Lidhje

Kina mban në fuqi dënimin ndaj nobelistit


Një gjykatë kineze vendosi të mbajë në fuqi një dënim me burg kundër burrit të motrës së fituesit të Çmimit Nobel të Paqes Liu Xiaobo i cili gjithashtu është i burgosur. Kritikët thonë se vendimi i gjykatës është i motivuar politikisht. Liu Hui u dënua në qershor me 11 vjet burg nën akuzat për mashtrim në lidhje me një mosmarrëveshje mbi pasuritë e patundshme. Ai ka hedhur poshtë akuzat, duke i quajtur ato ndëshkim për aktivitetin e familjes së tij.

Vëllai i zotit Hui, Liu Tong, u tha gazetarëve sot se ai është i zhgënjyer me vendimin e gjykatës:

“Ky vendim do të zemërojë çdo njeri, sidomos anëtarët e familjes. Sepse në thelb vendimi është një dështim i drejtësisë. Qeveria çdo ditë thotë se ajo dëshiron të parandalojë dënimet e gabuara dhe dështimet në dhënien e drejtësisë, por të gjithë në rrethin tonë e dinë se ky është një dështim i drejtësisë”.

Avokati i zotit Liu thotë se klienti i tij nuk ishte i zemëruar ose i habitur nga vendimi.

Motra e tij është Liu Xia, bashkëshortja e laureatit të Çmimit Nobel për Paqen. Ajo po mbahet nën arrest shtëpiak pa asnjë akuzë që kur burri i saj fitoi Çmimin e Nobel të Paqes në vitin 2010.

Liu Xiaobo u shpërblye me çmimin e paqes për aktivitetin e tij në mbështetje të ndryshimeve paqësore demokratike në Kinë, e cila ka një sistem politik komunist njëpartiak. Ai po kryen një dënim me 11 vjet burg për siç thuhet “përpjekje për përmbysjen” e pushtetit.
XS
SM
MD
LG