Lidhje

Certifikohen rezultatet e zgjedhjeve në Kosovë


Certifikohen rezultatet e zgjedhjeve në Kosovë
Certifikohen rezultatet e zgjedhjeve në Kosovë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli sot certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke i dhënë fund procesit që filloi më 12 dhjetor të vitit të kaluar. Rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare nxorën Partinë Demokratike të Kosovës fituese të zgjedhjeve me 34 deputetë në Parlamentin 120 vendesh, ndërsa ajo pasohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 27 deputetë, lëvizja Vetëvendosje me 14, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 12 dhe Aleanca Kosova e Re me 8 deputetë. Ndërkaq, pjesa tjerët prej 25 deputetësh është ndarë nga partitë politike nga radhët e komuniteteve pakicë.

Vërtetimi i rezultateve hapi rrugën edhe për fillimin e procesit të krijimit të institucioneve të reja në bazë të këtyre zgjedhjeve. Nga dita e sotme Parlamenti i Kosovës duhet të mblidhet brenda një muaji. Por, kryeministri në dorëheqje Hashim Thaçi, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike, është zotuar se krijimi i institucioneve të reja do të ndodhë në një afat shumë të shkurtër dhe trevjetori i shpalljes së pavarësisë ta gjejë Kosovën më qeveri të re.

Por, edhe më tej nuk dihen hollësi rreth partnerëve të mundshëm të koalicionit të ri qeverisës. Aktualisht më të përvijuarat mbeten mundësitë që qeveria e re të përbëhet nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, por në tryezë është hedhur edhe mundësia që pjesë e qeverisë të jetë edhe Aleanca Kosova e Re. Por, kjo e fundit ka ngulur këmbë që të ketë postin e presidentit për udhëheqësin e saj Behxhet Pacolli, si kushte për të hyrë në qeveri.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar se do që të mbetet në opozitë, ndërsa një qëndrim të prerë për të qëndruar jashtë strukturave qeveritare e ka shfaqur edhe Lëvizja Vetëvendosje. Në pritje të bisedimeve zyrtare, janë përmendur shumë mundësi të krijimit të qeverisë së re dhe ndarjes së pushtetit ndërmjet partnerëve të mundshëm qeveritar.

Por, Partia Demokratike e Kosovës në një komunikatë për opinion mohoi t’i ketë bërë ofertë zyrtare ndonjë partie parlamentare apo të ketë zhvilluar ndonjë takim formal me cilëndo prej tyre për të diskutuar krijimin e koalicionit të ardhshëm qeverisës. Në një komunikatë të kësaj partie thuhet se të gjitha informatat e hedhura në opinion për përbërjen e Qeverisë së ardhshme, e aq më shumë për ndarjen e posteve qeveritare apo të pozicioneve të tjera institucionale, duke përfshirë edhe përfoljen e zyrtarëve të caktuar, qoftë nga Partia Demokratike e Kosovës apo nga parti të tjera, janë të paqëndrueshme dhe në nivel të spekulimeve. Rreth këtyre çështjeve ende nuk është diskutuar as në organet drejtuese të partisë. Ajo u bënë thirrje qytetarëve dhe medieve që siç thuhet të mos bien nën ndikimin e thashethemeve dhe të deklarimeve anonime nga burime të paidentifikuara për çfarëdo çështjesh që lidhen me krijimin e qeverisë së re.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG