Lidhje

Lufta e Ftohtë dhe Muri i Berlinit


Muri i Berlinit ishte manifestimi më i dukshëm i Luftës së Ftohtë dhe një simbol i betejës mes totalitarizmit dhe demokracisë, dy ideologjitë mbizotëruese të gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë. Por ai ishte edhe një mur i vërtetë. Ai çante mespërmes njërin prej qyteteve më të mëdha të Evropës, dhe ishte një provë fizike për popullin gjerman në të dy anët e murit se vendi i tyre nuk ishte i bashkuar. Le t'i hedhim tani një vështrim rënies së Murit të Berlinit njëzet e pesë vjet më parë:

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në vitin 1945, katër vendet aleate që ndihmuan më shumë në mposhtjen e Gjermanisë naziste: Shtetet e Bashkuara, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Sovjetik, përvijuan katër sektorë administrativë në Gjermani. Edhe pse në atë kohë vendi mbeti i pandarë, gjatë 16 viteve që do të pasonin, rreth 2.5 milion njerëz nga më të kualifikuarit në sektorin rus, shumica të rinj, kaluan përfundimisht në sektorët perëndimorë.

Për të mos lejuar popullsinë e sektorit rus të votonte në liri dhe për të ndalur rrjedhjen e trurit, në orët e hershme të 13 gushtit, 1961, policia dhe njësitë e ushtrisë gjermane Lindore mbyllën kufirin dhe instaluan tela me gjemba dhe gardhe duke e ndarë sektorin rus nga tre të tjerët.

Me kalimin e kohës, telat me gjemba do të zëvendësoheshin nga një mur betoni.

Pothuajse menjëherë filluan përpjekjet e njerëzve për të kaluar murin dhe për t'u hedhur në Perëndim. Rreth 5,000 njerëz provuan ta bëjnë këtë dhe 200 prej tyre gjetën vdekjen.

"Unë jam Peter Jennings në Nju Jork. Vetëm një çast më parë, morëm një lajm të habitshëm nga Gjermania Lindore, ku autoritetet njoftuan se Muri i Berlinit nuk ka më kuptim."

Ndërkohë që qeveritë komuniste fillun të rrëzohen kudo në Evropën Lindore, më 9 nëntor 1989, nën trysninë e popullatës, qeveria e Gjermanisë Lindore hapi pjesërisht kufirin në Berlin.

"Kushdo që dëshiron të largohet nga Gjermania Lindore është i lirë ta bëjë këtë."

Gjermanolindorët vërshuan drejt Berlinit Perëndimor, duke festuar me njerëzit në anën tjetër dhe së bashku filluan të shembin murin e Berlinit.

Më 3 tetor, 1990, Gjermania u bë përsëri një shtet i unifikuar.

Forca dhe pasioni i gjermanolindorëve që përfundimisht e shembën murin, është një shembull për të gjithë ne, ka thënë presidenti amerikan Barack Obama:

"Gjatë gjithë kësaj historie, fati i këtij qyteti u reduktua në pyetjen e thjeshtë: A do të jetojmë të lirë apo në pranga? Nën qeveritë që mbështesin të drejtat tona universale, apo nën regjime që i shtypin ato? Në shoqëritë e hapura që respektojnë shenjtërinë e individit dhe vullnetin tonë të lirë, apo në shoqëritë e mbyllura që e mbysin shpirtin?"

XS
SM
MD
LG