Lidhje

Kroacia merr miratimin për anëtarësim në BE


Komisioni Evropian vlerësoi pozitivisht Kroacinë sot në raportin përfundimtar, para se shteti ballkanik të bëhet anëtar i BE-së në korrik. Komisioneri i Bashkimit Evropian për zgjerim Stefan Fule paraqiti sot raportin, ku thuhet gjithashtu se BE-ja do të vazhdojë të mbikëqyr korrupsionin dhe krimin në vend.

Duke shënuar fundin e përpjekjeve të Zagrebit për t'iu bashkuar pjesës kryesore të Evropës, përpjekje këto që zgjatën gati një dekadë, komisioneri për zgjerimin i Bashkimit Evropian, Stefan Fule tha se Kroacia ka përmbushur objektivat.
Komisioneri Fule tha gjatë një takimi me anëtarë të qeverisë kroate, ku ai paraqiti raportin përfundimtar të monitorimit, se Kroacia kishte përmbushur të gjitha kushtet për t'u bërë anëtare.


“Mund të them se raporti reflekton përpjekjet e mira dhe të besueshme nga ana e Kroacisë për të arritur rezultat në angazhimet e mbetura për marrëveshjen e pranimit. Mund të them se ky raport është pozitiv. Ai hap portën për fazën finale të procesit të ratifikimit. Raporti nuk është qëllim në vetvete. Procesi përfundon me instrumentin e fundit të ratifikimit. Dhe kapitulli i ri fillon më 1 korrik të këtij viti,” u tha ai gazetarëve në një konferencë shtypi.

Zoti Fule shtoi se anëtarësimi i Kroacisë do të luajë një rol shumë të rëndësishëm në rajon.
Ndërkohë që raporti i Komisionit ishte kryesisht pozitiv në lidhje me gatishmërinë e Kroacisë për t'u bërë anëtarja e 28-të e Bashkimit Evropian, vlerësimi për luftën kundër krimit të organizuar ishte më pak entuziast.
Raporti shprehej se korniza ligjore e Kroacisë për trajtimin e çështjes së krimit të organizuar dhe korrupsionit ishte e përshtatshme, por disa ndryshime në sistemin juridik nuk ishin zbatuar plotësisht. Kroacia duhej të përdorte dënime më të ashpra për të penguar krimin, thuhet në raport, ku vihet në dukje se kriminelët e dënuar shpesh përballen vetëm dënime me kusht.
Kroacia do të jetë anëtarja e parë e re e BE-së, që kur Bullgaria dhe Rumania iu bashkuan organizatës në vitin 2007. Vende të tjera në Ballkan që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian janë Serbia, Maqedonia, Bosnja, Mali i Zi, Shqipëria, dhe Kosova.
XS
SM
MD
LG