Parlamenti britanik votoi të mërkurën me shumicë dërrmuese për ta mbështetur kryeministren Theresa May, e cila kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithëshme të parakohëshme më 8 qershor, tre vjet para afatit.
Zonja May kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve të parakohëshme me shpresën për të zbutur procesin e Brexit-it.
Ligjvënësit britanikë votuan 522 pro dhe 13 kundër. Ata pritej gjerësisht që ta miratonin mbajtjen e zgjedhjeve të parakohëshme, për të cilat analistët thonë se mund t’i japin kryeministres May më tepër mundësi në negocimin e daljes së Britanisë nga Bashkimi Europian, por i japin njëkohësisht edhe opozitës mundësinë për të patur një zë më të fuqishëm për mënyrën se si do të zhvillohet Brexit-i.
Procesi dy-vjeçar i negociatave filloi muajin e kaluar, kur May aktivizoi Artikullin 50 të Traktatit të Lisbonës të BE-së. Megjithatë, udhëheqësja britanike është përballur me protestat e opozitës lidhur me mënyrën e zhvillimit të negociatave për çështjet e tregtisë dhe taksave.
May tha se votimet e parakohëshme janë të nevojshme për të siguruar që qeveria e saj të mund “ta fuqizojë pozicionin britanik në negociata”.
Të mërkurën, May e përsëriti besimin e saj se “nuk ka kthim prapa” për Brexit-in.
Zgjedhjet e parakohëshme nuk kanë për ta ndryshuar afatin 2-vjeçar të procesit të largimit, por kanë hapur një episod të ri argumentesh lidhur me këtë veprim, që e ka përçarë keq vendin gjatë vitit të fundit.
Facebook Forum