Lidhje

Uashingtoni përgatitet t’i bëjë homazhe Presidentit Bush


Uashingtoni përgatitet t’i bëjë homazhe Presidentit të ndjerë amerikan George Herbert Walker Bush, i cili u nda nga jeta të premten në shtetin e tij të Teksasit në moshën 94-vjeçare. Trupi i tij do të vendoset këtë javë në selinë e Kongresit. Ndërkaq, njerëz nga i gjithë vendi dhe bota vazhdojnë të përkujtojnë me nderim presidentin e 41-të të Shteteve të Bashkuara.

George Herbert Walker Bush udhëhoqi vendin në periudhën e mbarimit të Luftës së Ftohtë dhe ishte protagonist i një fitoreje vendimtare në luftën e Gjirit. Ai shërbeu si president, nënpresident, drejtor i CIA-s, ambasador, ligjvënës dhe pilot i Marinës. George H.W. Bush kujtohet me nderim nga të gjithë.

Donald Trump: "Ishte një njeri i shkëlqyer dhe do të na mungojë. Ai pati një jetë të plotë dhe shembullore."

Të njëjtat ndjenja shprehin edhe qytetarët e zakonshëm amerikanë.

"Ishte hero lufe, zotni dhe burrë shteti. I dashur nga të gjithë. Ai i bashkonte njerëzit. Më pëlqen fakti që Klintonët dhe Bushët u bënë miq të mirë dhe shpresoj të kemi më shumë njerëz si ai në të ardhmen".

Vizioni i tij, i shpallur në fushatën e suksesshme presidenciale të vitit 1988, për një "komb më të butë dhe më mirëdashës” është në kontrast të plotë me politikat e ashpra partiake që shihen sot apo me sulmet e pa filtruara që mbushin Twitterin.

Colin Powell, ish- shef i shtatmadhorisë: "Ishte një jetë me nder, jetë e një preokupimi të plotë për popullin amerikan ... Ai ishte një patriot, e tregoi këtë në luftë, e tregoi edhe në paqe".

"Ai arriti vërtet shumë dhe e bëri këtë me shumë mjeshtëri. Ai e njihte politikën e jashtme, e kuptonte mirë. Ai bëri që Lufta e Ftohtë të merrte fund në mënyrë paqësore.”

Edhe udhëheqësit e huaj po e nderojnë kujtimin e ish-presidentit George Herbert Walker Bush.

"Ai është ati, ose një nga etërit e bashkimit gjerman dhe ne nuk do ta harrojmë kurrë këtë."

Jo të gjithë e kujtojnë ish-presidentin me repekt. Të tillë janë për shembull disa irakianë, të cilët kujtojnë sesi vendi i tyre u dëbua nga Kuvajti në vitin 1991.

"Historia nuk do ta nderojë Bushin e Vjetër, sepse ai sulmoi një vend paqësor që nuk e sfidoi Amerikën. Sulmet ajrore ishin një turp dhe do të mbeten ajo që ai lë pas."

Tetë vjet pas largimit të tij nga Shtëpia e Bardhë, i biri George W. Bush, u bë president, duke e zgjeruar gjurmën e fortë të kësaj familjeje në Amerikë dhe në botë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG