Lidhje

SHBA, BE mision të përbashkët në Ballkan


Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian filluan një mision të përbashkët tre ditor sot për të nxitur vendet e Ballkanit të zgjidhin mosmarrëveshjet politike dhe ekonomike që i pengojnë drejt integrimit evropian. Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Klinton dhe shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, zhvilluan sot takime me pjestarët e presidencës së Bosnjes, në një turne që do të vazhdojë në Beograd dhe Prishtinë.

Vizita në Bosnjë bëhet në kuadër të një turneu në Ballkan që synon nxitjen e reformave ekonomike dhe demokratike në rajonin e karakterizuar nga tensionet etnike. Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton dhe Shefja e Politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Catherine Ashton e filluan turneun në Ballkan me një ndalesë në Sarejevë, para se të vazhdojnë takimet në Serbi dhe Kosovë me zyrtarët vendas.

Duke folur në konferencën e përbashkët për shtypin në Sarajevë, zonja Clinton tha se qeveria amerikane është e angazhuar për një Bosnje të qendrueshme, të begatë dhe shumë-etnike.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian ndajnë vizionin e një Bosnje të qendrueshme, të begatë, në paqe dhe të integruar plotësisht në institucionet Euro-Atlantike.

Zyrtarët e administratës së presidentit Obama janë shprehur të zhgënjyer me udhëheqjen e Bosnje-Hercogovinës, pasi drejtuesit atje kanë nxitur agjenda etnike, personale, apo partiake mbi interesin e vendit të tyre. Shtetet e Bashkuara do të donin të shihnin Bosnjë-Hercegovinën të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Por zyrtarët amerikanë thonë se fillimisht atje duhet të ketë një kompromis politik, që siç u shpreh zonja Klinton, mund të çojë në ecjen e vendit përpara.

Ne jemi këtu sot për të kërkuar që të gjithë udhëheqësit e këtij vendi të gjejnë një terren të përbashkët dhe të veprojnë në interes të popullit. Pengesat që vura re gjatë vizites time të fundit ende mbeten. Reformat kyçe ende nuk janë bërë. Diferencat partiake mbajnë peng përparimet e përbashkëta.

Zonja Klinton kritikoi ashpër udhëheqësit serbë të Bosnjes të cilët kanë kërcënuar vazhdimisht të shkëputen, duke thënë se integriteti territorial i Bosnjes nuk është i diskutueshëm.
“Është e papranueshme që 17 vjet pas përfundimit të luftës, disa ende venë në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin e Bosnje Hercegovinës", tha ajo.

Nga ana e saj, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ritheksoi qendrimin për një shtet paqësor me të ardhme në Bashkimin Evropian.

"Nuk ka dyshim mes 27 vendeve anëtarëve të BE-së se e ardhmja e Bosnjës është në Bashkimin Evropian. Dua të theksoj se perspektiva Evropiane është reale dhe ka mbështetje unanime.”

Është e rendësishme, tha zonja Ashton që të shikohet përtej ndarjeve të brendshme dhe rivalitetit politik ose përndryshe, tha ajo, ky vend rrezikon të mbetet prapa vendeve të rajonit që po bëjnë përparime drejt Bashkimit Evropian.

Pas Bosnjes Sekretarja Clinton dhe zonja Ashton do të ndalen në Serbi për t’i bërë thirrje Presidentit Nikolic dhe Kryeminsitrit Daçiç të mbajnë premtimin për të përmirësuar marrëdhëniet me Kosovën. Nesër zonja Klinton dhe zonja Ashton takohen në Prishtinë me udhëheqësit e këtij vendi.

Zonja Clinton do ta vazhdojë më pas turneun në Kroaci dhe Shqipëri. Në Tiranë shefja e diplomacisë amerikane do të marrë pjesë në festimet me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë.
XS
SM
MD
LG