Lidhje

Ceremonia e Komitetit të çmimit Nobel, laureati kinez Liu Xiaobo nuk merr pjesë


Ceremonia e Komitetit të çmimit Nobel, laureati kinez Liu Xiaobo nuk merr pjesë
Ceremonia e Komitetit të çmimit Nobel, laureati kinez Liu Xiaobo nuk merr pjesë

Duke mos përfilluar zemërimin e shprehur nga Kina, Komiteti i çmimit Nobel zhvilloi sot në kryeqytetin e Norvegjisë, Oslo ceremoninë për të nderuar disidentin e burgosur kinez, Liu Xiaobo, fitues i çmimit të këtij viti për Paqe.

Në fjalimin që mbajti me këtë rast, kryetari i komitetit, Thorbjoern Jagland vuri në dukje burgosjen e zotit Liu, madje shprehu keqardhje që ai nuk ishte i pranishëm të merrte çmimin. Zoti Jagland tha se "vetëm ky fakt tregon se çmimi ishte i domosdoshëm dhe i përshtatshëm".

Zoti Liu u përfaqësua në ceremoni nga një karrike bosh pasi ai po kryen një denim me 11 vjet burg në Kinë.

Autoritetet kineze kanë vënë bashkëshorten e tij nën arrest shtëpiak, pra ajo nuk mund të marrë pjesë në emër të tij.

Në Pekin, autoritetet kanë shtuar masat e sigurisë përpara apartamentit ku banon bashkëshortja e zotit Liu, Liu Xia. Policia kontrollon identitetin e të gjithë personave që hyjnë aty dhe makina të policisë ndodhen në çdo qoshe të rrugëve në lagje.

Kina ka bërë thirrje për një bojkot ndërkombëtar të ceremonisë së sotme në Oslo. Deri tani, të paktën 18 vende nuk kanë pranuar ftesën për të marrë pjesë dhe 45 vende kanë konfirmuar pjesëmarrjen në ceremoni.

Me anë të një deklarate sot, Presidenti Barak Obama tha se zoti Liu përpaqëson vlera "universale", madje i bëri thirrje Kinës ta lirojë laureatin sa më parë që të jetë e mundur.

Shtetet e Bashkura thanë dje se ambasadori amerrikan në Norvegji, Barry White, do të marrë pjesë në ceremoni.

Zyrtari më i lartë i OKB-së për të drejtat e njeriut, Navi Pillay, dhe grupe të të drejtave të njeriut kanë bërë thirrje gjithashu për lirimin e zotit Liu.
Por Kina tha dje se ajo nuk do të pranojë presonin ndërkombëtar për të liruar atë.

Liu Xiabao ka marrë pjesë në protestat e vitit 1989 në sheshin Tienanmen dhe është një prej aktivistëve më të spikatur kinezë, që lufton për liri më të mëdha politike dhe për të drejtat e njeriut.

XS
SM
MD
LG