet Kosovë – Serbi? Brukseli apo duhet të lëvizë në Washington?

Damon Wilson: Kur isha pjesë e qeverisë e kishim bërë të qartë se pjesë e strategjisë amerikane nuk ka qenë kurrë që t’i detyrojmë vendet evropiane të zgjedhin ndërmjet Washingtonit dhe Brukselit. Ne kemi pikëpamje të përbashkët strategjike: e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është që të jetë pjesë e perëndimit që do të thotë pjesë e Bashkimit Evropian. Këtë duhet ta bëjmë së bashku. Kjo kërkon që BE-ja të jetë në zemër të kësaj, sepse në fund të fundit po flasim për hapjen e procesit për anëtarësimi dhe në fund edhe anëtarësimin. Nga pikëpamja e Shteteve të Bashkuara është në interesin e tyre që kjo të ndodhë. E dimë se Shtetet e Bashkuara duke ofruar një mbulesë sigurie dhe një shtytje strategjike mund të sigurojnë vullnet të mirë për t’i bërë palët bashkë dhe për ta përmbyllur procesin. Mendoj që nëse BE-ja vepron kokë më vete nuk është rruga më e mirë sikurse nuk është rruga më e mirë nëse Shtetet e Bashkuara veprojnë kokë më vete. Së bashku mund të ofrojmë pak muskuj diplomatik dhe nxitje ekonomike për t’u ndihmuar palëve që të arrijnë një marrëveshje ndërmjet tyre. Duhet të jetë marrëveshja e tyre ndërsa në duhet ta mbështesim. Nëse Washingtoni dhe Brukseli nuk janë në një zë, nuk do të keni një marrëveshje.

Zëri i Amerikës: Në Kosova ka dallime ndërmjet udhëheqësve politikë. Një pjesë dëshiron që adresa të jetë në Washington. Ata sikurse edhe disa analistë amerikanë pohojnë se Shtetet e Bashkuara janë mburoja ushtarake për Kosovën dhe jo Evropa dhe se Kosova është e kërcënuar ushtarakisht nga Serbia?

Damon Wilson: Ne jemi shumë përtej idesë së kërcënimit ushtarak. Po që Shtetet e Bashkuara janë garanci për sigurinë, por kjo është si pjesë e NATO-s, pranisë së NATO-s bashkë me miqtë dhe aleatët evropianë. Marifeti është këtu jo të luhet mbrojtja por e kundërta. E ardhmja e qytetarëve të Kosovës nuk do të jetë e ndritshme nëse ata qëndrojnë duarlidhur në një boks të vogël diplomatik. Duhet dalë nga një ndjesi e izolimit diplomatik dhe për të shpenguar potencialin e qytetarëve të Kosovës dhe qytetarëve të Serbisë me një marrëveshje që do të sigurojë një kuadër më të mirë për të tërhequr investimet. Prandaj duhet të kombinojmë praninë ushtarake me lojën e zgjuar diplomatike dhe ta mbështesim këtë me nxitje ekonomike.

Zëri i Amerikës: A ka mundësi që zoti Grenell të shtyjë përpara arritjen e një marrëveshjeje Kosovë – Serbi para zgjedhjeve presidenciale amerikane?

Damon Wilson: Mendoj se është një mundësi që këtë vit të çohen përpara negociatat dhe një marrëveshje. Ajo duhet të jetë një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe BE-së. Qartazi ka synim në Shtetet e Bashkuara për përparim, por kjo nuk është çështja numër një. Ka një dritare të hapur para sezonit të zgjedhjeve që të çohet përpara kjo çështje, por do të ndodhë me partnerët evropianë.

XS
SM
MD
LG