Sekretari amerikan i Mbrojtjes Ash Carter tha se Mbreti Salman i Arabisë Saudite e përshëndeti marrëveshjen bërthamore me Iranin, por ka shprehur rezerva nëse kjo marrëveshje mund të zbatohet në mënyrë të efektëshme.
Zoti Carter u takua sot me mbretin saudit si dhe me ministrin e tij të mbrojtjes në qytetin Jedda pranë Detit të Kuq.
Mbreti saudit shprehu gjithashtu shqetësim rreth mekanizmit për rivendosjen e sanksioneve ekonomike ndërkombëtare në rast se Irani shkel marrëveshjen. Zoti Carter tha se SHBA ndajnë shqetësime të njëjta.
Arabia Saudite e sheh Iranin si armikun e tij kryesor në rajon dhe është i shqetësuar për rritjen e ndikimit iranian në Jemen dhe vende të tjera në rajonin e Gjirit Persik.
Dje, zoti Carter u takua me trupat e koalicionit në Jordaninë veriore në një bazë ajrore nga ku ndërmerren operacionet kundër objektivave në Siri:
"Ne do të fitojmë. Nuk e dimë sa kohë do të kërkojë kjo por e dimë se do të fitojmë dhe se ajo që ju bëni këtu është një pjesë e çmuar e asaj fushate."
Ai shkoi në Jordani nga Izraeli, ku u takua me kryeministrin Benjamin Netanyahu për të dhënë siguri mbi vazhdimin e mbështetjes amerikane pas marrëveshjes bërthamore me Iranin. Zoti Netanyahu e priti zotin Carter me një pamje të zymtë para se të zhvillonte një takim gati dy orësh në zyrën e tij në Jeruzalem.
"Ne nuk biem dakord për çdo gjë dhe kryeministri e bëri mjaft të qartë se nuk bie dakort me ne për marrëveshjen me Iranin por miqtë edhe mund të mos jenë dakord. Ne do të vazhdojmë të punojmë me Izraelin dhe partnerët tanë në rajon për të luftuar rrezikun nga Irani, ashtu sikurse edhe ISIL-in,” tha sekretari Carter.
Zoti Carter është zyrtari i parë i kabinetit amerikan që viziton Izraelin që kur Irani ra dakord javën e kaluar të reduktojë programin e tij bërthamor në këmbim të heqjes së pjesshme të sanksioneve ekonomike.