Zëvendës sekretari amerikan i shtetit William Burns i dha mbrëmë fund vizitës së tij në Prishtinë, duke u bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të gjejnë një zgjidhje lidhur me paraqitjen e Kosovës në forumet rajonale. Zoti Burns, i cili takoi udhëheqësit më të lartë vendas e ndërkombëtarë si dhe përfaqësuesit e komunitetit serb, tha se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj pavarësisë, tërësisë tokësore dhe sovranitetit të Kosovës.
Ai tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me udhëheqësit dhe institucionet e Kosovës që ato të përmbushin detyrimet e tyre për të përfunduar pavarësinë e mbikëqyrur dhe për ardhmërinë evropiane të Kosovës. Ai tha se është e rëndësishme për çdo demokraci dhe për cilëndo shoqëri që të përqendrohet në sundimin e ligjit.
Duke shprehur përkrahjen për Kosovën në bisedimet e saj me Serbinë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, ai tha se “Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre evropian kërkojnë nga të dyja anët që të jenë fleksibile dhe kreative për të siguruar që edhe Serbia edhe Kosova janë në gjendje të marrin pjesë në forumet rajonale. Të dyja anët duhet të gjejnë një formulë me të cilën do të jenë të rehatshme”.
Ai nënvizoi se kjo çështje është e ndjeshme dhe e ndërlikuar, por sipas tij, është po ashtu e rëndësishme të kuptohet mundësia që tash është pranë. E tërë kjo çështje ka të bëjë me atë se si Kosova mund të fitojë të drejtën për ta përfaqësuar veten në organizatat rajonale dhe si ajo mund të vendosë themelet për marrëdhënie më të afërta me Evropën, tha zoti Burns, duke nënvizuar se “përmbushja e kësaj të drejte dhe përfitimi i rastit për të marrë pjesë si e barabartë dhe për të përfaqësuar veten, është një përfitim i madh për Kosovën. Të gjitha çështjet tjera simbolike dhe teknike të cilat nxisin aq shumë komente sot, janë më pak të rëndësishme në krahasim me të pasurit e zërit dhe karriges në tryezë dhe kjo është ajo që e bën sovranitetin” tha zëvendës sekretari Burns.
Vizita e zëvendëssekretarit amerikan ndodhi në një periudhë të përpjekjeve për të siguruar vazhdimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat kanë ngecur për shkak të mospajtimeve rreth përfaqësimit të Kosovës në forumet rajonale. Serbia ngulë këmbë që Kosova të përfaqësohet nën rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ndërsa Prishtina hedh poshtë një gjë të tillë. Mediat në Prishtinë shkruajnë se Prishtina është shprehur e gatshme të prezantohet në forumet rajonale përmes një marrëveshjeje e cila merr parasysh Rezolutën 1244, opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.
Vazhdimi i bisedimeve është një nga kushtet që Beogradi duhet të plotësojë për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Serbia dështoi të marrë këtë status në dhjetor të vitit të kaluar për shkak të situatës në veriun e Kosovës, ku serbët po mbajnë të bllokuara të gjitha rrugët në shenjë kundërshtimi ndaj shtrirjes së autoritetit të Prishtinës në atë zonë. Bashkimi Evropian në fund të këtij muaji do të shqyrtojë sërish kandidaturën e Serbisë.