Në një intervistë për Zërin e Amerikës të mërkurën, ish-Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, deputeti socialist Ditmir Bushati tha se shpreson që 2020-ta të jetë vit i bashkëpunimit mes forcave politike në Shqipëri.
Ai mori pjesë në një seancë informimi në Uashington të titulluar: “Udhëheqësia e Shqipërisë në Evropë: Perspektivat parlamentare të Kryesisë shqiptare të radhës së OSBE-së, 2020”. Seanca u organizua nga Komisioni amerikan i Helsinkit.
- - -
Zëri i Amerikës: Le të flasim pak për ligjin antishpifje. Ka debate të shumta këto ditë në Shqipëri. OSBE-ja ka kritikuar disa herë këtë projektligj, por paralelisht kemi një intensifikim të sulmeve të kryeministrit Edi Rama kundër medias sidomos tani pas tërmetit. Mirëpo respektimi i lirisë së shtypit dhe medias është një nga prioritetet e OSBE-së të cilën Shqipëria do ta kryesojë vitin e ardhshëm. Pse gjithë kjo këmbëngulje nga ana e shumicës, nga ana e qeverisë për ta miratuar ligjin antishpifje?
Ditmir Bushati: Liria e medias është një prioritet për çdo shoqëri demokratike dhe në rastin në fjalë Shqipëria nuk bën përjashtim. Natyrisht që mund të ketë çështje të cilat kanë nevojë për t’u trajtuar për sa i përket kuadrit ligjor dhe regullator edhe në fushën e medias, por vendi ynë mazhoranca jonë ka një traditë bashkëpunimi të mirë me zyrën e OSBE-së që ka një ekspertizë të specializuar për këto çështje. Prandaj dua të shpreh besimin që do të gjendet gjuha e përbashkët në mënyrë që të reflektohen plotësisht të gjitha rekomandimet e zyrës së OSBE-së në Vjenë dhe gjithashtu të merren në konsideratë përmes një procesi sa më përfshirës edhe shqetësimet e komunitetit të medias.
Zëri i Amerikës: Por duket se qeveria është e vendosur për të shtyrë përpara këtë projekligj megjithë kritikat që i janë bërë...
Ditmir Bushati: Kam përshtypjen që ne jemi në fazën e një diskutimi në Kuvend. Por nga ana tjetër siç ka ndodhur edhe në të shkuarën gjithnjë në finale ka mbizotëruar le të themi një sens me racional duke marrë parasysh rekomandimet që vijnë në këtë drejtim nga ana e OSBE-së nga ana e BE-së, por edhe faktin që siç ju me të drejtë e shtruat në pyetjen tuaj, se duke nisur nga 2020 Shqipëria do të jetë kryesuese e OSBE-së dhe në këtë organizatë liria e medias është një prej shtyllave kryesore të punës së saj.
Zëri i Amerikës: Zoti Bushati, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo në Ditën Ndërkombëtare kundër korrupsionit foli për ndalimin e të korruptuarve për të hyrë në Shtetet e Bashkuara. Nga Shqipëria janë tre ish-zyrtarë me familjet e tyre të ndaluar për të hyrë në Shtetet e Bashkaura, gjithsej 14 persona, por nuk ka patur një qëndrim nga ana e qeverisë së Shqipërisë për këtë çështje. Si e shpjegoni?
Ditmir Bushati: Natyrisht, fakti që janë tre persona apo 14 në total së bashku me familjarët e tyre nga një listë prej rreth 100 personash që janë shpallur në të gjithë botën. Dhe kur vjen puna, kjo listë është shpallur nga partneri kryesor strategjik i Shqipërisë, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përbënë një shqetësim dhe nuk është një lajm i mirë dhe në këtë kontekst është e rëndësishme që ne të punojmë në mënyrë më të strukturuar me agjencitë ligjzbatuese të Shteteve të Bashkuara për të identifikuar problematikat, rastet konkrete dhe për të marrë masat e duhura në këtë dretjim. Ajo që ne shohim praktikisht janë rastet që shpallen publikisht nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe ne jemi një subjekt politik dhe nuk mund t’i bëjmë “një gjyq” një anëtari të caktuar të familjes tonë politike. Por, nga ana tjetër duhet të marrim masa të karakterit politik në radhë të parë, por edhe të karakterit ligjor dhe institucional për të kufizuar sa më shumë që të jetë e mundur pjesëmarrjen në jetën publike të personave të tillë.
Zëri i Amerikës: E kisha fjalën për një reagim nga ana e qeverisë ose shumicës socialiste...
Ditmir Bushati: Kam përshtypjen që këto janë të gjitha raste, të cilat në rrugën ligjore duhen trajtuar nga agjencitë ligjzbatuese. Në kuptimin politik të fjalës, natyrisht që ka nevojë për një qasje më horizontale në të gjithë spektrin politik dhe publik të jetës në Shqipëri, duke qenë se rastet nuk prekin thjeshtë vetëm partinë socialiste. Janë raste që prekin edhe persona që kanë mbajtur funksione publike që s’kanë lidhje me partinë socialiste. Prandaj, besoj se është e nevojshme që gradualisht ne të adoptojmë një qasje krejt të ndryshme ndaj këtyre fenomeneve.
Zëri i Amerikës: Të kthehemi te OSBE-ja. Ju do të merrni pjesë sot (të mërkuren) në një takim të Komisionit Amerikan të Helsinkit. Ju në fakt drejtuat të gjithë procesin vitin e kaluar që çoi në vendimin që Shqipëria të jetë kryesuese e radhës e OSBE-së. Megjithatë, që nga ajo kohë kanë ndryshuar shumë gjëra. Bob Hand, zyrtar i Komisionit të Helsinkit ka shprehur njëfarë skepticizmi në një intervistë me Zërin e Amerikës ndaj aftësisë së Shqipërisë për ushtruar këtë përgjegjësi. Sa e përgatitur është Shqipëria për ta marrë këtë sfidë?
Ditmir Bushati: Ky është një zhvillim jashtëzakonisht pozitiv në Shqipëri. Besoj se ndoshta është fitorja më e madhe që Shqipëria ka në politikën e jashtme, pas anëtarësimit në NATO. OSBE-ja, siç e dini, është një organizatë që grupon 57 shtete nga tre kontinente të ndryshme. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, vend kandidat për në Bashkimin Evropian, por në këtë organizatë ka vende që qartësisht kanë një qasje të ndryshme nga ajo e NATO-s apo e Bashkimit Evropian. Dhe në këtë kontekst, Shqipërisë do t’i duhet që të luajë një rol më të ekuilibruar për të sjellë të gjitha palët në tryezë, sepse (OSBE-ja) është një organizatë që bazohet te konsensusi. Shpresojë shumë që atë defiçit të madh që ne e kemi për shkak të mungesës së konsensusit në Shqipëri, apo kulturës ende të pamaturuar politike, të reflektohet gjatë drejtimit të OSBE-së nga ana e Shqipërisë. Fakti që Kryeministri ka vendosur të jetë edhe kryetar i radhës i OSBE-së nga ana e Shqipërisë për 2020-ën, mendoj që është një tregues i rëndësisë që Shqipëria po i jep kryesisë së OSBE-së dhe shpresojë shumë që të gjithë faktorët kryesore politikë dhe institucional do të kyçemi në një proces gjithëpërfshirës për ta konsideruar drejtimin e OSBE-së një prioritet kombëtar, që do t’ia rriste imazhin Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Zëri i Amerikës: Por një nga çështjet është se në Shqipëri ka një krizë institucionale, siç e quajnë shumica e vëzhguesve. A mendoni se situata, sidomos tani pas tërmetit, e bën më të nevojshme një marrëdhënie të re mes forcave politike sepse ka një konflikt të hapur mes shumicës suaj dhe Presidentit nga ana tjetër dhe opozitës jashtëparlamentare? Në fakt, cila është përgjegjësia juaj si shumicë? Ju e keni përmendur, e keni cekur paksa në të kaluarën këtë çështje.
Ditmir Bushati: Ne jemi në drejtim të punëve të vendit dhe në çdo lloj rrethane nuk mund t’i shmangemi përgjegjësive që duhet t’i ushtrojmë si forca që drejton vendin. Nuk ka diskutim që nevojitet një dialog i ripërtërirë në të gjitha nivelet, jo thjeshtë në kuptimin politik por edhe në kuptimin institucional. 2019 në gjykimin tim ishte një vit i mbrapsht sepse ishte një viti i eksperimenteve të mëdha që me djegien e mandateve, mënyrën se si shkuam drejt procesit të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, me tërmetin shkatërrimtarë të para pak ditëve. Shpresoj, uroj dhe dëshiroj që 2020 të jetë jo thjeshtë vit i reflektimit por edhe vit i bashkëpunimit. Së pari, për t’i dhënë jetë reformës në drejtësi sepse ne shumë flasim për reformën në drejtësi, por qëllimi kryesor i reformës në drejtësi nuk ishte thjeshtë dhe vetëm pastrimi nga sistemi i drejtësisë i personave të korruptuar apo të papërshtatshëm, por mbi të gjitha, krijimi i kushteve dhe i të bërit Shqipërisë një vend normal për ne që jetojmë në Shqipëri por edhe për çdo invesitor që dëshiron të investojë në Shqipëri. Dhe në rast se ne duam që të rrisim kredibilitetin e vendit tonë edhe në arenën ndërkombëtare, duam ta bëjmë një vend më të jetueshëm, duam t’i japim përgjigje sfidave me të cilat përballemi, qoftë demografikë apo ekonomikë, ne natyrisht duhet që të ndërtojmë një proces dhe një kulturë të re politike, ku ne si mazhorancë, natyrisht kemi përgjegjësinë kryesore për të ofruar dorën e bashkëpunimit.
Facebook Forum