Bullgarët iu drejtuan kutive të votimit të dielën për të zgjedhur presidentin dhe parlamentin e ri mes një rritjeje të infeksioneve me koronavirus. Rreth 6.7 milionë votues shpresojnë se pas zgjedhjeve të përgjithshme me rezultat jo të qartë në prill dhe korrik, përpjekja e tretë për të zgjedhur parlamentin do të rezultojë në një qeveri që do ta nxjerrë vendin më të varfër të Bashkimit Evropian, nga krizat shëndetësore dhe ekonomike.
Presidenti aktual Rumen Radev po kërkon një mandat të dytë pesë-vjeçar në postin përgjithësisht ceremonial. Ai është një kritik i zëshëm i ish-kryeministrit Bojko Borisov dhe mbështetës i vendosur i protestave kundër korrupsionit të vitit të kaluar.
"Votova për lirinë, ligjshmërinë dhe drejtësinë, këto janë vlerat që unë mbroj...Sot vendoset nëse do të vazhdojmë procesin e forcimit të shtetit apo nëse pushtetin do ta marrin ata që veprojnë në prapaskena. Ndaj u bëj thirrje të gjithë bashkatdhetarëve, në Bullgari dhe jashtë saj, të jenë pjesë e së ardhmes së saj dhe të votojnë”, tha Presidenti Radev pasi votoi.
Zoti Radev mendohet të fitojë më pak se 50% të votave të nevojshme për një fitore të plotë në raundin e parë. Nëse ndodh kështu, vendi do të shkojë në balotazh më 21 nëntor.
Por analistët parashikojnë një pjesëmarrje të ulët për shkak të shqetësimit për përhapjen e koronavirusit, një procesi të ngadaltë vaksinimi dhe apatisë politike pas dy procese zgjedhjore që nuk nxorën rezultat të qartë.
“Ne Vazhdojmë Ndryshimin”, një parti e re e udhëhequr nga dy ish-ministra të arsimuar në Universitetin e Harvardit, Kiril Petkov dhe Asen Vasilev, po merr mbështetje në rritje për shkak të veprimeve të tyre të vendosura kundër korrupsionit.
“Votova për vazhdimin e ndryshimeve. Votova pasi mendoj se Bullgaria mund të bëjë më shumë”, tha zoti Petkov pasi votoi në kryeqytet.
Bullgaria është vendi me më pak vaksinime në BE, dhe këtë javë shënoi numrin më të lartë ditor të vdekjeve nga COVID-i që nga fillimi i pandemisë.
Sondazhet e fundit të opinionit tregojnë se partia në pushtet GERB mund të dalë sërish e para. Sidoqoftë, hetimet e fundit mbi korrupsionin e dyshuar gjatë qëndrimit në detyrë të ish-kryeministrit Bojko Borisov, po kufizojnë mundësitë e tij për të gjetur partnerë koalicioni për një mandat të ri, që do të ishte i katërti në 12 vitet e fundit.
Facebook Forum