Lidhje

Brazili synon më shumë përfitime nga kafeja e cilësisë së lartë


Brazili synon më shumë përfitime nga kafeja e cilësisë së lartë
Brazili synon më shumë përfitime nga kafeja e cilësisë së lartë

Brazili prodhon kafe më shumë se çdo vend tjetër. Tani, disa fermerë brazilianë duan që konsumuesit e kafesë ta shohin Brazilin si prodhues të kafesë më të mirë në botë. Korrespondenti Brian Wagner vizitoi rajonin e Sao Paulos, ku kultivohet kafeja, për të parë sesi fermerët po i përmbushin kërkesat në rritje të konsumatorëve të kafesë.

Pas vjeljes, kokrrat e kafesë thahen në diell për tri ditë, para se të përpunohen. Kokrrat e vona shpesh mblidhen pasi të kenë rënë në tokë, kështu që kushtojnë më së liri.

Zoti Serra kultivon edhe kokrra të cilësisë së lartë. Si edhe fermerët e tjerë, ai po përpiqet të prodhojë më shumë nga to.

“Brazili prodhon 50 përqind të kafesë në botë. Gjysma e kafesë së Brazilit është e cilësisë tejet të ulët, por kjo po ndryshon tani.”

Ndryshimi fillon këtu, në vendin ku rritet kafeja. Çdo vit, zoti Serra zëvendëson pemët më të vjetra të kafesë me të reja, që mund të japin fryte më të mira e më të shtrenjta të kafesë.

“Bujku duhet të jetë gati për ndryshime të shpejta, për të gjetur bimët që u bëjnë ballë sëmundjeve dhe që japin më shumë fryte.”

Ndërkohë që po lartësohen kërkesat, çmimet botërore të kafesë janë ngritur këtë vit. Fermerët në mbarë botën po përfitojnë nga çmimet më të larta.

Brazili pati përfitime të veçanta sivjet, kur ekspertët financiarë amerikanë sugjeruan përfshirjen e tij në një grup të vendeve prodhuese të kafesë, frytet e të cilëve tregtohen në bursa mallrash. Për fermerët brazilianë, kjo ka krijuar mundësi marramendëse, por edhe ndryshime.

“Secili këto ditë do prodhim cilësor. Duan kokrra kafeje të pastruara dhe që nuk janë mbledhur nga toka. Po ashtu, duan kafe me erë dhe shije të mirë.”

Paulo Pincastelli dhe gruaja e tij Juliana shohin mundësi në kultivimin e kafesë. I ati i Julianës mbolli këtë fermë pasa disa vitesh. Tani ata po e fillojnë të tyren aty pranë në Minas Gerais. Çifti ka rrezikuar duke braktisur vendet të mira të punës në sektorin financiar. Por ata kanë një plan.

“Nëse mund të dëshmojmë se kafeja jonë vjen nga një rajon i njohur për kafe dhe përdor metoda të qëndrueshme për mjedisin, atëherë mund të shesim me çmime më të larta.”

Qëllimi është përdorimi i teknologjisë më të fundit bujqësore. Në vend se të mbështeten në ujin e shiut, ata planifikojnë të vendosin sisteme ujitjeje dhe plehrimi. Ndërkohë, ata po hulumtojnë metodat për bujqësi organike dhe konservim.
Ndonëse shpenzimet janë më të mëdha se në bujqësinë tradicionale, shpërblimi mund të jetë më i madh.

“Çështja është nëse çmimet do të mbeten të larta derisa ferma jonë të fillojë të prodhojë brenda tri vjetësh.”

Jose Renato Serra beson në ardhmërinë e Brazilit. Ai këshillon zotin Piancastelli dhe fermerët e tjerë të kafesë në Brazil.

“U them të gjithë klientëve se mënyra e vetme për të mbijetuar në këtë treg është që të prodhojnë më shumë e më shumë kafe të cilësisë së lartë, që konsumatorët duan ta pinë.”

Në Brazil, farat e këtij ndryshimi tashmë po lëshojnë rrënjë.

XS
SM
MD
LG