Brazilianët po përgatiten për të inauguruar sot Dilma Rusefin si gruan e parë presidente të vendit.
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, është në mesin e të ftuarve që pritet të marrin pjesë në ceremoninë e betimit të zonjës Rusef.
E zgjedhura presidente, Dilma Rusef, zëvendëson mësuesin e saj politik, Luiz Inasju Lula da Silva, i cili ka mbajtur postin për tetë vjet. Presidenti i njohur në popull si Lula po lë detyrën në një kohë kur gëzon përkrahjen e 80 përqind të brazilianëve.
Ekspertët thonë se e zgjedhura presidente Rusef, e cila shërbeu për pesë vjet si shefe e kabinetit të presidentit, do të përballet me shumë sfida, përfshirë mënyrën sesi qeveria do të zgjidhë çështjen e shpenzimeve qeveritare pas rënies së eksporteve braziliane. Zonja Rusef ka thënë se do të vazhdojë shumë prej programeve të ekonomisë dhe të mirëqenies sociale të Presidentit da Silva.
Presidenti da Silva udhëhoqi gjatë një periudhe të zgjerimit ekonomik dhe të një sërë përmirësimesh shoqërore në mbarë Brazilin. Vlerësohet se 30 milion njerëz janë bërë pjesë e klasës së mesme gjatë presidencës së tij tetëvjeçare.
Pasardhësja e tij thotë se Brazili nuk duhet të ndalet derisa problemet si mungesa e strehimit, uria dhe droga vazhdojnë të leqendisin vendin.